E Diel, 1 Nëntor 2026

Ramayana, ose legjenda e Ramës

Mirton Resuli

Greva e urisë” pa dyshim do të jetë imazhi, por edhe koncepti, që do të përfaqësojë më mirë Shqipërinë për vitin 2010. Ndoshta qytetarët do të dëshironin fjalë të tjera, si “Europë”, “Bileta për Madrid”, “Paris po vi!”, por ja, çfarë të bëjmë, me urinë e kemi hallin. Nuk dëgjohet gjë tjetër nëpër baret e Tiranës, por edhe në shtëpitë e shqiptarëve kudo që janë, në vendlindje apo shpërndarë nëpër kontinente. Asnjeri nuk do t’ja di më se kush do fitojë finalen e Champions League, edhe fansat e Big Brother janë tashmë tepër të shpërqëndruar, dhe nuk e kanë më të qartë për cilët të televotojnë, për bukuroshet e Bigut apo për guximtarët e asaj, që në fjalorin detyrimisht cinik të gazetarisë shqiptare ka filluar të quhet Big Tenda Show. Nuk dëshiroj të flas ose aq më tepër të përqesh problematikat parimore të protestës, të analizoj të drejtat ose stërmadhimet.
Gjithsesi, nuk mund të harrohet që përveç fenomenit në vetvete, një rëndësi të veçantë ka edhe perceptimi i fenomenit. Përshtypja e fortë dhe diku e hidhur, që politika shqiptare po gëlltit çdo ditë e më shumë teknikat bazë të një reality show, është bërë fakt i kryer si të njerëzit e thjeshtë, ashtu edhe te protagonistët e jetës politike, që me këto teknika përfitojë dhe abuzojnë.
Por ka të ngjarë që ky të jetë një perceptim disi i gabuar. Sipas mendimit tim, fundja, ai bunker prej lecke në mes të bulevardit kryesor të vendit tonë mund të jetë pjesë e një reality show, por vetëm në një nivel sipërfaqësor. Në të vërtetë, edhe se ndoshta në plan të pavetëdijshëm, ne nuk po përjetojmë asgjë tjetër përveç rishfaqjes të një legjende.
Jo pak analistëve, në tentativën për të pasqyruar sa më mirë fenomenin e këtyre ditëve, ju është dashur të rishikojnë historinë e greves të urisë. Nuk është e vështirë të zbulosh në Internet kronologjinë e një akti kaq të bujshëm në shekullin e fundit. Po origjina? Shumë pak material ka për të, por dihet që refuzimi i ushqimit është një formë proteste shumë e lashtë, diçka që ka ndjekur njerëzimin në progresin e tij drejt civilizimit. Dihet që qytetërimi kelt në Irlandë përdorte grevën e urisë, si formë proteste kundër padrejtësive, dhe e quante atë Troskadh.
Por kjo nuk është legjendë. Legjenda është shumë më e lashtë, madje është pjesë e kultit të një prej qytetërimeve më të mëdha dhe të lashtë në botë, atë hindu. Një legjendë, e cila si gjithmonë i bashkohet historisë, në përqindje që asnjë nuk mund të përcaktoj, si në rastin e koktejeve më të suksesshëm. Një histori e vjetër dhe e rëndësishme për qindra miliona njerëz në kontinentit indian dhe më gjerë, por interesante edhe për ne, që në Evropën (fiktive) të mijëvjeçarit të tretë, akoma merremi dhe madje rrotullohemi rreth çadrave.
Në kapitullin e dytë të librit të shenjtë Ramayana, flitet për një mbretëri legjendare, e quajtur Koshala, e cila kishte rënë në hall. Mbreti vdiq, dhe kurorën e tij duhet ta gëzonte djali i tij i parë.
I bukur por modest, luftëtar por edhe filozof: emri i tij ishte Rama. Gjithë populli e donte, gjithë sytë e vajzave ishin për të, për gjithë të rinjtë ishte një model për të ndjekur. Froni ishte i tij, por ja që intrigat e pallatit bëjnë jo vetëm që Rama t’i lëshonte fronin vëllait të vogël Barata, por edhe të largohej nga kryeqyteti i dashur, në mërgim. Për hir të paqes dhe harmonise të vendit, Rama idealisti pranoi një konditë aq poshtëruese, dhe u largua pa bërë zë. Por ja që vëllai i vet Barata, tashmë mbret, i vënë në dijeni për intrigat që i kishin dhuruar fronin, jo vetëm refuzon pushtetin, por qan dhe i lutet të vëllait që të rikthehet. Aq është i sinqertë, sa fillon të refuzojë ushqimin, duke kërcënuar se do të vazhdonte deri në vdekje. Më pas pranon të qeverisë, deri sa vëllai i dashur të kthehej dhe të merrte vendin përkatës, siç ndodhi. Tani, ka lidhje kjo legjendë mijëvjeçare indiane me realitetin që po përjetojmë këto ditë? Përveç emrin të protagonistit, në fakt asgjë tjetër. Madje, historia e bukur e Ramës indian paraqitet në antitezë me atë që po ndodh para dhe mbrapa Kuvendit.
Por kjo në panoramën e sotme shqiptare nuk duhet të çudisë: në një vend ku gjithçka duhet të ekzagjerohet, në një shoqëri që nuk ka të qartë akoma limitet e saj, një protestë dramatike e tillë është më se e shpjegueshme. Ndër dekada, greva e urisë është marrë seriozisht dhe është mbështetur nga opinioni publik vetëm kur protagonistët kanë qenë të burgosur politik (Algjeri, Irlandë, Turqi, Sri Lanka etj) që shpesh kanë dhënë jetën për idealin. Të mbijetuarit kanë përfituar, si gjithmonë, duke filluar ose përforcuar karrierën politike. Disa ama thjesht janë zhdukur, si në rastin e tigrave tamil në Sri Lanka, mbas 20 viteve luftë civile. Media botërore i ka harruar, madje edhe vetë populli i atij ishulli (jo shumë larg nga vendi ku thonë se ndodhej mbretëria legjendare e Koshales) duket si i zgjuar nga një ëndërr për të cilën nuk di të shprehet, siç kam pasur mënyrë të shoh me sytë e mi vitin e kaluar, nëpër rrugët plot rrëmujë të Kolombos.
Jam i sigurt që në rrugët plot rrëmujë të Tiranës, shumica e njerëzve është po aq e ndrojtur të shprehet, të mbroj lodhjen fizike dhe morale të grevistëve ose apelin e qindra intelektualeve që, ironi tipike shqiptare, protestojnë kundër protestës.
Ndoshta qytetarët thjesht do të donin të ëndërronin ndopak: të udhëtonin nëpër bulevardet e Parisit, në kanalet e Venedikut, ose të udhëqeshin nga personazhe që sadopak t’i ngjanin Ramës dhe Baratës legjendarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›