E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga në Tushemisht katër personave



POGRADEC - Arrestohen në doganën e Tushemishtit në Pogradec katër persona që tentuan të kalonin nëpërmjet Maqedonisë për në Greqi me viza greke të falsifikuara. Policia rajonale e Korçës ka arrestuar me akuzën e "falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave e vizave" një grup prej katër personash nga rrethi i Dibrës. Të arrestuarit janë: Fiqiri Gjura, 49 vjeç, një grua me inicialet S.Gjura, 51 vjeçe, 38-vjeçarin Hamza Gjura, si dhe shtetasin Dritan Sina, 32 vjeç, nga fshatrat Ushtelencë, Kastriot dhe Hodonisht. Policia tha se arrestimi në flagrancë i tyre u bë pasi mbrëmjen e datës 14 Maj, në pikën e kalimit kufitar të Tushemishtit, gjatë kontrollit të dokumenteve të udhëtarëve në dalje nga Shqipëria për në drejtim të Maqedonisë në pasaportat e tyre u konstatuan viza pune greke të falsifikuara. Sipas verifikimeve të para të policisë, destinacioni i katër personave nga rrethi i Dibrës që synonin kalimin me viza të falsifikuara për në Maqedoni, ka qenë Greqia, për emigracion ekonomik. Personat e pajisur me viza pune greke, por që rezultuan të falsifikuara, kanë zgjedhur për të kaluar tranzit në Maqedoni një vend kalim kufitar me pak lëvizje udhëtarësh si dogana e Tushemishtit. Ndonëse rruga drejt Greqisë është më e gjatë, ata kanë menduar se do të kalojnë më lehtë nga dogana e Tushemishtit sesa të tentonin atë të Kapshticës. g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›