E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji, grate dhe politika

Aktualisht në Komisionin Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë është projektligji mbi barazinë gjinore, i cili plotëson ligjin ekzistues mbi barazinë gjinore. Risia më e madhe e këtij projektligji është përfshirja e kuotave mbi pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në politikë, duke vendosur shifrën minimale 30% (neni 20, që përcakton kuotat e grave (30%) në listat shumemërore për zgjedhjet e ardhshme). Nëse ky ligj miratohet, kjo do të ishte një nga arritjet më të mëdha të vendit tonë, për sa u përket objektivave të barazisë gjinore, në kuadër të Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit, integrimit në Bashkimin Evropian, Strategjisë për Barazi Gjinore dhe kundër dhunës në familje etj.

Akoma pa u miratuar ky ligj, kemi filluar të dëgjojmë pyetjen apo temën e diskutimit: A do të ketë cilësi ky 30% apo është vetëm sasi? Ose, ne nuk duhet të pranojmë vetëm kuota, por të kemi gra e vajza të afta dhe kompetente në Parlament, dhe jo të flasim për shifra dhe përqindje...

Po kush e bën këtë pyetje, kush e hedh këtë çështje për diskutim?

Nga njëra anë kemi ata përfaqësues të politikës në Parlament apo jashtë tij, të cilët flasin për cilësi të grave dhe vajzave që do të përfshihen në këtë 30%, mesa duket vetëm në emër të mendësisë së tyre thellësisht patriarkale e përjashtuese. Ata flasin dhe vënë në diskutim aftësitë, kapacitetet, përvojën e grave dhe vajzave që mund të përbëjnë nesër 30% të Parlamentit, në të njëjtën kohë që, nëse do bënim një analizë të përfaqësuesve të politikës deri më sot (duke ndjekur këto kritere që na u kërkuakan për gratë dhe vajzat), vetëm një përqindje shumë e vogël e tyre do t‘i plotësonin ato, ndoshta larg shifrës 30%.

Pse atëherë u dashka që për gratë dhe vajzat të diskutohet dhe të analizohen kaq shumë aftësitë e cilësitë e tyre, dhe nga ana tjetër, për burrat dhe djemtë kjo të mos kërkohet? Pse u dashka që ne të jemi kaq kritikë ndaj këtyre grave e vajzave, të cilat do të mund të jenë pjesë e Parlamentit të ardhshëm? Për këtë arsye, pyetja mbi cilësitë dhe aftësitë e grave e vajzave bëhet në këtë rast në emër të mendësisë patriarkale dhe përjashtuese të një pjese të përfaqësuesve të politikës shqiptare sot. Fatkeqësisht, pyetja mbi cilësitë dhe aftësitë e femrave që do të mund të përfshihen në vendimmarrje, shtrohet ndonjëherë jo vetëm nga burrat. Ndodh, pra, të dëgjohet edhe nga ndonjë grua shprehje të tipit: "Ne synojmë jo vetëm sasi, por edhe cilësi", shprehje që duken si një justifikim i tepruar, e që shprehin më shumë ndjenja inferioriteti, mëshire dhe aspak atë që kjo kuotë është një e drejtë që gratë dhe vajzat në Shqipëri apo kudo qoftë, e meritojnë, sepse përbëjnë gjysmën e shoqërisë, e që vazhdon të vuajë mendësinë patriarkale, mospjesëmarrjen në sferën sociale, ekonomike dhe politike të vendit, por që në të njëjtën kohë ka brenda vetes potenciale e aftësi të jashtëzakonshme.

Ligji akoma nuk është miratuar dhe ndoshta më mirë do të ishte që në këtë moment të ndaleshim vetëm te diskutimi i sasisë, dhe të mbështesnim kalimin sa më të shpejtë të tij në Parlament. Pasi të arrijmë atë, puna dhe koha do të tregojë aftësitë e atyre që do të na përfaqësojnë dhe që do të jenë pjesë e vendimmarrjes. Por, sot në vitin 2008, është një kusht i domosdoshëm që gratë dhe vajzat të mund të thonë zërin e tyre në hartimin e politikave dhe strategjive, në mënyrat e zbatimit të tyre, në hartimin e buxheteve përkatëse, të mund të punojnë për të dhënë shembujt pozitivë se sa potenciale dhe aftësi kanë ato, duke ndihmuar në zbehjen e mentalitetit përjashtues dhe patriarkal të shoqërisë dhe në luftën ndaj izolimit social të shumë grave dhe vajzave në Shqipëri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›