E Diel, 1 Nëntor 2026

Shah mat i pashmangshëm

1.

"Pranga, pranga dhe vetëm pranga!". Kjo ishte shprehja e Kryeministrit Sali Berisha, në takimin e së shtunës së kaluar, në qytetin e Elbasanit. Sipas tij, për njerëzit e korruptuar ka vetëm një fund: burgu. Më pas, ai ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për të luftuar korrupsionin. Madje, ka shkuar më larg, kur u ka bërë thirrje qytetarëve ta fillojnë këtë luftë, duke filluar me vetë Kryeministrin shqiptar, nëse ai rezulton si një prej pushtetarëve të kapur nga korrupsioni.

Pas kësaj shfaqjeje tragjikomike, për çdokënd me një inteligjencë mesatare nuk është e vështirë të kuptohet, se zoti Berisha vuan nga një shkallë e ulët depresioni, teksa e shikon duke bërtitur me zë të lartë dhe kërcënuar me duar e me këmbë armiqtë imagjinarë në Prokurorinë e Përgjithshme, Presidencë, Gjykatën e Lartë, Parlament dhe në të gjitha institucionet e tjera të pavarura ligjërisht prej tij. Sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë vuan ai nga kompleksi i fajit që ka kryer me qeveritarët e tij të korruptuar në fshatin Gërdec, ku u vranë 26 njerëz, u plagosën mbi 300 burra, gra e fëmijë dhe u shkatërruan qindra shtëpi e biznese nga shpërthimi katastrofik i mbi 3000 tonë lëndëve eksplozive atje.

Me gjithë përpjekjet e Kryeministrit dhe ndihmësve të tij për ta mbuluar një orë e më parë tragjedinë e Gërdecit, faktet vazhdojnë të mbeten sërish tepër komprometuese dhe, sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë Prokuroria e Përgjithshme, e mbështetur edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë, vazhdon presionin mbi Kuvendin e Shqipërisë, për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes dhe deputetit Fatmir Mediu. Frikë, pra, nga zbardhja e së vërtetës dhe vënie nën akuzë për krimin e ndodhur në Gërdec: kjo është autopsikoza që Kryeministri i vendit ka nisur ta shfaqë prej disa kohësh në qytete e fshatra të ndryshme të vendit. Ku përpiqet të lajë duart si Ponc Pilati pas krimit, duke e lëshuar në duart e prokurorëve dalëngadalë ish-aleatin e tij republikan, e duke menduar se kështu mund edhe të dalë krejt pafaj nga ajo histori makabre. Por…

2.

A do ta tolerojë zoti Mediu një rrëshqitje të tillë të Berishës, për ta marrë ai përsipër të gjithë fajin? A do ta tolerojë Kryeprokurorja Ina Rama fshehjen më tej të së vërtetës mbi veprën e krimit në Gërdec? Këto e të tjera pyetje, që vijnë edhe nga zyra personalitetesh të larta në vend dhe jashtë tij, janë prologu i një tërmeti, që pritet të ndodhë së shpejti, ndërsa mandati i qeverisë "Berisha" po i afrohet fundit. Dhe deri tani askush brenda së djathtës nuk do ta marrë përsipër koston politike, ekonomike dhe sociale të Gërdecit. Sepse qysh tani vihen re lëkundjet e para për t‘iu shmangur marrjes së përgjegjësive pas katastrofës nga shpërthimi. Nuk dihet pse ende republikanët nuk i kanë kërkuar Berishës marrjen e një posti ministror, ekuivalent me atë të Mediut, ndërsa vetë ai dhe partia që drejton vazhdojnë të sqarojnë në foltoren e Kuvendit e në emisione të ndryshme televizive, se nuk është ai fajtori i vërtetë dhe se dikush tjetër vazhdon t‘i çojë mesazhe në qeli Mihal Delijorgjit.

Nga ana tjetër, Nard Ndoka i demokristianëve ka nisur edhe ai presionin mbi PD-në, duke akuzuar hapur Kryeparlamentaren Topalli si inkuizitoren e institucioneve të pavarura demokratike dhe zvarritësen me qëllim të heqjes së imunitetit të ish-ministrit Mediu. PBDNJ, nga larg, ka paralajmëruar afrime me opozitën dhe një koalicion të mundshëm me të, pas zgjedhjeve të vitit 2009. Ndërsa ambientalisti Xhuveli, me gjithë raportet fiktive mbi gjendjen mjedisore në Gërdec, ka nisur qysh tani takimet me miqtë e vjetër të selisë rozë, për të braktisur edhe ai, në çastin e duhur, Kryeministrin e një qeverie në fundosje e sipër.

3.

Lind pyetja: Përse Topalli dhe një pjesë e mirë e grupit parlamentar demokrat, drejtuar me dorë të fshehtë nga Berisha, nuk duan t‘i votojnë dekretet e Presidentit Topi për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë? Thjesht pse ndonjë prej tyre i përket ish-nomenklaturës së kuqe? Apo se, në shumicë, nga 6 anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë, katër i takojnë opozitës? Dhe, po të llogariten edhe anëtarët e mbetur në dhjetëshen e deritanishme, atëherë Gjykata e Lartë, sikurse pohon dhe avokati Spartak Ngjela, nuk do të jetë më në duart e Berishës...

Grumbullimi i fakteve nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ekspertët e FBI-së, këmbëngulja e ish-ministrit të Mbrojtjes se janë të tjerë njerëz ata që urdhëruan dhe përfituan nga kontratat për trafikimin e armëve, përfshirja e ish-baxhanakut të ndjerë të Kryeministrit të vendit, por edhe e një miku shumë të afërm të një prej familjarëve të tij, do ta trondisin rëndë opinionin publik në Shqipëri. Ja pse Kryeministri rend, në mënyrë të palodhur, sa në një qytet në tjetrin, me flamurin e NATO-s në duar, për të sajuar alibinë e shpëtimit. Ja pse ai nis ditë pas dite dhe orë pas ore drejt Presidencës emisarët e tij besnikë për të bindur Presidentin e vendit të tërheqë mbrapsht listën e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, që do të shqyrtojnë, sipas ligjit, dosjen e sjellë nga Prokuroria e Përgjithshme për Gërdecin. Lëvizjet e ushtarëve dhe oficerëve po hyjnë në një lojë të vështirë shahu, ku përballë qëndron ligji me përfaqësuesit e tij. Dhe, sado i mbrojtur nga ushtarët dhe mbretëresha, Kryeministri nuk do të mund të dalë nga një shah mat i pashmangshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›