E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: “Hapja e kutive, themeli i bisedimeve në tryezën e dialogut Rama-Berisha”

Hapja e kutive për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit është qendra e bisedimeve të tryezës së dialogut për Partinë Socialiste, dialog që pritet të zhvillohet mes dy krerëve të forcave kryesore politike në vend për t’i dhënë zgjidhje krizës politike. Pas njoftimit të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për përgatitjen e tryezës së dialogut, edhe pas thirrjes së kryeministrit Sali Berisha, ka reaguar dje sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë dhe njëkohësisht deputete e Partisë Socialiste, Arta Dade, duke theksuar se për opozitën kutitë janë themeli i hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Deputetja Dade i bëri të ditur kryeministrit Berisha se nuk do të mund ta pengojë kurrë me forcë hetimin e zgjedhjeve dhe e ftoi atë të reflektojë me seriozitet dhe të bëhet pjesë e transparencës që kërkon opozita, shqiptarët dhe miqtë ndërkombëtarë. Dade i bëri thirrje kreut të Ekzekutivit të heqë dorë nga mjetet e vjetruara për të keqinterpretuar Rezolutën e Këshillit të Europës dhe të vonojë me argumente false zgjidhjen e krizës.
“Duke pranuar Rezolutën e Këshillit të Europës, pas përpjekjesh të dështuara për ta ndryshuar atë, Sali Berisha më në fund u detyrua të pranojë ekzistencën e krizës politike dhe zgjidhjen e saj në tryezën e Presidentit”, - u shpreh Dade, duke theksuar se “Partia Socialiste është e vendosur që kjo krizë të zgjidhet vetëm përmes negociatash në prani të Presidentit të Republikës, që do të rezultojnë në ngritjen e komisionit hetimor parlamentar me objekt hetimor të pakufizuar të procesit elektoral të 28 qershorit. Kur hetohet një krim, me provat nuk mund të ketë kompromis”.

5 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›