BERZH: Shqipëria do të përballet me valë falimentimesh masive
Shqipëria do të përballet me një valë falimentimesh masive. Rritja ekonomike do të kthehet pas tre ose katër vitesh, ndërkohë që kriza ka prekur më së shumti ekonominë reale. Faktet janë bërë publike nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, sipas të cilës
mësohet se kjo valë do të prekë të gjithë Ballkanin Perëndimor. Sipas të dhënave Shqipëria nuk është prekur nga kriza globale, por po goditet fort në ekonominë reale sepse bankat nuk po japin fonde për biznesin edhe pse sistemi bankar në përgjithësi në Shqipëri, është fitimprurës, i kapitalizuar mirë, me shumë likuiditet dhe operon në një treg që është nga pikëpamja financiare ende në zhvillim. Gjatë viteve në vazhdim do të shohim zhvillim të mëtejshëm të tregjeve financiare në Shqipëri dhe jam i sigurtë që bankat greke në Shqipëri do të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces, shpjegoi më tej specialisti i BERZH, sipas të cilit, do të ketë efekte anësore por Shqipëria ka treguar elasticitet gjatë krizave të kaluara dhe kjo është e vërtetë për sektorin bankar dhe mbarë ekonominë.
Alarmi
BERZH deklaroi se Ballkani perëndimor do të vuajë gjatë pasojat e krizës ekonomike globale. Claudio Viecoli, drejtori i BERZH për Ballkanin perëndimor deklaroi se do të jetë e pamundur që vendet e ish-Jugosllavisë së bashku me Shqipërinë të mund të rikthehen sërish në normat e rritjes ekonomike që patën përpara krizës. Nuk ka asnjë mundësi që këto vende të paktën për një periudhë kohore 3-4 vjet të mund të kenë norma rritje 6-7 për qind siç kanë patur në të shkuarën, deklaroi Viecoli. Sipas tij rajoni nuk u prek nga kriza financiare. Por këtu kriza po godet fortë ekonominë reale, sepse bankat edhe pse kanë fonde nuk po japin më kredi për bizneset, ka vijuar më tej Viecoli. Sipas tij, tashmë rajoni do të përballet me një valë falimentimesh masive, ku bizneset më të dobëta do të eliminohen dhe tregu do të korrektohet. Pasojat deklaroi kreu i BERZH për Ballkanin perëndimor do të sjellin tkurrjen e në këtë rajon të investimeve nga kompanitë e huaja.
Risqet në ekonomi
Rritja ekonomike për Shqipërinë do të jetë 1.4 për qind, ndërsa ruajtja e qëndrueshmërisë makroekonomike, mbajtja nën kontroll e inflacionit dhe e deficitit fiskal janë shumë të rëndësishme për qeverinë shqiptare. Përfundimet janë nxjerrë nga specialistët e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilët parashikojnë një rritje prej 3 për qind për vitin 2011. Nga ana tjetër, sipas parashikimeve të BERZH, kriza greke nuk do të ketë ndikime mbi ekonominë shqiptare. Sipas BERZH, në Shqipëri gjatë tremujorit të parë rritja është pozitive dhe mbi mesataren e vendeve të Evropës juglindore por sigurisht është më poshtë nga ajo sa mund të arrijë Shqipëria në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë.
Ekonomia shqiptare ka risqe dhe mundësi të reja zhvillimi. Shqipëria ka pasur për më shumë se një dekadë rritje të shpejtë ekonomike, e cila është ulur gjatë krizave të fundit por që mbetet pozitive. Por është ende një ekonomi që i duhet të arrijë nivelet e jetesës të vendeve që janë në Bashkimin Evropian. Rreziqet janë të njëjta me ato të vendeve të tjera të rajonit sepse kriza globale ende nuk ka përfunduar dhe kjo sjell vonesa në kthimin në nivelet e rritjes së shpejtë. Përfundimet janë pasqyruar nga specialistë të BERZH, të cilët kanë arritur në përfundimin se pritet një rritje ekonomike pozitive këtë vit. Publikuam parashikimet tona në takimin vjetor të BERZH-it dhe presim një ulje të rritjes ekonomike në Shqipëri këtë vit. Parashikimi ynë është 1.4% dhe kjo reflekton disa nga shifrat që kemi parë në Shqipëri gjatë tremujorit të parë, janë shprehur specialistët e BERZH.
Ornela Manjani