BKTF: Regjistrimi i fëmijëve të jetë prioritet i institucioneve
Fëmijët e paregjistruar mbeten ndër kategoritë kryesore më në risk për t’u trafikuar. Po kështu ata automatikisht humbin të drejtat e tyre si edukimi, shëndetësia dhe skemat e mbështetjes ekonomike. Duke e pasur prioritet këtë çështje mjaft të rëndësishme, koalicioni shqiptar “Bashkë Kundër Trafikimit të Fëmijëve” ka nisur të intensifikojë më tej bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Punëve dhe çështjeve, për ligjin e “Gjendjes Civile, Regjistrimi i Fëmijëve”, pasi një pjesë e madhe e fëmijëve, sidomos ata të komunitetit rom, janë të paregjistruar dhe për këtë arsye janë lehtësisht të trafikueshëm dhe është e vështirë për t’u identifikuar si raste. Në raportin e vitit të shkuar BKTF ka vërejtur se numri i lartë i fëmijëve të paregjistruar në gjendje civile mbetet ende një shqetësim i madh për Shqipërinë. Shumë fëmijë në vend nuk regjistrohen për arsye se linden jashtë qendrave shëndetësore dhe si pasojë, nuk pajisen me certifikatën e lindjes. Veç tyre arsye të tjera që të vegjëlve u mohohet certifikata e lindjes është deklarimi i pasaktë i identitetit të prindërve, pamundësia ekonomike për të ndjekur procedurat gjyqësore në rastet kur kufijtë kohorë të parashikuar në ligj nuk janë respektuar apo mosndërgjegjësimi i prindërve mbi rëndësinë e regjistrimit të fëmijëve. Ndërkaq, një tjetër faktor është skema e papërshtatshme e regjistrimit, e cila nuk është në gjendje të menaxhojë problemet që vijnë nga migrimi i brendshëm dhe të tjera fenomene. Megjithëse nuk ekziston asnjë statistikë zyrtare, për numrin e fëmijëve të paregjistruar, janë identifikuar si raste prej këtij koalicioni është mbi 400. Ndërkaq, sipas BKTF regjistrimi i fëmijëve mund të bëhet shumë i komplikuar në rastet kur duhet të aplikohet sistemi ligjor i dy apo më shumë shteteve.
“Regjistrimi i fëmijëve të komunitetit rom është ende një çështje shumë problematike, duke sjellë si pasojë përjashtimin e fëmijëve romë dhe familjeve të tyre nga të gjitha të drejtat, të tilla si: edukimi, shëndetësia dhe skemat e mbështetjes ekonomike”, thonë burime zyrtare pranë BKTF. Sipas këtij institucioni, duhet koordinim dhe bashkëpunim mes strukturave të Qeverisë dhe OJQ-ve që ofrojnë asistencë për këto problematika. z.ll