Granoff: Shqipëria duhet të investojë te pasuritë e paluajtshme
Drejtori ekzekutiv i Fondit Shqiptaro-Amerikan, Michael Granoff: Shqipëria ka bërë progres, por ka akoma dhe shumë për të bërë.
Intervistoi: Ilva Tare
Tare: Ju flisnit për një mbështetje konsistente të fondit nga të dyja qeveritë, qeveria shqiptare dhe qeveria amerikane dhe gjithashtu thoni se fondi ka punuar në një mënyrë jopolitike me çdo qeveri në Shqipëri. Po sa realiste, sa e mundur është diçka e tillë në një klimë kaq të polarizuar kur vjen puna për politikë apo edhe biznes në Shqipëri?
Granoff: Është një vëzhgim interesant. Shqipëria është një vend i polarizuar politikisht, ku politika është mjaft agresive dhe përsëri është e vërtetë që ne kemi punuar në mënyrë konstruktive dhe të paanshme me çdo qeveri dhe opozitë, pa përjashtim, në këtë vend që nga viti 1995 kur erdha këtu për herë të parë. Do thoni ju si ia dolët? Pse është e vërtetë kjo?
Tare: Jo, si ia dolët ju që ta bënit të mundur këtë?
Granoff: E dini, jeta është një rrugë me dy korsi. Nuk isha ai që e bëri të mundur këtë. Nëse doja të isha partizan ose jo partizan i politikës, do të kishte njerëz që do ishin dakord e të tjerë që nuk do ta lejonin dhe nuk do të kisha sukses. Ne vendosëm që në fillim se çfarë do të bënim dhe ajo çka bëmë ishte për të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ishte mbi politikën, nuk kishte të bënte me ndonjë parti politike ose me diçka të ngjashme, një pjesë e saj erdhi nga ne. Që nga hera e parë që erdha në Shqipëri, bëra një përpjekje për t’u takuar me qeverinë në pushtet dhe me opozitën dhe më pas fillova të takohem me ta. Por nuk duhet të harrosh që s’mund të kërcesh i vetëm, dhe është e vërtetë që çdo qeveri iu përgjigj mesazhit në mënyrë pozitive. Shqipëria është një vend ku ka shumë pakënaqësi politike, si në çdo vend, nuk ka pasur ndonjëherë mosmarrëveshje politike për përpjekjet tona dhe mendoj se arsyeja është se njerëzit e kuptuan se çfarë po bënim, ishte në të mirën e tyre dhe kjo ishte një gjë e mirë dhe njëkohësisht dhe në interesin e tyre. Politikanët bëjnë çka u intereson, por gjëja kryesore është se aktivitetet e fondit dhe fondacioni nuk kanë qenë ndonjëherë të politizuar dhe është qëllimi im që kjo gjë të vazhdojë edhe më tej.
Tare: Besoj se kërcimi, siç thatë ju, kur vjen me disa përfitime, me miliona investime është më e thjeshtë që të pranohet. Mendoni që kjo ka qenë arsyeja kryesore?
Granoff: Sigurisht, unë mendoj se njerëzit reagojnë dhe sillen sipas interesit të tyre, mendoj se kishte një përfitim për ta. Ne investuam shumë para, shumë kohë. Punuam fort. Ishte një gjë e mirë për qeverinë apo për vendin? Absolutisht që po. Ne gjithashtu kuptuam se, nëse kërkon të realizosh projekte në një vend të vogël, është e vështirë të bësh ndonjë gjë pa komunikuar me qeverinë, të duhet mbështetje për të bërë gjërat. Të duhet një leje për të bërë diçka që dëshiron. Gjithçka që bën, pothuajse çdo gjë, e prek qeverinë në një mënyrë apo një tjetër dhe nëse nuk ndërton një marrëdhënie të mirë me ata nuk mund ta mbarosh punën tënde. Dhe një arsye pse fondi ynë ishte një nga më të suksesshmit ishte marrëdhënia që krijuam me qeveritë gjatë gjithë këtyre viteve.
Tare: Cili mendoni se është aseti ynë më i madh, ku duhet të investojmë më tepër?
Granoff: Në termat e industrisë?
Tare: Po.
Granoff: Nuk jam i sigurt nëse ka një pjesë të veçantë të industrisë ku duhet të bazohemi, mendoj se njerëzit duhet të marrin talentin e tyre, aty ku gjejnë veten më mirë dhe të shfrytëzojnë fushat ku mund t’ia dalin.
Tare: Mund të jenë pasuritë e paluajtshme?
Granoff: Sigurisht, ne bëmë para duke investuar para në pasuritë e patundshme, njerëz të tjerë bënë gjithashtu. Njerëzit e bëjnë atë në mënyrë të suksesshme dhe duhet të mundohen ta bëjnë atë në një mënyrë të ekuilibruar, sistematike, në mënyrë transparente. Ata duhet të mundohen ta bëjnë në një mënyrë që ruajnë burimet natyrore, në mënyrë që të mundësojnë një ambient pozitiv jete dhe do ta shikoni që ato lloj investimesh me kalimin e kohës do të jenë më të suksesshme sesa investimet më pak produktive që mund të kishin bërë në pasuritë e patundshme.
Tare: Më 2005, pasi qeveria e zotit Berisha erdhi në pushtet, ju keni deklaruar se transparenca, ligji dhe korrupsioni janë disa nga çështjet që Shqipëria duhet të merret më tepër në vitet e ardhshme, a e kemi bërë këtë? Kemi pasur progres?
Granoff: Unë mendoj që Shqipëria ka bërë progres, por ka akoma dhe shumë për të bërë. Dhe për këtë arsye i përshkrova çështjet më shumë si evolucion sesa revolucion. A ka patur progres? A është punuar? Absolutisht që po! Por sigurisht që ka ende shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim dhe qytetarët shqiptarë e meritojnë këtë. E meritojnë nga të gjithë faktorët. Nga qeveria, nga opozita, nga të gjitha aspektet e shoqërisë
Tare: A mendoni ju se disa nga opinionistët shqiptarë kanë të drejtë kur thonë se qeveria e ShBA-së po mbështet qeverisjen aktuale në Shqipëri?
Granoff: Unë mendoj që nuk është absolutisht e vërtetë, në kuptimin që ShBA dhe ambasadorët amerikanë janë mjaft të qartë për këtë gjë. Gjatë vizitave të mia këtu unë e takoj gjithmonë ambasadorin dhe ai është një ambasador i shkëlqyer dhe po bën një punë shumë të mirë. Unë e di, ShBA mbështet politika, mbështet veprime konkrete, dhe nëse puna e qeverisë është në një linjë me to atëherë ne japim mbështetje dhe nëse jo nuk e mbështesim atë. Nuk mendoj se ShBA mbështesin qeveritë, unë mendoj se ajo punon me qeveritë. Është gabim ta shohim atë në atë mënyrë, nuk mendoj se është e vërtetë dhe, meqë ra fjala, unë nuk e mendoj se është e vërtetë në asnjë vend dhe Shqipëria nuk është një rast i veçantë. Kjo është mënyra sesi ShBA-ja vendos marrëdhëniet me çdo vend në botë.
Tare: Dhe duke folur për çfarë ka ndodhur në Shqipëri, ngjarje jo shumë të lumtura shpesh, do doja t’ju pyesja për të përbashkëtat dhe mënyrën sesi ju jeni ndjerë duke punuar me politikanët shqiptarë ndër vite, si për shembull me ish-kryeministrin Nano?
Granoff: Unë u afrova me secilin nga këta, pa paragjykime dhe qëllimi im ishte që t’i gjykoja ata në bazë të veprimeve të tyre dhe të kuptoja nëse në një të nesërme ne do të punonim me ta në mënyrë kooperative me të njëjtat qëllime që do të ishte diçka e shkëlqyer dhe kjo ndodhi. Dhe e di, ke të drejtë, njerëzit janë të ndryshëm, personalitetet e tyre gjithashtu. Personaliteti i kryeministrit Berisha është shumë ndryshe nga personaliteti i ish-kryeministrit Nanos, por ata ishin të dy të interesuar për projektet tona, duke na dhënë mbështetje dhe u përpoqa që t’i kultivoj këto raporte dhe njerëz të ndryshëm në qeveritë e tyre që kanë bërë të njëjtat gjera. Ka qenë një mundësi interesante të shikosh njerëz të ndryshëm në rrjedhën e kohës dhe sigurisht në Shqipëri si dhe në vendet e tjera, ata që janë në qeveri sot ndoshta do të jenë në opozitë nesër dhe e kundërta. Të kesh marrëdhënie të mira me njerëzit, mendoj që na shërben gjithmonë me kalimin e kohës.
Tare: Gjatë vizitës suaj këto ditë ju keni takuar pothuajse të gjithë politikanët shqiptarë, por jo zotin Rama.
Granoff: U takova me z.Rama dje për 1 orë e 30 minuta.
Tare: Si shkoi takimi?
Granoff: Mendoj se shumë mirë, z.Rama ka qenë një mbështetës për punën tonë që nga fillimi. Takohem me të sa herë që vij. Fillova të takohem me të në fillim, kur ka qenë kryetar bashkie. Kur e takova në atë kohë ai më ftoi një ditë dhe më tregoi të gjitha ndërtesat që ishin pikturuar. Ai është një mik konstant dhe mbështetës.
Tare: Gjatë takimit me kryetarin e tanishëm të bashkisë ju shprehët dëshirën për të bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës për projekte të ndryshme, për shembull zgjerimi i bulevardit dhe projekte të tjera. Si do të funksionojë? Do të financohet, do t’i jepni kredi bashkisë?
Granoff: Kryetari ka mjaft plane që i ka bërë publike për Tiranën. Fondacioni ynë ka një prioritet që ne e kemi në edukim, zhvillimin kulturor, të gjithë gamën e gjërave dhe duam të përputhet interesi. Mendoj që do të ketë mënyra që ne të bashkëpunojmë me kryetarin e bashkisë dhe kam rënë dakord që do të kemi skuadrat tona respektive që do mundohen të punojnë së bashku dhe do të gjejmë fushat ku kemi prioritete të përbashkëta. Puna jonë nuk rreket të zëvendësojmë apo të bëjë atë që qeveria supozohet të bëjë. Puna jonë është të gjejmë fushat ku mund të shtojmë diçka ndryshe ose diçka që ata s’mund ta bëjnë të vetëm dhe kanë nevojë për asistencën tonë. Kam menduar një numër fushash në Tiranë që mund të jemi në gjendje të punojmë së bashku.