Qitje me kallash në bjeshkë,vritet nga shoku 18-vjeçari
DIBER/ HASAN PASHA
Bënin qitje me armë automatike në bjeshkë, vritet nga shoku 18-vjeçari. Altin Stërmilli, banor i fshatit Pjeçë të komunës së Melanit në Dibër është ngjitur në bjeshkët e Ilnicës bashkë me 7 moshatarë të tij, por u kthye prej andej pa jetë. Një ngjarje aksidentale, provokuar nga pakujdesia e njërit prej djemve, dyshohet sipas policisë ajo që ndodhi pasditen e djeshme.
Nisur nga dëshmitë e grupit të adoleshentëve, policia ka mësuar se ata kanë ecur në zonën e thellë, ashtu siç bënin zakonisht. Pasi kanë ngrënë drekë, njëri prej tyre, ka nxjerrë armën kallashnikov, me të cilin grupi i djemve ka nisur të bëjë qitje. Ata merrnin shënjestër në distancë e qëllonin me plumba kallashnikovi. Dyshohet se me një shkrehje të pavullnetshme ose si pasojë e një gabimi në shënjestër, 17-vjeçari Agurim ç., banor i fshatit Hiloskë ka qëlluar shokun e tij, Altin Stërmillin. Ky i fundit është rrëzuar i përgjakur për të ndërruar jetë pak minuta më vonë. Moshatarët e viktimës, të tronditur nga ajo që ndodhi kanë njoftuar të afërmit e tyre e këta të fundit policinë, e cila në prag muzgu është ngjitur në bjeshkë për të kryer hetime mbi ngjarjen e rëndë. Të rinjtë nuk janë larguar nga vendi, por mësohet se arma që posedonte adoleshenti është fshehur. Grupi hetimor ka marrë në pyetje 7 të rinjtë, të cilët fillimisht kanë thënë se nuk e dinin që një prej shokëve të tyre kishte armë me vete. Policia dyshon se ngjarja është aksidentale. Arma mendohet të jetë shkrehur nga pakujdesia në kohën kur adoleshenti ka dashur të qëllojë mbi shënjestrën e vendosur. Prindërit e Altin Stërmillit e kanë mësuar lajmin e rëndë nëpërmjet medias, pasi ata nuk e mendonin se ai do të humbte jetën në bjeshkët e Ilnicës, zonë mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, pasi edhe herë të tjera djali i tyre ishte ngjitur atje me shokët e tij të ngushtë. Mësohet se janë marrë në pyetje të rinjtë, por vetëm Agurim ç. është ndaluar si autor i ngjarjes. Ky i fundit do të merret në pyetje, për të zbardhur detajet e lojës me armë që solli tragjedinë për familjen Stërmilli. Nuk dihet ende nëse dhe herë të tjera grupi i djemve kishte bërë gjuajtje me armë, por në asnjë rast nuk ishte shënuar ndonjë incident. Pritet që pas daljes nga gjendja e rëndë psikologjike e tyre të mund të mësohet më tepër mbi rrethanat e vrasjes në bjeshkë.