E Shtunë, 31 Tetor 2026

BIODIVERSITETI, KRIZA E HESHTUR E ZHVILLIMIT

Sa herë që flitet apo analizohen problemet e mbrojtjes së diversitetit biologjik apo akoma më gjerë, raportet e aktivitetit të njeriut me natyrën, mendimi i përgjithshëm konvergon në vlerësimin se "kjo është para së gjithash dhe ekskluzivisht punë e ekologjistëve apo dhe ambjentalistëve". Sa herë që shoqëria civile, komunitetet lokale apo grupet e ndryshme të interesit protestojnë apo kundërshtojnë qetësisht a dhunshëm zhvillime të ndryshme të natyrës së ndërtimeve, infrastrukturës, veprave industriale apo aktivitete me impakt serioz mbi natyrën, është bërë zakon që të gjithë kërkojnë të shikojnë në krye të tyre "ambjentalistët e bezdisshëm" apo "ekologjistët grindavecë", që nuk kuptojnë rëndësinë e zhvillimit ekonomik intensiv.

Në shumë raste ky debat apo këto qëndrime të kundërta vendosen në kontekstin e grindjeve të përgjithshme e të përhershme ndërmjet ekonomistëve të prirur të privilegjojnë dhe kërkojnë zhvillimin, e nga ana tjetër, ekologjistëve të orientuar plotësisht në ruajtjen e ekuilibrit dhe vlerave natyrore.

Cili ka të drejtë? Debati dhe dilema aktuale "të ruajmë biodiversitetin apo të privilegjojmë zhvillimin ekonomik" vazhdon të provokojë qëndrime, interpretime e pozicione të kundërta. Liberalët dhe neokonservatorët insistojnë se "të përpiqesh të ruash biodiversitetin thjesht se duhet mbrojtur natyra, nuk ka kuptim...është vetë zhvillimi dhe tregu ai që do ta rregullojë këtë problem". Sipas tyre, "qëndrimet ekologjiste dhe ambjentaliste po përdoren si strehë e mjaft lëvizjeve të majta e ultra të majta, për të gjetur një argument kundër kapitalizmit si sistem, por edhe për të qenë prezent në skenën ndërkombëtare, në një kohë që e majta ndodhet në krizë idesh e platformash".

Nga ana tjetër, qëndrojnë mjaft liderë botërorë, parti e korrente politike, institucione kombëtare e ndërkombëtare, grupe sociale e mjedise akademike etj, që mendojnë se "planeti ndodhet në rrezik si pasojë e veprimtarisë së njeriut dhe neglizhencës së tij ndaj natyrës e biodiversitetit...". Në fund të fundit, ai që është vënë në shënjestër aktualisht është "modeli i zhvillimit dhe shoqëria e konsumit". Por "a mund të vazhdohet kështu dhe në shekullin XXI?".

Filozofia moderne e zhvillimit po kërkon gjithnjë e më tepër një kombinim, apo më mirë, një shkrirje ndërmjet këtyre dy qëndrimeve. Koncepti dhe praktikat e "zhvillimit të qëndrueshëm", ose atij zhvillimi ekonomik e social që nuk neglizhon kapacitetet ripërtëritëse të burimeve natyrore duhet të bëhet sundues. Megjithëse në mjaft raste aksioni i ambjentalistëve përgjithësisht vlerësohet, përgjigjja dhe reagimi kryesor i politikës dhe vendimmarrjes duket se ka si komardare shpëtimi vetëm "krijimin e sa më shumë zonave apo specieve të mbrojtura" në territorin e shumë vendeve. Në treguesit statistikorë të pasqyrimit të punës së mirë të çdo vendi apo qeverie, në raport me ruajtjen e diversitetit, përqindja e territorit e shpallur "zonë e mbrojtur" është indikatori bazë i punës dhe vlerësimit. Por, megjithëse një masë e tillë është absolutisht e domosdoshme, ekspertët e zhvillimit po japin alarmin se ky instrument "është tërësisht i pamjaftueshëm dhe nuk premton zgjidhje të qëndrueshme, si në shkallë kombëtare për vende te veçanta, ashtu edhe në shkallë planetare".

Aktualisht, vetëm 10% e tokave, zonave bregdetare, maleve apo pyjeve të planetit i nënshtrohen këtij regjimi special kujdesi e mbrojtjeje. Ndërkohë, sipas parashikimeve, në vitin 2050, në tokë do të ketë mbi 9 miliardë banorë dhe nevojat për toka, bimë e specie të tjera të gjalla të të gjitha llojeve do vazhdojnë të rriten me shpejtësi. Kjo nevojë pritet të jetë akoma më e madhe e me pasoja direkte jo vetëm në vendet e BE-së, SHBA, Kanada, Australi, Japoni etj, por sidomos në vendet e varfra e ato në zhvillim, përfshirë këtu dhe vendet me zhvillim të shpejtë, si Kina, India, Nigeria, Brazili, Meksika, Turqia, Indonezia, Maroku, Korea e Jugut, Tajvani.

Edhe pse e kemi të vështirë ta kuptojmë në gjithë gjerësinë dhe thellësinë e saj, tronditja dhe shkatërrimi i "kapitalit tonë natyror" mund të bëhet shkak për përmbysjen e pariparueshme të themeleve të ekonomisë sonë nesër. Kriza aktuale ushqimore, çmimet e papërballueshme të saj, çmimi i naftës gjithnjë në rritje, tensionet e mëdha në tregjet e mjaft lëndëve të para po konsiderohen nga ekspertët si "kambanat paralajmëruese të situatave akoma më të vështira që mund të vijnë, nëse njerëzimi apo dhe njeriu si individ nuk tregohet i kujdesshëm në administrimin e burimeve planetare", qofshin këto ajri, toka, rezervat e peshqve në detra e oqeane, pyje, burime ujore, akullnaja, kafshë e bimë të llojeve të ndryshme etj. Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se shumë forma të jetës në tokë dhe në ujë, që kanë edhe interes të madh ekonomik e mjekësor për njeriun mund të zhduken para se ato të njihen apo të dihen se ekzistojnë në natyrë. Një libër i ri, mjaft i rëndësishëm, i titulluar "Sustaining Life" po konsiderohet aktualisht si punimi më i plotë në këtë drejtim. Shtypi dhe komentet e kanë konsideruar atë si "biblën e shpëtimit të natyrës".

Fakti që biodiversiteti dhe problematika e tij konsiderohen si "kriza e heshtur e zhvillimit" buron nga fakti se për të nuk ekziston akoma ndjeshmëria e duhur, si në nivel ndërkombëtar, ashtu dhe në nivele nacionale e lokale. Rezultatet e konferencës së Kombeve të Bashkuara, mbajtur në Bon të Gjermanisë në fund të majit 2008, e dëshmojnë më së miri situatën delikate të trajtimit të këtij problemi madhor. Më shumë se 5 mijë politikanë e përfaqësues shkencorë e ekspertë të mbledhur nga 191 vende të botës me shumë debate e qëndrime ekuivoke arritën më në fund të pranojnë atë që tashmë shkencëtarët kanë vite që e konsiderojnë "si një krizë po aq të rëndësishme për të ardhmen e planetit sa edhe kriza e naftës, ajo e ndryshimeve klimatike apo efektet e ngrohjes globale".

Megjithëse është akoma e vështirë të përpunohen të dhëna globale të detajuara në kohë e hapësirë për ecurinë e biodiversitetit, ekziston gjithsesi një konsensus i padiskutueshëm që afirmon se "speciet e gjalla dhe ato vegjetale po zhduken me një ritëm ndjeshëm më të shpejtë se rritmi natyror i riprodhimit të tyre". Zhurma dhe përpjekjet kryesisht mediatike për të shpëtuar ariun panda, balenat, tigrat, apo lloje të tjera kafshësh e bimësh në fakt minimizon apo nganjëherë dhe mbulon përmasat e vërteta të fenomenit të shkatërrimit të biodiversitetit të planetit, si pasojë e veprimtarisë së njeriut. Kjo është dhe fryma e re që kërkoi të përçonte konferenca e fundit e OKB-së kushtuar ekskluzivisht këtij fenomeni. Në mënyrë shumë lakonike, këtë shqetësim ndërkombëtar e përmblodhi ministri gjerman i Mjedisit, Sigmar Gabriel, i cili deklaroi: "Aktualisht ne jemi duke shkatërruar ‘hard-diskun‘ e natyrës... dhe këtë po e bëjmë me një ritëm të jashtëzakonshëm dhe pa asnjë shpresë se ky shkatërrim mund të rikuperohet ndonjëherë. Duhet të ndërgjegjësohemi dhe ta kuptojmë gjerësinë e këtij shkatërrimi, në mënyrë që të ndryshojmë drejtim e sjelljes sonë me natyrën. Në mënyrë që ta frenojmë prishjen e biodiversitetit para vitit 2010 dhe t‘i japim drejtim tjetër tendencës së sotme negative, duhet të adoptojmë masa e politika efikase në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar".

Tashmë të gjithë janë të bindur se përmasat e shkatërrimit të natyrës janë alarmante, ndërkohë që për këtë flitet akoma shumë pak. Autorë të ndryshëm, të cilët kanë krahasuar frekuencën e angazhimit dhe debateve në nivele të larta ndërkombëtare e masmedia ndërmjet "krizës financiare të 12 muajve të fundit" dhe "shkatërrimit të natyrës", kanë konkluduar se për të parën, frekuenca e angazhimit dhe debateve ka qenë 20 herë më e madhe se për të dytën, ndërkohë që pasojat për njerëzimin nga shkatërrimi i natyrës mund të jenë 20 herë më të mëdha e të pariparueshme se kriza e përkohshme financiare. Kjo është arsyeja pse problemet e ruajtjes së biodiversitetit dhe eko-sistemeve cilësohen tashmë si "kriza e heshtur". E njëjta situatë është dhe në raport me diskutimet për "efektet e ndryshimeve klimaterike" ose "ngrohjen globale". Komisari evropian për Mjedisin, Stavros Dimas, i revoltuar nga kjo gjendje shprehet: "Kur shqetësohemi për diversitetin nuk është fjala vetëm për të shpëtuar disa arinj, panda apo tigra, por është fjala për të ruajtur e mirëmbajtur kapitalin tonë natyral, nga i cili varet shoqëria njerëzore për ekzistencën e saj". Edhe K.Matsura, drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s e nënvizon me shumë forcë seriozitetin e situatës aktuale, duke u shprehur pa ekuivoke se "po jetojmë krizën e parë ekologjike globale".

Situata botërore e kërcënimit të biodiversitetit duket aq serioze sa OKB ka ngarkuar një ekonomist të shquar indian, Pavan Sukhdev, të bëjë një studim global mbi këtë çështje në të njëjtat përmasa e rëndësi sa studimi i kryer nga eksperti i mirënjohur britanik, Nicolas Stern "për efektet e ndryshimeve klimatike", konkluzionet e të cilit detyruan shumë qeveri e organizma ndërkombëtare të preokupoheshin seriozisht me këtë problem. Në këtë frymë, shqetësimi ndërkombëtar ishte dhe dhënia e çmimit Nobel, ish-zv/presidentit amerikan, Al Gore për filmin e tij të famshëm "Një e vërtetë shqetësuese".

Në konferencën e Bonit në Gjermani, P.Sukhdev paraqiti rezultatet e para të studimit të tij: Shkatërrimi biologjik do t‘i kushtonte botës 2000 miliardë euro në vit, ose 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të botës. Të mos harrojmë se të gjitha llojet e ndihmave që jepen sot në favor të vendeve të varfra apo në zhvillim përfaqësojnë më pak se 0.2% të PBB botëror. Shkaqet kryesore të rrezikut burojnë aktualisht, sipas Sukhdev, nga "urbanizimi i shpejtë dhe në mjaft raste i pakontrolluar, ndotja e ujërave, tokës dhe ajrit, industrializimi, objektivi i vetëm i të cilit në mjaft raste është thjesht fitimi financiar, përhapja artificiale ekskluzivisht për qëllime tregtare e mjaft specieve bimore e shtazore të cilësuara si "agresore", e që po eliminojnë speciet natyrore, mos marrja sa duhet në konsideratë e efekteve të ndryshimeve klimaterike etj".

Ja disa shifra që nuk kanë nevojë për shumë komente: 13 milionë ha pyje dëmtohen çdo vit për qëllime shfrytëzimi pa kriter, ndërkohë që pyjet konsiderohen si mushkëria e planetit; ndërsa gjatë shekullit të fundit popullsia e planetit u rrit katër herë, konsumi i natyrës dhe lëndëve të para u rrit 10 herë; sipas M.Wackernagel "presioni i njerëzimit mbi natyrën e kalon ndjeshëm kapacitetin e planetit për të t‘u rigjeneruar dhe absorbuar pasojat e aktivitetit tonë: Aktualisht ne po përdorim 1.2 planete, ndërkohë që fatkeqësisht nuk ekziston vetëm një i tillë"; urbanizimi pa kriter, industrializimi dhe dizertifikimi do të bëjnë që në 2050 rreth 3 miliardë njerëz të kenë probleme serioze me ujin e pijshëm etj. Kjo panoramë alarmante mbyllet me deklaratën i Perez de Cuellar, ish-sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, që i bie fort këmbanës: "Ne duhet të ndryshojmë shpejt zakonet dhe qëndrimin ndaj natyrës, ndryshe do shkojmë drejt një vetëvrasjeje kolektive". T‘i lësh gjërat të rrjedhin "natyrshëm", duke u mbrojtur nën ombrellën e tregut të lirë apo demokracisë është krejtësisht imorale, - nënvizon Al Gore, në filmin e tij "Një e vërtetë shqetësuese".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›