Plumba taksistit, i rrëmben makinën
DURRES/ OERD ULQINI
Godet me dy plumba taksistin për t’i grabitur “Benz”-in. Policia e Durrësit ka identifikuar dhe prangosur 15 orë më pas autorin e ngjarjes, 22-vjeçarin shijakas, Mikel Shaqja. Ky i fundit rreth mesnatës së të shtunës, duke u shtirur si klient, ka zbrazur mbi këmbët e taksistit dy plumba nga pistoleta “Beretta”, armë të cilën e kishte fshehur në brez gjatë udhëtimit nga Tirana në Durrës. Ndërkohë, pas ndërhyrjes mjekësore në spital, mësohet se ka dalë nga gjendja e rrezikut për jetën taksisti 52-vjeçar, Namik S. nga Tirana. Hetuesit kanë zbardhur në një kohë rekord skemën e grabitjes, falë edhe telefonatës me të cilën agresori porositi taksinë. Mësohet se ka qenë ora 22 e 45 minuta, kur në afërsi të spitalit numër 2 të Tiranës, Mikel Shaqja i ka telefonuar shërbimit taksi. Pesë minuta më vonë në këtë zonë të kryeqytetit ka mbërritur taksisti, i cili mori porosinë nga agresori për ta transportuar deri në Durrës (tek zona e Plepave). Mikel Shaqja, banor i lagjes “Popullore” në Shijak, nuk rezulton i skeduar nga ana e policisë së Durrësit. Sipas grupit hetimor deri në Plepa, ku autovetura ka mbërritur rreth orës 23 e 30 minuta, çdo gjë ka shkuar mirë dhe taksisti nuk ka pasur as idenë më të vogël se pas pak minutash do të kishte rënë pre e një agresioni të dhunshëm. Por me të mbërritur në Plepa, pasagjeri ka paraqitur pretendimin se i duhej të shkonte me urgjencë edhe diku tjetër dhe kështu ka devijuar drejtimin e lëvizjes. Në momentin kur pasagjeri e ka drejtuar drejt një rrugice të pandriçuar në Kodër-Arapaj, pjesë e Komunës Rrashbull të Durrësit, i dyshuari ka nxjerrë një armë zjarri dhe duke e kanosur me të i ka kërkuar shoferit të zbresë. Pasi ka hasur në rezistencën e taksistit, autori ka qëlluar me armë zjarri, duke e goditur dy herë në këmbë shoferin dhe pasi ka grabitur automjetin dhe telefonin e tij celular, është larguar. Sipas policisë, grabitja e “Benz”-it është shoqëruar edhe me marrjen e telefonit të viktimës, në mënyrë që ky i fundit të mos lajmëronte dot policinë në kohë. Por viktima ka gjetur forca dhe ndonëse i plagosur, është zvarritur në rrugën kryesore, ku ka kërkuar ndihmë. Pas njoftimit të bërë në polici, në ndjekje të autorit janë vënë patrullat e shërbimit, duke marrë masa për bllokimin e akseve rrugore me rrethet fqinjë. Brenda një kohe të shkurtër është bërë i mundur konstatimi i mjetit të vjedhur, i cili ishte braktisur nga autori në vendin e quajtur “Katër Rrugët” e Shijakut. Telefonata me celular dhe përshkrimi fizik i viktimës ndihmoi policinë në identifikimin e autorit të ngjarjes. Një operacion i rrufeshëm policor përfundoi në orën 16:00 të së dielës me prangosjen e Mikel Shaqës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe arma e zjarrit, pistoletë e kalibrit 9 mm, automjeti “Benz” me targë TR 1196 J si dhe telefoni celular i vjedhur.