E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Kutitë, jo kusht për tryezën e dialogut, por për hapjen e tyre”

Kryetari i Partisë Socialiste, dje, gjatë një takimi me gazetarë, deklaroi se në tryezën e dialogut përballë me kryeministrin Sali Berisha nuk do t’i përdorë kutitë si kusht për t’u ulur në tryezë, por do të ulet për hapjen e tyre. Kreu i opozitës ka sqaruar se dialogu do të shtrihet në të gjitha aspektet që përfshijnë jo vetëm transparencën e kutive, por edhe transparencën lidhur me të gjitha transformimet para dhe paszgjedhore. Sipas Ramës, nëse objekti i hetimit do të ishte i lirë dhe shumica e komisionit hetimor e përbërë nga opozita do të lejojë që objektin e hetimit ta shtrinte në gjithë horizontin e deformimit të procesit zgjedhor, atëherë dialogu do t’i trajtonte të gjitha pikat. Kreu socialist theksoi se opozita nuk do të përgjumet, por do të jetë aktive edhe për alternativën tjetër, që është protesta. Rama ka njoftuar se do të nisë një udhëtim në të gjithë Shqipërinë lidhur me gjendjen e vendit, me krizën që kalon sot Shqipëria.
Konferenca
Gjatë bisedimit me gazetarët, kreu i opozitës theksoi se hetimi i zgjedhjeve është një
betejë serioze për një liri dhe të drejtë themelore. "Kërkesat tona nuk janë listë për pazarin e ditës, duke shkuar dyqan më dyqan. Kërkesat tona kanë një rend; ato nuk vendosen në kandar as me numër e as me peshë. Nëse nuk hetohen kutitë, nuk ka hetim të zgjedhjeve", - tha Rama. Ai ka sqaruar edhe njëherë se nëse ka krim elektoral, atë e provon transparenca e kutive. Kryesocialisti Rama pohoi se opozita është në protestë qysh ditën që ka refuzuar pjesëmarrjen në Parlament. “Nuk kemi shpallur datë manifestimi, por ndërkohë që përgatitet dialogu, nuk do të thotë që ne të mos përgatitemi edhe për alternativën e dialogut, që është protesta. Berisha nuk mund ta përdorë kohën për dialog si kohë për të përgjumur opozitën", - tha ai. Sipas tij, hyrja në Parlament e deputetëve të PS-së nuk do të krijonte kushte për ta fituar këtë betejë. “Është një betejë për liri të votës së çdo qytetari, për transparencë të këtij procesi përballë publikut shqiptar”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “Parlamenti, nga çdo lloj tjetër teatri, është e vetmja shfaqje, e cila drejtohet nga publiku që përcakton rolet. Rolet kush do të qëndrojë në qeveri dhe në opozitë i përcakton populli. Opozita luan rolin e saj për t’i dhënë mundësinë publikut të gjykojë se ku po gabon qeveria”. Lidhur me hapjen e kutive, kreu i opozitës tha se është bërë një marrëveshje, e cila në themelin e saj ka pasur 2 anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të hapin kutitë e votimit, por që, sipas tij, shumica e pushtetit vendosi që kutitë të mos hapen. “Ky ka qenë çelësi i gjithë procesit konsensual. Opozita nuk është e gatshme t’i besojë më procesit të kuadrit ligjor. Ajo nuk kërkon përmbysjen e rezultatit, por transparencën për të nxjerrë në sytë e shqiptarëve se çfarë ka ndodhur. Nuk është fundi i pushtetit, është fundi i sistemit të korrupsionit”. Përsa i përket temës së djegieve të mandateve, Rama e ka cilësuar një telenovelë.
Pushteti
Kreu i opozitës vuri në dukje pushtetin e egër dhe tepër arbitrar të qeverisë “Berisha”, e cila ka abuzuar për të përmbushur interesat e saj. "Pikat fillojnë nga heqjet nga puna për arsye të mosdhënies së votës apo mospjesëmarrjes në aktivitetet e maxhorancës, lirimi në shkelje të plotë të ligjit i kriminelëve nga Gjykata e Krimeve të Rënda për të ushtruar presion te zgjedhësit, abuzimet me hapësirën mediatike, abuzimi me Televizionin publik, errësimi i vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi në prag të zgjedhjeve. Në rast se nuk hetohen kutitë, nuk ka diskutime”, - tha Rama. Ai shprehu shqetësimin për krizën ekonomike, ku qeveria, përveç rritjes së çmimeve të konsumit, faturës së energjisë, tashmë ka shtuar dhe faturën e ujit. “Sot kostoja e jetesës së familjeve shqiptare që nuk jetojnë në oborrin e familjes së Berishës, por jetojnë me mundin e vet, është dyfishuar qysh prej 28 qershorit e pas”, - tha Rama. Ai tha se kriza ekonomike ka sjellë rënien e lekut, ndërkohë që të ardhurat e emigrantëve do të bien për shkak të një krize globale me të cilën po përballen emigrantët.

Beqja: “Miratimi Aktit Normativ për buxhetin 2009, antikushtetues”

Partia Socialiste e ka cilësuar antikushtetues miratimin e Aktit Normativ për buxhetin e vitit 2009 nga deputetët e maxhorancës. Sipas deputetit Ilir Beqja, vlerësimi i pritshëm për të ardhurat e vitit 2009 është 301 miliardë lekë, ndërsa sot deputetëve po u kërkohet të votojnë për një buxhet ku të ardhurat janë 319 miliardë lekë, pra 18 miliardë lekë më shumë sesa në vlerësimin e një muaji më parë. Beqja theksoi se deputetët e maxhorancës kanë mundësinë të dëshmojnë se nuk pranojnë talljen që Sali Berisha i bën Kuvendit të Shqipërisë, por t’i kërkojnë kryeministrit Berisha të tregojë gjendjen reale të financave të shtetit. “Qeveria nuk mund t’i përdorë aktet normative në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë është i mbledhur në sesion të rregullt. Dhe nuk na rezulton që më datë 23 dhjetor Shqipëria të ketë qenë në gjendje të jashtëzakonshme apo në gjendje lufte, për të justifikuar një veprim të tillë”, - u shpreh Beqja, duke argumentuar se është gjithashtu absurde që 35 ditë pasi ka përfunduar viti 2009, deputetëve të Kuvendit u kërkohet të miratojnë të ardhurat, shpenzimet dhe deficitin e vitit 2009. “Përpjekja e Sali Berishës për të miratuar këtë akt është një tregues i qartë i paaftësisë së qeverisë së tij për të njohur realitetin”, - tha deputeti Beqja.

5 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›