Topalli kërcënon Braçen dhe Daden për përdorimin e makinave të Kuvendit
Gjatë seancës së djeshme parlamentare, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, bëri të ditur se do të merren të gjitha masat që parashikon ligji për ata deputetë të Partisë Socialiste që përdorin makinat e Kuvendit. Një nga deputetët demokratë, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, ngriti si shqetësim përdorimin e makinave zyrtare nga dy deputetëve të PS-së, Erion Braçe dhe Arta Dade. Në bazë të ligjit të fundit të qeverisë “Berisha”, deputetët nuk kanë të drejtë të përdorin makinat e Kuvendit. Në vend të automjeteve qeveria parashikoi me ligj një shumë parash që do t’u jepet deputetëve për transportin në formën e dietës. Kjo shumë parash është e barabartë me një rrogë mesatare për qytetarët e thjeshtë. “Ju keni shumë të drejtë se mbajtja e makinave nga ata që nuk kanë të drejtë, është vjedhje e pronës së publikut. U është çuar letra dy deputetëve në fjalë dhe do të merren masa të tjera sipas ligjit”, - është shprehur Topalli gjatë fjalës së saj.
Gjatë seancës së djeshme deputetët demokratë akuzuan Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e ligjit të dosjeve. Sipas demokratëve, gjyqtarët që votuan rrëzimin e këtij ligji e kanë marrë vendimin në konflikt të hapur interesi për shkak se janë po të njëjtët gjyqtarë që kanë dhënë vendim me vrasje në kohën e regjimit diktatorial. Deputetët e maxhorancës kanë miratuar gjatë seancës së djeshme ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi. Sipas demokratëve, ky ligj vjen në mbështetje me konventën europiane për të drejtat e njeriut dhe është në përputhje me Kushtetutën për mosdiskrimin social, seksual, të moshës, gjinisë, kombësisë, gjuhës etj. Një tjetër ligj që u miratua në seancën e djeshme është ai për të legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale. Ky ligj u jep të drejtën banorëve që të shlyejnë detyrimet financiare nëpërmjet përdorimit të letrave me vlerë. Megjithëse ky ligj është kundërshtuar nga Shoqata e ish-Pronarëve, maxhoranca vendosi që ka miratojë. Ndërkaq, deputetë demokratë miratuan dhe kontratën e nënshkruar nga Ministria e Mbrojtjes me Eurocopter për blerjen e 5 helikopterëve për Ushtrinë shqiptare si kërkesë që vjen nga NATO.
5 Shkurt 2010