BKTF: Qeveria ka dështuar në luftën kundër trafikimit
Raporti, 19 organizata lokale dhe ndërkombëtare dush të ftohtë qeverisë Berisha. Planet e Veprimit janë vetëm demagogji
Personat e trafikuar kanë frikë të denoncojnë. Policia e përfshirë në trafikim, fsheh provat dhe ndihmon trafikantët
Trafikimi i qenieve njerëzore mbetet ende në shifra të larta, ndërsa raportimet nga Policia e Shtetit mbi shifrat e trafikut vazhdojnë të mos tregojnë realitetin. Koalicioni shqiptar Bashkë Kundër Trafikut të Fëmijëve (BKTF) i ka dhënë dush të ftohtë qeverisë Berisha duke e cilësuar atë të paaftë të vërë në funksionim ligjet që miraton. Në bankën e të akuzuarve, BKTF, ka vendosur Policinë e Shtetit, e cila në Raportin e Analizës së Situatës së Trafikimit të Fëmijëve në Shqipëri për vitet 2005-2007 rezulton të jetë e përshirë në trafik. Në vitin 2007, Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Brendshme kanë raportuar shpartallimin e dy grupeve kriminale me aktivitet trafikimin e qenieve njerëzore, ku pas hetimeve të mëtejshme është vërtetuar se në këto grupe janë përshirë jo pak por 19 punonjës të policisë. Në prani të kryeministrit Berisha dhe ambasadorit amerikan John Withers,BKTF, e cilësoi konstatimin e përfshirjes së Policisë së Shtetit në trafikun e qenive njerëzore si tejet shqetësues dhe pengues në luftën e mëtejshme për t’i thënë ndal këtij fenomeni. Vetë fakti se gjatë kësaj kohe në bankën e të akuzuarve, megjithë numrin e lartë të implikuarve, janë ulur shumë pak uniforma blu të përfshira në trafik, vë në pikëpyetje sipas raportit hetimet e ndërmarra nga Policia e Shtetit. Për këtë arsye BKTF, i ka kërkuar qeverisë luftë të ashpër për të minimizuar mundësinë e përfshirjes së punonjësve të policisë dhe punonjësve të tjerë publikë në aktivitete të paligjshme, sidomos në ato aktivitete që kanë pasoja negative për fëmijët dhe të rriturit vulnerabël
Një tjetër aspekt ku ndalet raporti është edhe Plani i Veprimit kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore. Bashkë Kundër Trafikimit të Fëmijëve vë re me shqetësim se, megjithëse lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore është pjesë e axhendës qeveritare, implementimi i Planit të Veprimit nuk është i kënaqshëm. Në strategjinë e Planit të Veprimit për vitet 2005-2007 hetimit dhe ndjekjes penale të trafikantëve të fëmijëve, thuhet se i është kushtuar mjaft vëmendje, megjithatë shumica e aktiviteteve të radhitura në këtë plan nuk janë realizuar ende. E njëjta gjë ndodh edhe me legjislacionin i cili është përmirësuar, por fakt është që faza e implementimitnuk është përfunduar aspak, pavarësisht nga disa përpjekje konkrete për të ndjekur penalisht trafikantët. BKTF evidenton me jo pak keqardhje se ligji për mbrotjen e dëshmitarëve pothuajse nuk funksionon. “Që prej prillit 2005 kur ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve erdhi në fuqi, Prokuroria arriti të bindë vetëm një person (M.B 2008), që të denoncojë trafikantët. Kjo tregon se pavarësisht ligjit, institucionet shtetërore nuk kanë qenë në gjendje të fitojnë besimin e viktimave të supozuara të trafikimit në mënyrë që ato t’i denoncojnë trafikantët e tyre. Mungesa e besimit vjen për vetë faktin se në shumë situata, punonjësit e prokurorisë dhe të policisë janë të përfshirë ose i ndihmojnë trafikantët,” thuhet në raport. Një shkak tjetër për moskallëzimin e krimit është edhe trajtimi si kriminelë dhe jo si viktima të trafikimit, të fëmijëve të trafikuar brenda vendit, në rastin kur janë kapur duke kryer krime të ndryshme.
Arsimi i detyruar, dështimi i radhës i qeverisë Berisha
Qeveria ka dështuar edhe në një sërë planesh të tjera veprimi, duke u treguar plotësisht e paaftë për t’i çuar ato më tej. BKTF, numëron në raport disa plane veprimi të cilat duhet të kishin rol parësor në luftën kundër trafikimit të fëmijëve. Rritja e ndërgjegjësimit për arsimin e detyruar dhe forcimin e masave ndërshkuese për prindërit që nuk mundësojnë dërgimin e fëmijëve në shkollë, është një nga objektivat e shumtë të parealizuar. Numri i lartë i fëmijëve që lypin apo shesin si ambulantë në rrugë, tregon se qeveria nuk është e aftë të vendosë në veprim planet që ofron. I paaftë konsiderohet në këtë mes edhe roli i Inspektoriatit të Shtetëror të Punës, i cili ndryshe nga ç’shkruhet në letra nuk ushtron kontroll sistematik mbi punën e zezë të fëmijëve në përgjithësi dhe të fëmijëve romë në veçanti, duke ulur kësisoj nivelin e masave të nevojshme për parandalimin e rrezikut të trafikut.
DeklarataBerisha pranon raportin, jemi mbrapa në luftën kër trafikimitNë përfundim të raportit, Bashkë Kundër Trafikimit të Fëmijëve arrin në konkluzionin se qeveria duhet të bëjë më shumë për të luftuar fenomenin e trafikimit të fëmijëve. Ky raport nënvizon mospërputhjen midis shifrave të viktimave të deklaruara nga policia dhe ato të deklaruara nga shoqëria civile dhe paaftësinë e autoriteteve kombëtare për të identifikuar viktimat e trafikimit dhe mbrojtur ato. BKTF ka përgatitur një sërë rekomandimesh për themelimin e mekanizmave gjithëpërfshirës dhe operacionalë për të parandaluar trafikimin dhe forma të tjera të abuzimit të fëmijëve. Ky raport vë në dukje se qeveria ka dështuar në identifikimin e viktimave dhe mbrojtjen e tyre. Raporti paraqet rezultatet dhe vështirësitë e hasura nga aktorët gjatë ndërhyrjeve për mbrojtjen e fëmijëve dhe gjatë parandalimit të fenomenit. Faktin e mospërputhjes së shifrave dhe mekanizmave të dobët të mbrojtjes ndaj fëmijëve e pranoi edhe kryeministri Sali Berisha, i pranishëm në prezantimin e raportit të përgatitur nga koalicioni shqiptar Bashkë Kundër Trafikimit të Fëmijëve. “Realiteti i trafikimit të fëmijëve ne Shqipëri shkon përtej shifrave të deklaruara. Një dorë e shtrirë në rrugë është një gisht i treguar ndaj qeverisë”, pohoi kryeministri Berisha. Ai kërkoi nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve dhe nevojën për të pasur njësi të mbrojtjes së fëmijëve në çdo qytet të vendit. Mbështetje të fortë në luftën kundër trafikimit të fëmijëve premtoi edhe ambasadori amerikan në Shqipëri, John Withers, i cili e cilësoi raportin si realist.
BKTF është një koalicion prej 19 organizatash lokale dhe ndërkombëtare të cilat operojnë në Shqipëri në luftën kundër trafikimit të fëmijëve. Anëtarët e BKTF iu ofrojnë asistencë ligjore, psikologjike, dhe shoqërorë viktimave të trafikut duke i kombinuar me aktivitete parandaluese dhe ndërgjegjësuese.