Reshjet, përmbyten rrugët në Durrës
Durrës- Reshjet e shiut që kanë rënë përgjatë natës dhe mëngjesin e sotëm kanë shkaktuar probleme në qytetin e Durrësit. Jo vetëm periferia, por edhe kryqëzimet kryesore të qytetit janë gdhirë të përmbytura, ndërkohë që kalimtarët dhe automjetet e kanë pasur shumë të vështirë qarkullimin.
Sipas burimeve nga ky qytet shumë problematike ka qenë situata në hyrje të qytetit bregdetar, pranë stacionit hekurudhor, në shëtitoren 'Taulantia' dhe në lagjet periferike të qytetit.
Shkak për përmbytjen në këto rrugë është sistemi i amortizuar i kanalizimeve. Në gjendjen në të cilën janë kanalizimet nuk kanë mundur të përballojnë sasinë e madhe të ujërave sipërfaqësore të krijuara nga reshjet e dendura.