E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore, kusht për liberalizimin e vizave”

Ministria e Jashtme zhvillon takim kundër trafikut të qenieve njerëzore
Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, e ka cilësuar luftën kundër trafiqeve njerëzore prioritet të punës së qeverisë dhe kusht për të përfituar liberalizimin e vizave. Gjatë një fjalimi të mbajtur dje në një takim ku në qendër kishte luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore, ministri Meta theksoi se qeveria ka marrë masa dhe strategji për të ulur trafikimin e qenieve njerëzore. Ai theksoi, ndër të tjera, se qeveria është e vendosur të ndërtojë një partneritet të ri me shoqërinë civile dhe me të gjitha grupet e interesit në mënyrë që puna e përbashkët të përfitojë një dimension rajonal. Të pranishëm në takim ishin ambasadori amerikan John Withers, ambasadori i KE-së, Helmut Lohan dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Në këtë takim ministri i Jashtëm vlerësoi znj. Vera Lesko si Ambasadore Nderi në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Qëndrimi
Ndërsa falënderoi shoqërinë civile dhe faktorin ndërkombëtar në ndihmën e dhënë në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore, Meta u shpreh se është për t’u vlerësuar faktori që shoqëria shqiptare është ndërgjegjësuar për këtë fenomen negativ dhe se vendi ka hedhur hapa përpara. “E rëndësishme është që shoqëria jonë tanimë ka përfituar një ndërgjegje të re dhe një kulturë të re qytetare për ta luftuar këtë të keqe të përbashkët. Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm përpara në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Qeveria ka hartuar bazën e nevojshme ligjore, si dhe Strategjinë Kombëtare antitrafik. Veprimi antitrafik i qeverisë është fokusuar në 4 drejtime të mëdha: ndjekja penale e trafikantëve, mbrojtja dhe asistimi i viktimave, parandalimi dhe koordinimi. Arritjet e qeverisë shqiptare dhe të strukturave të specializuara kanë qenë të dukshme dhe të vlerësuara nga partnerët tanë. Këto rezultate pozitive janë arritur në drejtim të identifikimit dhe trajtimit të viktimave të trafikimit, si dhe minimizimit të përmasave dhe impaktit si në rrafshin social, ashtu dhe në atë human. Qeveria shqiptare ka demonstruar dhe është plotësisht e angazhuar të marrë në mbrojtje viktimat e trafikimit, të ndalojë shfrytëzimin e personave vulnerabël, si dhe të ndëshkojë me të gjithë rreptësinë e ligjit shfrytëzuesit e tyre”, - është shprehur Meta.
Vlerësimi
Në këtë takim ministri Meta vlerësoi znj. Vera Lesko për punën që ka bërë në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore. “Zonja Lesko e ka nisur aktivitetin e saj vite më parë, kur trafikimi ishte një plagë e rëndë në shoqërinë shqiptare. Vendosmëria dhe angazhimi i saj rritej çdo ditë, por akoma më tepër rritej kundërreagimi nga bota e krimit. Edhe në rastet kur u kërcënua dhe u dhunua fizikisht, ajo nuk u lëkund. E bindur për rëndësinë e angazhimit të saj, ajo sfidoi rrezikun dhe themeloi qendrën antitrafik, të quajtur “Vatra”, e cila u shndërrua në një strehë për shumë vajza dhe gra të trafikuara. Puna e znj. Lesko dhe rezultatet e saj i kanë kaluar tashmë kufijtë e Shqipërisë. Ajo është nderuar me disa çmime dhe vlerësime ndërkombëtare dhe së fundi nga sekretarja e Departamenti Amerikan i Shtetit si një nga 9 heroinat në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Vlerësimet për të mund të jenë të shumta, por unë do ta vlerësoja si ambasadoren më të mirë të Shqipërisë në luftën kundër trafikimit”, - është shprehur Meta në fjalën e tij.

Berisha: “Të merren masat për të zhdukur korrupsionin në Shëndetësi”

Kryeministri Berisha drejtoi dje mbledhjen e radhës së Task-Forcës për reformën në Shëndetësi. Në këtë takim, ku ishin të pranishëm ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili dhe drejtues të lartë të institucioneve të rëndësishme në shëndetësi, u diskutua mbi gjendjen reale të shëndetësisë në vend, mbi politikat e reja që duhen ndjekur për standardizimin e sistemit shëndetësor, që do të plotësojë të gjitha kërkesat e publikut, për një menaxhim më të mirë të këtij sistemi, për kostimin, për edukimin në vazhdim në fushën e shëndetësisë, për gjetjen e mënyrave efikase promovuese të të gjitha masave të marra që po e zhvillojnë shëndetësinë. Në fund të diskutimeve, kryeministri Berisha kërkoi hartimin e një plan-veprimi konkret, në kuadër të kësaj reforme të madhe, plan ky që, pasi të diskutohet në masën e gjerë të mjekëve, do t’i përcillet grupit ndërinstitucional.
Kryeministri Berisha theksoi edhe një herë marrjen e të gjitha masave për të zhdukur çdo shenjë të korrupsionit në sistemin shëndetësor. “Ju keni forcën profesionale e intelektuale për të vendosur standardet më të mira në sistemin shëndetësor. Duhet të gjejmë dhe të vëmë në zbatim të gjitha mënyrat, se si ta nxjerrim këtë sistem jashtë korrupsionit. Të marrim çdo lloj mase, edhe agresive. T’i rikthejmë dinjitetin këtij misioni të rëndësishëm, misionit të mjekut. Krahas përcaktimit të procedurave antikorruptive duhet të inkurajojmë dhe rritjen e rrogave në Shëndetësi”, - u është drejtuar kryeministri të pranishmëve në Task-Forcë.

5 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›