E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrezatimet jonizuese, ligj për të mbrojtur të ekspozuarit

Sipas MSH-së rrezatimet jonizuese janë shumë të dëmshme për shëndetin. Shkelësit e ligjit me gjoba deri në 300 mijë lekë

Rrezatimet jonizuese po gjejnë gjithnjë e më shumë përhapje dhe rreziqet ndaj shëndetit janë shumë të rënda. Për këtë arsye ligji i ri "Për mbrojtjen nga rrezatimi jonizues” hartuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me specialistë të Fizikës Bërthamore parashikon ndëshkime shumë të rënda ndaj shkelësve të këtij ligjit. Drejtori i Shëndetit Publik pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Gament Bejtja, shpjegon për gazetën se ligji përcakton kushtet e mbrojtjes nga rrezatimi jonizues për të gjitha veprimtaritë që kryhen me lëndë radioaktive dhe pajisje rrezatuese. “Ky ligj përcakton kushtet e mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese për të gjitha veprimtaritë që kryhen me lëndë radioaktive dhe pajisje rrezatuese, për të mbrojtur punonjësit e ekspozuar profesionalisht ndaj rrezatimeve, popullatën dhe mjedisin në tërësi nga rreziqet e mundshme të rrezatimeve”,- pohon Bejtja duke shtuar se rrezatim jonizues është rrezatimi elektromagnetik ose grimcor, i cili shkakton drejtpërdrejt ose tërthorazi jonizimin e lëndës me të cilën bashkëvepron. Ndërsa lëndë radioaktive është çdo lëndë që në mënyrë të vetvetishme lëshon rrezatime jonizuese.

Rrezikshmëria

Sëmundje kancerogjene që dërgojnë deri në vdekje pikërisht nga rrezatimet jonizuese. Sipas specialistëve rrezatimi jonizues mund të gjendet në aparaturat mjekësore si skaner, skopi, panormeks, etj., nëse këto nuk janë brenda standardeve. Por në bazë të ligjit, subjekt i dispozitave ligjore janë dhe kompanitë që merren me riparimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve rrezatuese dhe kompani, të cilat do të kryejnë kontrollin teknik, ekspertizën teknike të pajisjeve dhe burimeve të rrezatimit jonizues. Ndërkohë bëhet e ditur se ndryshimet në ligjin e miratuar në vitin 1995 u bënë domosdoshmëri, duke qenë se rrezatimi jonizues është një fushë gjithnjë e më shumë në zhvillim, si dhe në kuadër të burimeve radioaktive dhe të pajisjeve rrezatuese, pa përfshirë këtu materialet bërthamore, si dhe në kuadër të konventave detyruese për Shqipërinë.

Zbatuesit e ligjit

Subjekti i dispozitave të këtij ligji është çdo person fizik e juridik, i cili zotëron, transferon, merr, përdor, fabrikon ose instalon pajisje rrezatuese. Gjithashtu subjekt të këtij ligji do të jenë edhe ai që kryen kërkime radiologjike, punime minerare, bluarje, ekstraktim, pasurim, shitje, transferim, import-eksport, dhënie me qira dhe ruajtje të lëndëve radioaktive. Subjekt të ligjit do të jenë edhe ata që trajtojnë mbetje radioaktive, ushqime dhe produkte të tjera të ndotura me lëndë radioaktive. Për çdo shkelje të ligjit "Për mbrojtjen nga rrezatimi jonizues", subjektet apo individët që operojnë në këtë fushë, përballen me gjoba më të larta se më parë. Kështu, në bazë të ligjit të miratuar së fundmi, kundravajtësit përballen me masën e gjobës 100 deri në 300 mijë lekë, nga

10 deri në 100 mijë lekë që ishte më parë gjoba për shkelësit e ligjit “Për Mbrojtjen e Rrezatimit Jonizues”

100 deri në 300 mijë lekë është gjoba aktualisht për shkelësit e ligjit“Për Mbrojtjen eRrezatimit Jonizues”

Ligji, Komisioni për Mbrojtjen e Rrezatimit me strukturë të re

Struktura e Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimi aktualisht ka fituar më tepër pavarësi në aktivitetin e saj, pas miratimit së fundmi të ndryshimeve në ligjin përkatës. Kështu në bazë të ligjit të ri “Për mbrojtjen nga rrezatimi jonizues”nga 9 anëtarë të saj, 5 prej tyre duhet të jenë ekspertë të mbrojtjes nga rrezatimet pa konflikt interesi me përdoruesit, ndërsa funksioni i kësaj strukture është bashkërendimi i punës me institucionet e specializuara për kalibrimin e pajisjeve, trajtimin e personelit me ekspertë të pavarur etj., nëpërmjet marrëveshjeve të mirëkuptimit për zgjidhjen e problemeve në fushën e rrezatimit jonizues. Ndërkohë bëhet e ditur se ndryshimet iu referuan dokumenteve të sigurisë dhe sigurimit të burimeve radioaktive të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA). Gjithashtu ligji i ri është në përshtatje me dokumentin ndërkombëtar për standarde bazë të sigurisë së mbrojtjes kundër rrezatimit jonizues BSS 115, të vitit 1996 të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe me direktivën bazë të Këshillit të Europës, ku janë përcaktuar standardet bazë për mbrojtjen e shëndetit të punonjësve dhe të publikut nga rreziku që vjen nga rrezatimi jonizues. Një nga detyrimet e Shqipërisë, që rrjedh nga zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (neni 70) është pikërishtpërafrimi i legjislacionit në fushën e sigurisë bërthamore dhe të rrezatimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›