E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët shpallin "të pavlefshme" pavarësinë

Autori i Lajmit: red.
I ashtuquajturi Kuvend i Komunave Serbe miratoi dje një deklaratë, me të cilën pavarësia e Kosovës shpallet e "pavlefshme". Në kuvend qenë të pranishëm edhe deputetë të Kuvendit të Serbisë dhe disa ministra të Qeverisë serbe. Ndërsa njëvjetori i pavarësisë u festua në forma të ndryshme në Kosovë, në veriun e banuar me shumicë serbe, i ashtuquajturi Kuvend i Komunave Serbe, përmes një deklarate ka shpallur të pavlefshme dhe jolegale pavarësinë e Kosovës dhe të gjitha institucionet e dala pas saj.
Në këtë kuvend që u mbajt në Zveçan, pjesëmarrës kanë qenë edhe deputetë të Kuvendit dhe ministra të Qeverisë serbe, ardhjen e të cilëve e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Kryetari i Kuvendit të Komunave Serbe, Radovan Niçiç, ka lexuar deklaratën, në të cilën, përveç të tjerash, garantohet, siç thuhet, sovraniteti dhe integriteti territorial i shtetit serb. Deklarata vë në pah se mbështet Rezolutën 1244, sipas së cilës, Kosova mbetet pjesë e Serbisë. "Miratojmë deklaratën e konfirmimit të statusit kushtetues të Kosovës në Serbi dhe hedhjes poshtë të të gjitha akteve te njëanshme dhe separatiste të institucioneve të përkohshme në Prishtinë mbi pavarësinë e krahinës", - ka lexuar pjesë të deklaratës Radovan Niçiq.
Deklarata nuk njeh as Kushtetutën e Kosovës, të fuqizuar në qershor të vitit të kaluar, ndërsa i bëhet thirrje Qeverisë serbe që të padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë shtetet që njohën pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, kërkohet që Qeveria serbe të komunikojë në Kosovë vetëm me UNMIK-un dhe KFOR-in, si dy misione që parashihen me Rezolutën 1244.
Në Zveçan, sot ishte edhe ministri për Kosovën i Qeverisë serbe, Goran Bogdanoviç. "Ky është rast që të prezantohet uniteti i komunitetit serb, sepse vetëm me një unitet të tillë mund t i përballojmë problemet, me të cilat serbët dhe joshqiptarët e tjerë ballafaqohen sot. Në kuptimin politik, kjo deklaratë ka domethënie dhe u dërgon mesazhe të qarta serbëve në Kosovë, komunitetit ndërkombëtar dhe shqiptarëve, që Serbia dhe populli serb nuk dëshirojnë shkëputjen e një pjese të territorit të saj", - tha Goran Bogdanoviç.
Ndryshe, situata e sigurisë në veriun e Mitrovicës ka qenë e qetë dhe, sipas autoriteteve të rendit, nuk ka indikacione për përkeqësim të saj. Policia e Kosovës, sikurse edhe ajo e EULEX-it, ka shtuar praninë në lagjet e përziera etnikisht, në mënyrë që të evitohen provokimet e mundshme me rastin e festimeve për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se ardhja e deputetëve dhe e ministrave nga Serbia nuk ka ndikuar në gjendjen e sigurisë. "Ardhja e zyrtarëve nga Serbia, sigurisht që nuk është çështje policore, më shumë është një manovrim politik, por është me rëndësi që prania e tyre këtu nuk ka paraqitur përshkallëzim të situatës apo tensionim. Është me rëndësi të theksohet se edhe pjesa e manifestimit publik këtu në jug të Mitrovicës, po shkon në rregull, situata e përgjithshme e sigurisë është e qetë dhe nën kontroll", - tha Hoti.
Ndërkohë, Komisioni Parlamentar për Kosovën i Kuvendit të Serbisë po mban një takim në Zveçan, përmes të cilit thuhet se do të dëshmohet lufta që po bën Serbia për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial.

Ky lajm është publikuar: 18/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›