E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Policët e lagjeve”, kriteret për kursin

Autori i Lajmit: red.
Kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”, mund të aplikojnë pranë të gjitha drejtorive të Policisë në qarqe. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se aplikantët mund të dorëzojnë dokumentet në çdo kohë. Ndërsa formulari i aplikimit tërhiqet pranë policisë në çdo qark. Për t u bërë pjesë e kurseve gjashtëmujore, kandidatët do t i nënshtrohen një testimi me shkrim, i cili më pas korrigjohet me skaner.
Aplikimet
Policia e Shtetit publikon kriteret e aplikimit për Patrullat e Përgjithshme dhe kriteret që duhet të plotësojë çdo kandidat. Kështu, aplikimi do të jetë i hapur për të gjithë të interesuarit gjatë gjithë vitit dhe formularët e aplikimit mund të tërhiqen pranë strukturave të personelit të çdo drejtorie policie në qark. Ndërkohë Drejtoria e Personelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me drejtoritë e policisë në qarqe, do të bëjnë njoftimin e aplikantëve për datën dhe orën kur do të zhvillohet testimi me shkrim. Burimet nga policia bënë të ditur se për të krijuar lehtësira për aplikantët, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në bashkëpunim me universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe universitetin “Kristal” në Fier, ka bërë të mundur që testimi me shkrim për aplikantët të zhvillohet në katër qendra ku janë përcaktuar dhe rrethet që përfshihen në aplikim.
Strukturat e personelit pranë drejtorive të policisë në qarqe do t u japin të gjithë aplikantëve informacionin e nevojshëm për procesin e testimit, si: shembuj pyetjesh, udhëzimet e testimit me shkrim, si dhe sqarime mbi mënyrën e plotësimit të fletës së skantronit.
Korrigjimi
Korrigjimi i testimit do të bëhet me skaner dhe kandidatët do të njihen brenda ditës me rezultatin e testimit me shkrim. Policia e Shtetit bën të ditur se të gjithë aplikantët, për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces, mund të drejtohen pranë zyrave të Personelit në drejtoritë e policisë në qarqe ose pranë Sektorit të Pranimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Po ashtu, mund t i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre dhe me e-mail në adresën shkollaepolicise@mrp.gov.al.
Çdo material i nevojshëm për procesin e aplikimit, si dhe për fazat e përzgjedhjes së kandidatëve do të publikohet dhe në faqen e internetit të Policisë së Shtetit ëëë.asp.gov.al. Policia e Shtetit, përmes këtij procesi që është ndërtuar, bazuar në metodat më të mira perëndimore, synon përzgjedhjen e kandidatëve sa më cilësorë për të shërbyer si punonjës policie. Është objektiv parësor i Policisë së Shtetit të përzgjedhë vetëm kandidatët e kualifikuar si më të mirët, përcaktuar nga një proces i drejtë, transparent dhe i plotë përzgjedhjeje, në mënyrë që të përmbushë me sukses misionin e saj dhe të sigurojë një shërbim cilësor për qytetarët.

Qarqet
- Për qarqet Tiranë, Durrës dhe Dibër testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e Akademisë së Policisë “Arben Zylyftari”, Tiranë.
- Për qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.
- Për qarqet Elbasan dhe Korçë testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.
- Për qarqet Fier, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e universitetit “Kristal , Fier.

Kriteret për “Patrullë të Përgjithshme”
- Të jetë shtetas i Republikës së Shqipërisë.
- Të ketë zotësi për të vepruar.
- Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.
- Të ketë mbaruar shkollën e mesme.
- Të japë informacionin e kërkuar në lidhje me punën e tij të mëparshme ose ndonjë çështje tjetër që lidhet me pranimin e tij në shërbimin policor.
- Të mos jetë i dënuar penalisht me vendim të formës së prerë.
- Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B.

Ky lajm është publikuar: 19/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›