E Shtunë, 31 Tetor 2026

BIZH investon në aparatura spitalore

Autori i Lajmit: red.
Banka Islamike për Zhvillim (BIZH) do të vazhdojë të investojë në shëndetësinë shqiptare, veçanërisht në ndërtimin e godinave të spitaleve dhe sigurimin e pajisjeve të nevojshme mjekësore. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, mori dje mbështetjen për këto investime, gjatë një takimi me përfaqësues të Misionit të Bankës Islamike për Zhvillim në Shqipëri. "Në këtë takim u diskutua mbi programim e projektpropozimeve për tre vitet e ardhshme 2010-1013, për investime në fushën e shëndetësisë", bëri të ditur zyra e shtypit e MSH. Gjatë takimit, ministrja e Shëndetësisë parashtroi projekte të rëndësishme investimi, si ai për rindërtimin e spitalit të Fierit. Ndërsa, në sistemin shëndetësor parësor, si një nga prioritetet e investimeve të Misionit të BIZH, ministrja Godo paraqiti projektet për ndërtimin e qendrave të reja shëndetësore në disa zona rurale të vendit. Ndërkohë, investimi në aparatura mjekësore dhe laboratorike në të gjitha spitalet rajonale mbetet prioritet i MSH në bashkëpunimin me Misionin e BIZH. "Gjatë takimit, ministrja Godo, falënderoi Misionin për ndihmën e vazhdueshme ndaj sistemit tonë shëndetësor, ndërsa shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm dypalësh",- thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit pranë MSH. Banka Islamike për Zhvillim është një nga donatorët më të mëdhenj në fushën spitalore në vendin tonë. Sipas të dhënave nga MSH, ky Mision ka investuar në projekte të rëndësishme, si faza e parë e Spitalit të Përgjithshëm të Durrësit, financuar me 5 milionë USD, faza e dytë e Spitalit të Përgjithshëm të Durrësit, me 7 milionë USD, si dhe Spitali i Përgjithshëm i Kavajës, me afërsisht 6 milionë USD.

Ky lajm është publikuar: 18/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›