FMN: Shqetësimet tona për revolucionin fiskal
“Ka një limit se sa përmirësime mund të vijnë në të ardhurat nga taksat nëpërmjet reduktimit të informalitetit nga ulja e nivelit të taksave. Dhe ka akoma nevoja të mëdha për shpenzime në Shqipëri, sidomos në arsim, shëndetësi dhe në investime për infrastrukturën”.
Intervista/ Tre vitet e misionit në Shqipëri, flet znj. Ann-Margret Westin, Përfaqësuese e Përhershme e FMN-së në Tiranë
Zonja Westin, FMN-ja do ta mbarojë misionin në Shqipëri pas disa muajsh. Ju keni pak vite në Tiranë, por si e përkufizoni historikun e marrëdhënieve 16-vjeçare me qeveritë shqiptare? Pas tre vitesh në pushtet të qeverisë së z.Berisha, si do ta cilësonit zhvillim makroekonomik të Shqipërisë?
Pas 16 vjet programesh me FMN-në dhe akoma më shumë vite në tranzicion, stabiliteti makroekonomik është tashmë i rrënjosur thellë. Rritja ka qenë e qëndrueshme dhe e lartë, dhe të ardhurat për frymë janë më shumë se dyfishuar në dekadën e fundit dhe inflacioni është mbajtur nën kontroll, ç’ka reflekton politika të matura fiskale dhe monetare. Kjo është një arritje e autoriteteve shqiptare, e qeverisë aktuale dhe e qeverive të mëparshme dhe ne jemi të lumtur që kemi qenë partnerë në këtë tranzicion të suksesshëm. Stabiliteti makroekonomik është ruajtur edhe nën qeverisjen aktuale: borxhi publik ka vazhduar të bjerë nga 58% e PBB-së në nivelin e parashikuar 52% këtë vit; dhe inflacioni ka qenë brenda intervalit objektiv të Bankës së Shqipërisë prej 2-4%, pavarësisht goditjeve të jashtme në çmimet e ushqimeve dhe të karburantit.
Sa nevojë ka asistimi i qeverisë shqiptare, përtej afatit të vënë si kohë e mbarimit të misionit? Teknikisht çfarë nënkupton mbarimi i misionit të FMN-së në Shqipëri dhe dhënia fund e “recetave” ekonomike për qeverinë shqiptare?
Ka arsye të ndryshme pse vendet zgjedhin të kenë një program me FMN-në. Së pari është aksesi në financime nga FMN-ja. Por, përveç financimeve, shumë vende kanë zgjedhur të kenë program me FMN-në për të mbajtur një dialog të ngushtë për politikat makroekonomike dhe për t’i dhënë një sinjal pjesës tjetër të botës që politikat janë në rrugën e duhur. Ky efekt sinjalizues mund të jetë veçanërisht i rëndësishëm kur statistikat zyrtare ende nuk janë të standardeve ndërkombëtare. T’iu sinjalizosh vëzhguesve dhe investitorëve të huaj se politikat janë në rrugën e duhur mund të jetë edhe më e rëndësishme në një vit elektoral. Pavarësisht nëse Shqipëria ka apo jo një program me FMN-në, politikat e matura makroekonomike dhe strukturore do të duhet të ruhen për të hedhur themelet për reduktim të vazhdueshëm të varfërisë dhe për rritje ekonomike të lartë dhe të qëndrueshme. Prandaj prej disa kohësh FMN-ja i ka këshilluar autoritetet të angazhohen në një rregull fiskal të qartë e të besueshëm për të ankoruar politikat, si p.sh., një limit për nivelin e shpenzimeve apo deficitit, apo një tavan për borxhin. Kjo do të bëhet edhe me e rëndësishme pasi Shqipëria kërkon të hyjë në tregjet financiare ndërkombëtare. Pavarësisht nëse ka apo jo një program me FMN-në, një vend anëtar, ka përsëri askes në asistencën tonë teknike dhe ne përsëri do të ndërmarrim konsultimet e Artikullit IV, ç’ka ne e bëjmë me të gjitha vendet anëtare. Gjatë këtyre konsultimeve, të cilat ndërmerren një herë në vit ose një herë në dy vjet, në bëjmë një analizë të përgjithshme të ekonomisë, disa herë duke u fokusuar në disa sektorë kyç dhe japim rekomandimet tona.
Sa e hapur dhe bashkëpunuese ka qenë qeveria shqiptare me FMN-në gjatë misionit tuaj?
Marrëdhënia dhe bashkëpunimi me qeverinë shqiptare gjatë këtij programi, i cili koincidon edhe me kohën e qëndrimit tim këtu dhe me mandatin e qeverisë aktuale, ka qenë dhe mbetet i shkëlqyer. Ne kemi një dialog të hapur dhe produktiv, ku ndonjëherë nuk biem dakord, por kur pothuaj gjithmonë në fund kemi qenë në gjendje të gjejmë zgjidhje të mira për të gjitha shqetësimet e ngritura.
FMN-ja i bëri disa rekomandime qeverisë “Berisha”, si bie fjala për aplikimin e taksës së sheshtë, hartimin e buxheteve shtesë, rritjen e pakontrolluar të pagave dhe pensioneve, ruajtja e normës së ulët të inflacionit apo marrjen e kredive tregtare për të financuar projekte infrastrukturore. Ato nuk i morën parasysh. Çfarë ndikimesh në ekonomi kanë pasur këto vendime të njëanshme të qeverisë shqiptare?
Nuk është e saktë të thuhet se rekomandimet tona nuk janë marrë në konsideratë. Në të ashtuquajturën “taksë e sheshtë”, shqetësimi ynë kryesor ka qenë se uljet e propozuara në taksa duhet të financoheshin në fillim: pra ne nuk e pranuam apriori pohimin se të ardhurat nga taksat do të ishin më të larta si rezultat i uljes së normës së taksave, por kërkuam masa kompensuese për të ardhurat. Në këtë fushë ne arritëm një marrëveshje. Përsa i përket politikave buxhetore, ato gjëra për të cilat ne biem dakord janë masa totale e të ardhurave dhe madhësia e deficitit, pra rrjedhimisht edhe sasia e shpenzimeve totale. Brenda totalit të shpenzimeve ne përqendrohemi në shpenzimet prioritare, si arsimi, shëndetësia dhe investimet. Ne gjithashtu përqendrohemi në pagat dhe pensionet, duke parë ndikimin e tyre direkt në konsumin familjar dhe ne kemi arritur marrëveshje në këtë kontekst për buxhetin suplementar të verës së shkuar. Për inflacionin, kjo është detyrë e Bankës së Shqipërisë, e cila po bën një punë shumë të mirë në mbajtjen e inflacionit në nivelin e synuar prej 2-4%. Dhe së fundmi, përsa i përket huamarrjes tregtare, ne kemi një tavan të qartë në program për huamarrjen e huaj me terma tregtarë (përveç tavanit për huamarrjen e brendshme). Në fund fare, për ta përmbledhur, programi përqendrohet në treguesit kryesorë, si ato të përmendur më lart. Përpara se të arrijmë marrëveshje mund të ketë mjaft diskutime. Gjithsesi, deri tani ne ia kemi dalë për të rënë dakord për gjërat kryesore dhe të gjitha rishikimet e programit aktual deri më tani janë bërë në kohë. Në të njëjtën kohë, mund të ketë gjëra të tjera më pak të rëndësishme për të cilat ne nuk biem dakord dhe në fund “ne biem dakord që të mos jemi dakord”.
Mëse dy vite më parë ju patët shumë vërejtje për të ashtuquajturin “revolucion fiskal” të prezantuar nga qeveria shqiptare. A ndodhi realisht ky dhe çfarë ndikimesh pati në ekonomi?
Shqetësimi ynë kryesor me futjen e të ashtuquajturave “taksa të sheshta” për tatimin mbi të ardhurat personale dhe për tatim fitimin e korporatave ishin të dyfishta: (1) që kosto e vlerësuar në buxhet të financohej paraprakisht (ne nuk pranuam që të përfshinim në buxhet të ardhurat e përmirësuara që mund të rridhnin nga reduktimi i sektorit informal, por ramë dakord që nëse këto të ardhura vërtet materializoheshin të shpenzoheshin në një buxhet suplementar) dhe (2) që politika e taksave të sheshta të mos kthehej në ilaçin magjik në kurriz të reformave të tjera po aq të rëndësishme. Në të dyja këto fusha shqetësimet tona u morën parasysh. Në fakt, paraqitja e një sistemi më të thjeshtë taksash me norma më të ulëta dhe me bazë më të gjerë ka funksionuar mirë në Shqipëri; një vend që ka një administratë tatimore ende të dobët dhe një ekonomi informale të lartë. Është më e thjeshtë të administrosh një sistem të thjeshtë taksash, i cili gjithashtu krijon më pak mundësi për abuzivizëm, pra dhe për korrupsion. Në të njëjtën kohë, në nivelin aktual të ulët të tatim-fitimit prej 10%, është më e leverdishme për bizneset të paguajnë detyrimet e tyre tatimore, dhe të jenë pjesë e ekonomisë formale që i lejon ata të marrin pjesë dhe në zinxhirin e kreditimit të TVSH-së, sesa të vazhdojnë të fshihen në sektorin informal.
Së fundmi, duhet theksuar se kjo nuk do të thotë që synimi duhet të jetë norma taksash gjithnjë e më të ulëta. Gjëja e fundit që ju duhet është një garë për të kapur fundin, kur vendet në rajon konkurrojnë për investime të huaja me nivele gjithnjë e më të ulëta taksash. Tek e fundit ka një limit se sa përmirësime mund të vijnë në të ardhurat nga taksat nëpërmjet reduktimit të informalitetit nga ulja e nivelit të taksave. Dhe ka akoma nevoja të mëdha për shpenzime në Shqipëri, sidomos në arsim, shëndetësi dhe në investime për infrastrukturën.
Shefi i misionit, Gerwin Bell, do të vijë sërish në nëntor në Tiranë, por vizita e tij e fundit pak ditë më parë, nuk ishte dhe aq e qetë, sepse ai pati shumë vërejtje për deficitin e lartë buxhetor apo uljen e normës së kontributeve shoqërore. Ku bazohet oponenca e FMN-së?
Ne nuk jemi në favor të propozimit për të ulur normat e kontributeve të sigurimeve shoqërore në këtë fazë, pasi çdo reformë në këtë fushë duhet ndërmarrë në kontekstin e një reforme të përgjithshme pensionesh, për të cilën autoritetet po punojnë prej disa kohësh së bashku me donatorët. Ndryshe nga ekonomitë e tjera europiane, që i kanë konsideruar reforma të tilla thelbësore, por tepër të vështira, demografia e favorshme e Shqipërisë e bën këtë lloj reforme një mundësi reale. Duhet të ketë një lidhje më të mirë midis kontributeve dhe përfitimeve, por kjo do të kushtojë para në afatin e shkurtër, prandaj hapësira e nevojshme fiskale nuk duhet çuar dëm tani me uljen e kontributeve. Në një sistem të tillë në të ardhmen, kontributet e sigurimeve shoqërore do të shikoheshin si kursime dhe jo si taksa, ç’ka do të jepte shtysa për zbatim vullnetar dhe për reduktimin e varfërisë, përveç përmirësimit të qëndrueshmërisë fiskale. Vendosja e një sistemi pensionesh do të ishte gjithashtu shumë e rëndësishme për zhvillimin e tregjeve të kapitaleve.
FMN-ja nën drejtimin tuaj asistoi bërjen e buxheteve të tre viteve të fundit dhe do të japë këshillat e saj edhe për buxhetin e shtetit të vitit 2009. Ekonomistë dhe financierë të njohur në vend janë shprehur të shqetësuar për hartimin e këtij buxheti, që bëhet pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, duke e cilësuar atë si elektoral. Cilat do të ishin këshillat kryesore të FMN-së në hartimin e këtij projekt-buxheti dhe objektivat kryesore që duhet të ketë ai?
Për të ruajtur stabilitetin makroekonomik ne po e këshillojmë qeverinë që të mos shtojë një stimul fiskal në ekonomi vitin e ardhshëm duke marrë në konsideratë si shqetësimet e brendshme, si p.sh., deficiti i lartë i llogarisë korrente dhe rritja akoma e shpejtë e kreditimit, gjithashtu edhe shqetësimet e mjedisit të jashtëm, që rrjedhin nga tregjet e trazuara financiare globale. Duke marrë parasysh sa më sipër dhe zbatimin ende të ngadaltë të shpenzimeve për investime këtë vit, në këtë fazë ne rekomandojmë një deficit për vitin tjetër në nivelin 3.5% të PBB-së maksimumi. Ndërkohë që autoritetet kanë sugjeruar një deficit prej 4.2%. Kjo është ende duke u diskutuar dhe ne shpresojmë të arrijmë një marrëveshje për buxhetin e 2009 gjatë misionit të ardhshëm të nëntorit, kur gjithashtu do të kemi më shumë të dhëna për nivelin e shpenzimeve kapitale gjatë vitit 2008.
Recetat e fundit të FMN-së
“Inkurajojmë autoritetet që t`i përmbahen një objektivi të qartë fiskal që do të ankorojë politikat dhe do të ndihmojë në aksesin e synuar në tregjet ndërkombëtare të kapitalit”.
“Mbështesim rregulloret e miratuara së fundmi nga Banka e Shqipërisë për mbikëqyrje shtesë bankare, sidomos rritjen e provigjionimit për huanë në valutë, të cilat duhet të ndihmojnë për të frenuar rritjen e kredisë dhe deficitin e llogarisë korrente”
“Formalizimi i ekonomisë në Shqipëri është një qëllim i rëndësishëm. Megjithatë kjo nuk duhet bërë duke u mbështetur në masa administrative që janë barrë dhe shtojnë mundësinë për abuzivizëm dhe korrupsion. Përkundrazi, masa që nxisin vetëdeklarimin janë të nevojshme”.
“Këshillojmë kundër uljes së normës së kontributit të sigurimeve shoqërore. Hapësira fiskale duhet të ruhet për të financuar një reformë pensioni që do të përmirësonte lidhjen midis kontributeve dhe përfitimeve, duke ofruar kështu nxitjen e nevojshme për vetëzbatim”.
“Mirëpresim fillimin e procesit të privatizimit për kompaninë e shpërndarjes së energjisë. Pavarësisht nga ky proces, do të jetë e rëndësishme që të ruhet përqendrimi dhe të vazhdohet me përmirësimin e treguesve të arkëtimeve dhe humbjeve, pasi megjithë progresin e bërë kohët e fundit, arkëtimet mbeten poshtë nivelit objektiv, duke reflektuar pjesërisht edhe mospagesën nga institucionet publike. Për të kufizuar humbje të reja për KESH-in është mjaft e rëndësishme që kufizimet ekzistuese në sasinë e importeve të respektohen”.