Rama: Dakord për kutitë e materialeve zgjedhore, Berisha: Ok, por të zbatohet Kodi
Aristir Lumezi
Kryetari i PS, Edi Rama i kërkoi Kryeministrit Berisha të reflektojë rreth propozimit që, sipas tij, kanë ofruar ndërkombëtarët. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, pak orë pas deklaratave të Kryeministrit Berisha, Rama shprehu edhe njëherë gatishmërinë e PS-së për të gjetur zgjidhjen e krizës. Në fjalën e tij, Rama ka nënvizuar se opozita është e gatshme për zgjidhjen e krizës politike, ndërsa shton se transparenca është në themel të saj. Kreu i PS kërkon hapjen e kutive të të gjithë dokumentacionit zgjedhor, ndërsa shton se kutitë e votimit i lihen në dorë një pale të tretë, siç është Komisioni i Venecias. “Krizën e zgjidhim me përkushtim nëpërmjet transparencës, i pari i Qeverisë hodhi poshtë çdo zgjidhje, pasi përdor forcën. Jemi gati për zgjidhje transparente, përmes një hetimi që fillon me hapjen e kutive të gjithë dokumentacionit zgjedhor, ndërsa hapjen e kutive të votimit t´ia lëmë një pale të tretë, siç është Komisioni i Venecias”, u shpreh Rama. Sipas tij, kompromisi është gati, transparencë dhe kushtetueshmëri, transparencë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme. Pas kësaj deklarate, kreu i PS la të kuptohet se nëse maxhoranca pranon këtë propozim të PS, atëherë kriza është e zgjidhur dhe greva e urisë merr fund. “I mbetet Berishës të reflektojë”, u shpreh Rama. Në ditën e 15-të të grevës së urisë ka falënderuar të gjithë mbështetësit e protestës së djeshme, duke deklaruar se PS nuk ndalet dhe nuk është lodhur në rrugën e saj. “Opozita është në një protestë të pandalshme dhe Qeveria në një shurdhëri. I neveris të gjithë ata që janë bërë pjesë e kësaj marrëzie opozitare, të shndërruar në këtë propagandë të ulët ndaj opozitës, ne nuk zmbrapsemi, ne nuk lodhemi, ne nuk ndalemi. Po kërkojmë një Shqipëri në të cilën të bashkëjetojmë, në një vend ku parimet dhe vlerat janë norma për një shoqëri evropiane”, deklaroi Rama. Ai ka shprehur keqardhjen e tij për mungesën e reagimit të Qeverisë ndaj një problemi të tillë të ngritur nga opozita, që ka të bëjë me funksionalizimin e demokracisë në vend. “Ndjeva keqardhje për shurdhërinë, verbërinë, për qasjen e tij ndaj një problemi që është një problem kombëtar transparence, jo në funksion të një lufte për pushtet, por për demokratizim dhe emancipim. Për çlirimin e zgjedhjeve nga kthetrat e atij korrupsioni, që nuk e lë popullin të qeveriset nga ata që zgjedhin”, ka theksuar Rama, i cili i është përgjigjur edhe kërkesës “së neveritshme” të Kryeministrit Berisha, për lejimin e ekipeve mjekësore. “Kryeministri po trajton me cinizëm grevën që po transmetohet në sytë e të gjitha mediave, të varura dhe të pavarura. Kjo grevë po ndiqet nga një grup mjekësh të nderuar e të respektuar. Nëse Qeveria do të bëjë inspektime, ajo le t’i bëjë, askush nuk e pengon. Por në këtë deklaratë të Berishës, unë shoh diçka të neveritshme, që ka të bëjë me një dëshirë të fshehur që në atë çadër të ndodhë diçka e keqe, që të ndikojë te protesta e opozitës”, ka deklaruar Rama. Ai i cilësoi si qesharake pretendimet e Kryeministrit, që me hapjen e kutive shkelet Kushtetuta, të cilën sipas tij Berisha e ka shkelur 30 herë në një periudhë të shkurtër kohore.
Arben Malaj largohet nga greva
Në ditën e 15-të la grevën edhe deputeti socialist Arben Malaj. Malaj la grevën e urisë në orët e para të mëngjesit, pas rëndimit të gjendjes së tij shëndetësore. Mjekët këshilluan deputetin e PS të ndërpresë grevën, pas problemeve shëndetësore që lidhen me aparatin tretës. Në një komunikim me mediat, Malaj tha se do vazhdojë të mbështesë deri në fund kërkesat e grevistëve dhe se ishin pikërisht problemet shëndetësore që nuk e lejuan të vazhdonte protestën. Malaj, një nga deputetët e mendimit ndryshe në PS, i cili vazhdimisht ka preferuar rrugën parlamentare për zgjidhjen e krizës politike të alternuar me atë të protestës, pranoi të hyjë në grevën e urisë që ditën e parë të saj, më 30 prill, ndërsa ai u bë pjesë e delegacionit parlamentar shqiptar, që pak ditë më parë ishte në Bruksel në komitetin parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, ndërsa u rikthye sërish në grevë pas kthimit bashkë me deputetin Taulant Balla.
Berisha: Nuk kam draft në tryezë, gati të zbatoj Kodin
Kryeministri Sali Berisha tha dje se në tryezën e tij nuk ka asnjë draft, mbi të cilin po negociohet.
Në një konferencë për shtyp pas kthimit nga Zagrebi kreu i Qeverisë theksoi se dokumenti i vetëm që ai ka është deklarata e Këshillit të Evropës që kërkon zgjidhjen e krizës politike sipas Kushtetutës. “Ju garantoj me përgjegjësinë më maksimale se në tryezën time, në mënyrë absolute dhe kategorike, nuk ekziston as edhe një draft tjetër, as edhe një pakt tjetër, as edhe një dokument tjetër, nga askush dhe nga asnjë institucion evropian apo perëndimor, për këtë problem”, tha Berisha, i cili i bëri thirrje kreut të PS-së të lejojë mjekët të ndjekin nga afër gjendjen e grevistëve. Sipas kreut të ekzekutivit një tjetër arsye përse çadrat e grevës së urisë nuk duhet të ngriheshin në bulevard është edhe çështja e sigurisë për shkak se aty ndodhet Kryeministria, Kuvendi dhe fare pranë Presidenca.
Zoti Kryeministër, ju thatë se nuk ekziston një draft marrëveshje, por si e komentoni ju deklaratën e ambasadorit të OSBE-së Robert Bosch, nëse i referohet edhe ai deklarimeve të Komitetit Presidencial të Këshillit të Evropës dhe ndoshta edhe Byrosë Parlamentare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe a keni pasur presion nga ndërkombëtarët për ta zgjidhur këtë çështje?
Së pari, kërkoj mirëkuptimin tuaj. Kryeministri në axhendën e tij nuk ka komentet e deklaratave të ambasadorëve. Të jem i hapur me ju, kjo nuk është në axhendën time dhe në tërësi, ju e dini se unë nuk e kam bërë këtë ndonjëherë. Edhe kur ka rastisur që ndonjë diplomat të ketë bërë diplomacinë e megafonit, unë po këtë gjë kam deklaruar, që nuk bëj diplomaci megafoni, sepse nuk më duket se vlen. Por në tërësi axhenda ime përjashton nga komentet deklaratat e diplomatëve. Unë këtë praktikë ndjek. Ajo çka thashë dhe që është e vërtetë e padiskutueshme, është se nuk kam parë dhe nuk kam mbi tavolinën e zyrës asnjë draft apo pakt, por kam deklaratën e Këshillit të Evropës, deklaratën e Komisionit Evropian, kam kërkesat e parashtruara ndaj meje, gjatë vizitës sime në Bruksel, të cilat i kam bërë transparente, bashkë me zyrtarët më të lartë të Brukselit, në konferencë për shtyp.
Së dyti, nuk mund të më bëjë presion njeri. Kjo të jetë jashtë çdo lloj mendimi dhe ju duhet të jeni të sigurt se presion, për të cenuar parimet themelore kushtetuese të një vendi, nuk pranoj nga askush, por, të jem i sinqertë, nuk ka njeri që të më ketë bërë një presion të tillë. Kategorikisht jo. Të jeni të sigurt, në asnjë rast. Meqenëse po gjykojmë këtu, momenti më i vështirë ishte ai i afatit gjashtëmujor të mandateve, sepse nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Unë nuk kam pasur asnjë presion për të mos respektuar përcaktimin kushtetues gjashtë mujor. Kjo, sepse burrështetasit e çdo vendi maten me Kushtetutën. Madje ka ndodhur diku që një zyrtar të thoshte është gjashtë muaj ajo nuk është gjashtë muaj, eprori i tij, në prani të përfaqësuesit tonë, i tha Kushtetuta thotë gjashtë muaj, gjashtë muaj është, se nuk mund të ketë dy gjashtë muaj. Edhe në këtë moment, i cili do të ishte dramatik në rrafshin politik, pasi nuk kishte ndodhur ndonjëherë të digjeshin mandatet kolektivisht, unë, së pari, falënderoj deputetët e Partisë Socialiste, të cilët me presionin e tyre bënë që të hynin në Parlament dhe për këtë më ka ardhur shumë mirë. Mund të kenë pasur edhe presion ndërkombëtar, këtë nuk e di, nuk mund ta them. Unë, personalisht, nuk kam pasur as edhe presionin më të vogël, për të mos respektuar afatin gjashtëmujor. Sikundër ia kam bërë të qartë të gjithëve që Kushtetuta nuk do të mbahej peng. Nuk besoj t’u kishte premtuar kush atyre se do të thyenin afatin. Mesa di unë, ajo gjuhë që është përdorur me ne, është përdorur edhe me ata.
Zoti Kryeministër, ju thatë se nuk do të ndërhyni për kampingun përpara Kryeministrisë, por deri kur mund të lihet i bllokuar bulevardi?
Për mendimin tim, do të ishte mirë të kishin dalë para piramidës, sepse nuk do të lëndonin qytetarët. E morën si një kast për të dalë përpara dritareve të mia. Unë, absolutisht, jam i gatshëm t’u jap hapësira ku të duan, në qoftë se ata vendosin të heqin dorë nga lëndimi i qytetarëve. Sikundër jam i gatshëm t’i respektoj aty, ku janë. Unë jam njeri që hapat e para të jetës sime në politikë i kam bërë me protestën dhe në protestë. Kështu që në këtë aspekt, nuk mund të bëhem një tjetër, 20 vjet më vonë. Mbetem ai që kam qenë.
Zoti Kryeministër, zoti Rama ka deklaruar se pa transparencën e këtyre zgjedhjeve, nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. A e shikoni këtë lëvizje politike si një tentativë për të mos u bërë pjesë e zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe sa do të ndikojë kjo për vendin?
Se çfarë vendos zoti Rama është në tagrin e tij. Detyra e Kryeministrit të vendit është të krijojë të gjitha kushtet, të përcaktojë të gjitha fondet për zhvillimin e zgjedhjeve. Një gjë është e sigurt, që zgjedhjet do zhvillohen. Kjo nuk ka asnjë lloj komenti. Në datën dhe ditën, që kreu i shtetit, në përputhje me Kushtetutën, të përcaktojë ditën e zgjedhjeve, Shqipëria do ketë zgjedhje, sipas të gjitha standardeve, pavarësisht se dikush thotë marr pjesë, dikush thotë s’marr pjesë. Këto janë në vullnetin e tyre, nuk ka detyrim ligjor. Thjeshtë, duhet të ketë procedura ligjore, të ndershme për zgjedhjet.
Zoti Kryeministër, ju thoni që nuk keni draft në tryezën tuaj. A do të pranonit, në rast se do të vinte një draft që do të kërkonte hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, a do të diskutonit mbi këtë pikë?
Në tryezën time kam dokumentet ndërkombëtare, kam deklaratën e Byrosë Parlamentare, të Komitetit Presidencial të Këshillit të Evropës, institucione këto thellësisht të balancuara majtas dhe djathtas, madje Komiteti ishte më shumë majtas, se djathtas, si dhe deklaratën e Komisionit Evropian, i cili është një institucion thellësisht i balancuar. Jam i gatshëm, mbi këto dy dokumente dhe komisioni që kemi ngritur, të punoj plotësisht. Të garantoj se asgjë nuk mund të zëvendësojë Këshillin e Evropës dhe kjo për këto arsye: Së pari, nuk duhet të harroni që ky institucion është themeluar mbi zgjedhjet e lira. Kriteri i parë më themelor i tij, në vitin 1949, kanë qenë zgjedhjet e lira, kur është bashkuar një grup vendesh që bënin zgjedhje të lira. Së dyti, Shqipëria është në monitorimin e këtij institucioni dhe kjo është reale. Së treti, ky institucion miratoi një rezolutë, të cilën e përshëndetën pozita dhe opozita. Nuk është kurrë në moralin tim, që të të pranoj për kryeplak dhe të të rruaj mjekrën. Këtë mund ta bëjnë të tjerët, por jo unë. Unë fjalën e kam fjalë. Ky është qëllimi im. Komisioni Evropian ka deklaratat e tij, të përsëritura, të cilat unë i kam pranuar plotësisht.
Zoti kryeministër, në rast se vjen një propozim nga PS-ja për konsensus, duke kërkuar transparencë nëpërmjet hapjes së kutive të materialeve zgjedhore, ju jeni dakord? A ka vend për diskutim tek kjo çështje apo kjo është çështje e mbyllur?
Ky është vend i shtetit ligjor. Ligjet e tij kanë përcaktuar, Kodi Elektoral, një nga Kodet më të mrekullueshme të vendit, ka përcaktuar çdo gjë, për kutitë e materialeve, për kutitë me fletë votimi, për fletët e votimit, mjafton ta zbatojmë atë, që do të thotë se nuk ka nevojë t’i themi njëri-tjetrit faleminderit për asgjë. Të zbatojmë ligjet dhe kaq. Kemi krijuar një komision, zbatojmë ligjet. Nuk mund të them asgjë, nuk jam unë anëtar i atij komisioni, unë jam Kryeministri që kërkoj të zbatohen ligjet. Ligji i ka të përcaktuara të gjitha. Ne jemi shtet ligjor. Në arkivin e PD-së ekzistojnë të gjitha procesverbalet, të gjitha tabelat, sepse ligji ua jep komisionarëve, ua jep ligji të gjitha. Ne jemi të gatshëm të zbatojmë çdo përcaktim ligjor. Kjo është përgjigja ime.
Berisha komenton dekretet e Topit
“Emrat në Kushtetuese me procedurë transparente”
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje procedurën e ndjekur nga Presidenti Bamir Topi për përzgjedhjen e tre gjyqtarëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ndonëse tha se Parlamenti do të jetë ai që do të votojë në fund, kreu i Qeverisë theksoi se rruga e ndjekur nga kreu i shtetit ishte transparente dhe demokratike. “E rëndësishme është që në këtë vend është instaluar një procedurë, që, për mendimin tim, shumë e bukur, demokratike dhe transparente, shumë herë më shumë, sesa ishte përpara. Presidenti shpalli dhe njohu të drejtën e gjykatësve që aspirojnë për të zënë vendet vakante që krijohen, ftoi edhe një komision, siç e keni parë në media, për të përpunuar kriteret që u sugjeruan aty. Dhe kjo mua më dukët se është shumë herë më transparente, sesa praktika e përparme, kur presidenti futej pas perdes, me përfaqësues të pozitës dhe opozitës, pëshpëritnin në vesh të njëri tjetrit dhe nxirrnin kandidaturat”, tha Berisha. I pyetur nëse gjyqtarët duhet të votohen me 3/5 e votave, në një kohë që Kushtetuta e parashikon me shumicë të thjeshtë, kreu i Qeverisë tha se edhe për këtë rast do të zbatohet ligji themeltar i shtetit.
Për shitjen e hotel “Dajtit”
Kreu i PS komentoi dje edhe shitjen e hotel “Dajtit”, i cili u ble nga Banka e Shqipërisë, duke shtuar se ky veprim u bë pasi Qeverisë i ka shteruar likuiditeti. Madje, Rama i bëri apel Guvernatorit të Bankës që të ruajë pavarësinë e këtij institucioni. “I bëj ftesë Guvernatorit, të mos e bëjë Bankën e Shqipërisë pjesë të kësaj krize dhe të këtij pushteti. Qeveria mund të bjerë, ndërsa banka duhet të qëndrojë. Sistemi bankar nuk duhet lëkundur”, u shpreh Rama dje gjatë konferencës me gazetarë. Pak orë më parë, Kryeministri Berisha sqaroi procedurat e shitjes së hotel “Dajti”. “Siç edhe e dini, unë kam qenë për t’ia dhënë Ministrisë së Jashtme. Por Ministria e Jashtme e gjykoi për shkak të hapësirave, pasi aty ku është ka një hapësirë përreth 1000 metra më të madhe, apo diçka të kësaj natyre. Që ta prishja Hotel “Dajtin” dhe të ndërtoja një Ministri të Jashtme, të jem i sinqertë, nuk e kisha planifikuar”, u shpreh Berisha.
Lohan: Pranojmë çdo zgjidhje sipas Kushtetutës
Ambasadori i Komisionit Evropian, Helmuth Lohan tha dje se komuniteti ndërkombëtar mirëpret çdolloj zgjidhje që respekton Kushtetutën. I pyetur nëse ka një draft në tryezën e Ramës dhe Berishës, Lohan theksoi se “Kjo është një pyetje që ju zyrtarisht duhet t’ia bëni Ambasadorit Bosch. Bashkimi Evropian do të mirëpriste çfarëdolloj marrëveshje që do të arrihej mes udhëheqësve politikë të Shqipërisë, e cila do të respektonte parimet bazë të demokracisë, të cilat janë Kushtetuta dhe transparenca.” Sipas tij, ka ardhur koha që klasa politike shqiptare të zgjidhë krizën politike që ka mbërthyer vendin pas zgjedhjeve të 28 qershorit. “Më lejoni të shtoj edhe një fjalë tjetër, ditën e martë, BE ka theksuar rëndësinë që të gjitha palët të bashkëpunojë në mënyrë aktive që të rivendosin funksionimin e pandërprerë të Parlamentit, duke përfshirë, si maxhorancën qeverisëse, ashtu edhe opozitën. Që nga dita e martë, ne nuk kemi parë progres apo ecuri, qoftë në Parlament, apo në rrugë. Tani është koha që udhëheqësit politikë shqiptarë t’i japin fund ngërçit politik në Shqipëri”, deklaroi Lohan. Ndërkohë burime pranë OSBE bënë të ditur dje për gazetën se Ambasadori Robert Bosch i është referuar pikërisht deklaratës së Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kur ka deklaruar një ditë më parë se palët kanë në tryezat e tyre paktin për ta firmosur. Deklarata e KiE-së thekson se “Byroja rithekson mundësitë, tanimë të deklaruara gjatë vizitës së delegacionit, për kërkimin e një opinioni nga Komisioni i Venecias dhe përmes Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me mandatin e Komisionit hetimor parlamentar, veçanërisht në lidhje me çështjen e hapjes së kutive të votimit”.