BERZH: Rritja ekonomike në Shqipëri 1.2 %,kujdes me borxhin

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) deklaron se rritja ekonomike për Shqipërinë gjatë vitit 2012 do të jetë 1.2 përqind.
Në raportin e publikuar sot nga BERZH-i “Kriza dhe Tranzicioni” gjatë analizës së ecurisë ekonomike për 29 vende, përfshirë edhe Shqipërinë theksohet se sfidë për vendin tonë për këtë vit mbetet borxhi publik i cili ndikon në rritjen ekonomike.
Duke analizuar ndikimin e krizës ekonomike tek familjet në rajon, sa i përket Shqipërisë BERZH-i thekson se familjet shqiptare kanë ulur konsumin ushqimor dhe blerjen e mallrave të luksit.
Gjithashtu BERZH-i thekson se shumë njerëz si pasojë e krizës kanë reduktuar vizitat tek mjeku apo stomatologu ndërsa shumë familje nuk kanë paguar fare ose kanë shtyrë pagesën e faturave.
Më tej në raportin për Shqipërinë BERZH thekson se është rritur huamarrja në mënyrën informale,me marrjen e parave borxh nëpër të afërm.