E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha emëron Duron, KLSH e akuzoi për abuzim tenderësh

Anastas Duro dekretohet edhe nga Topi në postin e Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Duro ishte një ndër kandidatët për Gjykatën e Lartë.

TIRANË- Plot tre vite më parë, thuajse në të njëjtën kohë, në një nga mbledhjet e para të qeverisë, kryeministri Sali Berisha vendosi lirimin nga detyra të disa zv-ministrave të qeverisë “Nano”. Një ndër ta ishte edhe zv-ministri i Drejtësisë, Anastas Duro. Megjithatë, me kërkesë të PBDNJ-së, Kryeministri Sali Berisha vendosi të firmosë sërish për të njëjtin zyrtar, si pasardhësi i Kosta Barkës në Postin e Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Kryeministri Sali Berisha ka pranuar kandidaturën e dyte pas Andrea Martos të propozuar nga zyrtarët e lartë të PBDNJ-së. Shumëkush mendoi se refuzimi për kandidaturën e Martos erdhi pikërisht pas shkarkimit të këtij të fundit nga Kosta Barka në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Por arsyet duhen gjetur gjetkë. Kjo, sepse Kryeministrin Sali Berisha nuk e ka penguar aspak fakti që të firmosë për kandidatin tjetër të propozuar nga PBDNJ, Anastas Duro, i cili ka qenë i akuzuar nga KLSH për abuzim me tenderët. Kohë më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit dërgoi në prokurori ish-zëvendësministrin e Drejtësisë, Anastas Duro, me akuzën se kishte abuzuar në disa tenderë, por që çështja u mbyll ende pa u hapur mirë. Anastas Duro me profesion avokat, ka punuar prej tetëmbëdhjetë vitesh në Prokurorinë e Rretheve Gjirokastër dhe Mat. Më pas në vitin 2004 emërohet në postin e zv-ministrit të Drejtësisë, dhe lirohet një vit më pas, me firmë të kryeministrit Sali Berisha.

Dekreti

Emri i Anastas Duros nuk ka qenë i panjohur edhe për Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Anastas Duro ishte një ndër 100 kandidatët që depozituan pak kohë më parë kërkesën pranë kreut të shtetit, për të qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. Megjithatë, ai nuk u përfshi në listën përfundimtare të 6 kandidaturave që iu dërguan Kuvendit për miratim. Por dje, ai është dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. “Anastas Duro, emërohet Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”,- thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës.

Konflikti në PBDNJ

Më 22 shtator të këtij viti, kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule takoi kryeministrin Sali Berisha dhe i paraqiti propozimin për shkarkimin e Kosta Barkës duke i propozuar një tjetër emër, pikërisht atë të Andrea Martos. Por heshtja disa ditore e kryeministrit i cili në rrugë zyrtare kishte garantuar vetëm shkarkimin e Barkës, por jo emërimin e Andrea Martos, la të kuptohej qartë se këtë të fundit, kreu i ekzekutivit pak do ta marrte në konsideratë. Për këtë arsye, pak ditë më parë, drejtuesit e PBDNJ-së, Spiro Peçi dhe Vangjel Dule krahas emrit të Martos depozituan edhe një emër të dytë atë të Anastas Duros, por që me fanatizëm ata e ruajtën emrin duke mos pranuar ta bëjnë publike, (deri dje kur u dekretua) ndoshta edhe për përfoljen e këtij të fundit në abuzime tenderësh.

Berisha: Marëdhëniet me Topin? Tentoi të bllokojë gjyqtarëtTIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka pranuar për herë të parë publikisht përpjekjet e një grupi të caktuar deputetësh brenda partisë së tij për të bllokuar zgjedhjen e kandidaturave për gjyqëtarë në Gjykatën e Lartë gjatë muajit qershor. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në emisionin ”Opinion” kreu i qeverisë ka komentuar punën e qeverisë së tij, si dhe ka folur për zhvillimet politike në vend, ku natyrisht nuk i është shmangur as marrëdhënieve me presidentin aktual Bamir Topi. I pyetur nga gazetarët në lidhje me marrëdhëniet e tij me kreun e shtetit, kryeministri megjithëse i ka konsideruar ato korekte, por nuk ka nguruar të flasë me këtë rast edhe për një përpjekje të një grupi deputetësh për të krijuar një minorancë bllokuese brenda mazhorancës, minorancë që siç ka lënë të kuptohet mbështetej nga Topi. ”Unë kam marrëdhënie korrekte me presidentin Topi. Nuk injoroj fare faktin që ka patur një qëndrim në rastin e zgjedhjes së gjykatësve. Tendenda për të krijuar një minorancë bllokuese në maxhorancë, mori përgjigje të miratuar”, - tha Berisha. Kryeministri ka folur edhe për zhvillimet brenda kampit blu, dhe pikërisht për çështjen e kandidimit të ish-ministrit të jashtëm Besnik Mustafaj për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës, për të cilin nuk ka pranuar të deklarojë mbështetjen. Gjithashtu ai ka mohuar që të ketë një marrëveshje të fshehtë me kryetarin e opozitës Edi Rama. Duke u ndalur pikërisht tek kjo çështje ai ka hedhur poshtë, si të pavërtetë çdo akuzë për një marrëveshje të fshehtë midis tij dhe kryetarit të opozitës Edi Rama. ”Në mënyrë konstante në 15 vite kur kam qenë në opozitë edhe kur isha në pushtet në momente të caktuara ka pasur marrëveshje. Gjithmonë është bërë fjalë marrëveshja e fshehtë Nano- Berisha, apo tani, por ato janë irreale. Ekziston një përpjekje për reformat. Është kryetari i PS, kryetar i opozitës dhe në reformat kryesore, s’mund të bëj reformë zgjedhore pa të dhe ai e di që s’bëhet pa mua”, - tha Berisha. Berisha nuk i është shmangur dot as interesit të pranishmëve për çështjen e pronave dhe legalizimeve. Përsa i përket çështjes së fundit ai ka theksuar se shumë shpejt qeveria do të miratoj vendimet për kompensimin e të gjithë pronarëve në tokat e të cilëve janë ndërtuar pa leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›