Policët në shërbim te greva, 96 vjedhje ndodhën në Tiranë
Etleva Delia
Angazhimi i policisë në ruajtjen e rendit gjatë protestave dhe grevës së urisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është shfrytëzuar më së miri nga hajdutët të cilët kanë “bërë kërdinë” në Tiranë. Vendosja e pjesës dërrmuese të punonjësve të policisë në shërbim për ndjekjen e aktiviteteve të PS-së u dha dorë të lirë kontingjenteve kriminalë për të “punuar” të pa shqetësuar në zonat që mbetën pa u patrulluar nga forcat e rendit. Sipas policisë së Tiranës, gjatë kohëzgjatjes së protestave dhe grevës së urisë, në territorin e kryeqytetit kanë ndodhur 51 vjedhje banesash, 12 vjedhje automjetesh, 11 vjedhje lokalesh, 10 raste vjedhjesh në autobus dhe 7 vjedhje në rrugë. Gjatë kësaj kohe kanë ndodhur edhe 5 grabitje me armë e maska, nga këto një filial banke, dy lokale lojërash fati dhe dy pika karburantesh, madje në njërin prej rasteve ka mbetur i plagosur një punonjës karburanti. Të gjitha këto kanë ndodhur brenda 19 ditëve, prej datës 30 prill, kur startoi greva e socialistëve, me protestën e parë të tyre. Gjatë kësaj kohe, policia u detyrua të angazhohej maksimalisht për të shmangur çdo incident dhe për të ruajtur rendin e qetësinë publike. Përveç policisë së rendit, pjesë e masave ishte edhe policia kriminale, madje edhe forcat speciale. Angazhimi i efektivave të FNSH-së, bëri që puna e tyre në ruajtjen e banesave të rreth 50 personave që ndodhen në “arrest shtëpie”, të zëvendësohej nga policët e rendit e të objekteve, çka u bë shkak që patrullimi i policisë në zonat e ndryshme të kryeqytetit të mos zhvillohej për disa ditë.
KRIMINALITETI
Paralajmërimi i drejtuesve të Policisë së Tiranës, para se të vazhdonin protestat e Partisë Socialiste, për një pamundësi të parandalimit të krimeve, rezultoi i vërtetë. Krahasimi i statistikave të muajve të kaluar, të paktën përsa i përket krimeve kundër pronës, me periudhën 19-ditore që zgjatën protestat dhe greva, flasin për një situatë alarmante të kriminalitetit. Sipas policisë, kryesisht në zonat periferike të Tiranës, u shtuan rastet e vjedhjeve të banesave e lokaleve, por ngjarje të tilla ndodhën edhe brenda unazës së vogël. Sipas një grafiku që policia kriminale ndërtoi pas përfundimit të grevës, si zona më problematike u konsiderua Alliasi, Paskuqani dhe rruga “Irfan Tomini”. Statistikat flasin qartë se angazhimi i policisë gjatë 19 ditëve pa ndërprerje dhe me orare të zgjatura, ndikoi jo vetëm në parandalimin e ngjarjeve, por edhe në zbulueshmërinë e këtyre krimeve. Rastet e grabitjeve me armë, të lokaleve të lojërave të fatit, një filiali banke dhe një pike karburanti në Sauk të Tiranës, rezultojnë ende të pazbuluara. Po kështu pothuajse për të gjitha rastet e vjedhjeve të automjeteve, ende nuk dihen autorët, edhe pse disa makina janë gjetur të braktisura nëpër rrugë dhe garazhe periferike.
NGJARJE TE RENDA
Përveç vjedhjeve të banesave, portofolëve në autobusë e në rrugë, gjatë ditëve të grevës, kanë ndodhur edhe disa ngjarje që policia i ka klasifikuar si të rënda. Dy persona, njëri prej të cilëve u arrestua disa ditë më parë, më 14 maj grabitën një pikë karburanti në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë, ku përveçse morën 3.5 milionë lekë të vjetra, plagosën me armë edhe rojën e karburantit, Halil Doçi. Ngjarja ndodhi vetëm dy ditë pasi ishte grabitur një tjetër pikë karburanti në Sauk, e cila u shoqërua me të shtëna armësh, por që fatmirësisht nuk pati të plagosur. Dy ditë para përfundimit të grevës, një student kosovar, u sulmua nga 3 të rinj tek “Selvia” dhe pasi u rrah, i vodhën 7 mijë euro.
S‘ka të dëmtuar, autorët zhduken nga vendi i ngjarjes
Maskat grabisin dy milionë në lokalin e lotove në Yzberisht
TURANE - Një lokal bastesh sportive është grabitur gjatë natës së shtunë duke gdhirë dita e dielë, në Yzberisht të Tiranës. Dy persona të maskuar dhe me armë, janë futur brenda dhe kanë arritur të grabisin 2 milionë lekë të vjetra, në momentin kur në lokal ndodheshin vetëm dy punonjës. Ngjarja ka ndodhur vetëm pak minuta pas mesnate dhe duket se grabitësit kishin planifikuar të realizonin ngjarjen, pasi kanë pritur derisa përfunduan festimet pas ndeshjes finale të Champions League dhe klientët e punonjësit e lokalit u larguan. Burime nga policia thanë se në momentin kur ndodhi grabitja, lokali ishte në mbyllje e sipër dhe një pjesë të parave të fituara gjatë ditës, i ishin dorëzuar pronarit. Ndërsa në arkë kishin mbetur vetëm 2 milionë lekë të vjetra, të cilët janë vjedhur nga dy personat e maskuar dhe të armatosur, që ende nuk janë identifikuar. Denoncimi në polici është bërë me një telefonatë në sallën operative, nga dy punonjësit, të cilët pretendojnë se janë kërcënuar me armë dhe janë detyruar që t’u dorëzojnë të gjitha paratë grabitësve. Sipas burimeve nga policia mësohet se dy autorët e ngjarjes, pasi kanë vjedhur paratë, janë larguar me një motor, që e kishin lënë të parkuar pranë derës së lokalit dhe me të janë larguar në drejtim të fshatit Mëzes. Dy punëtorët janë marrë në pyetje nga policia dhe kanë deklaruar se autorët kanë qenë të maskuar e në këtë mënyrë nuk i kanë njohur, nëse janë banorë të zonës apo jo. Por sipas përshkrimeve që ata kanë dhënë në polici, grabitësit mund të jenë në një moshë të re, rreth të 20-ve. Ndërsa nga vendi i ngjarjes ata janë larguar me një motor tip “Papaq” pa targa.
VJEDHJET GJATE GREVES
51 vjedhje banesash
12 vjedhje automjetesh
11 vjedhje lokalesh
10 raste vjedhjesh në autobus
7 raste vjedhjesh në rrugë
5 raste grabitje me armë e maska
1 filial banke, ku grabitën 3 milionë lekë të vjetra
2 lokale lojërash fati të grabitura me armë. 300 mijë lekë të vjetra në një lokal te rruga “Hoxha Tahsim” dhe 500 mijë lekë të vjetra tek “Rruga e Dibrës”
2 pika karburantesh të grabitura me armë. 3 milionë lekë të vjetra në Sauk dhe 3.5 milionë në një tjetër karburant tek rruga “Qemal Stafa”, ku ka mbetur i plagosur roja
50 persona që gjykata ka vendosur masën “arrest shtëpie”, janë ruajtur nga forcat e rendit dhe policia e objekteve, pasi FNSH ka qenë e angazhuar te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
2 prej personave me “arrest shtëpie”, kanë thyer masën e sigurisë, duke u ndaluar jashtë shtëpive ku duhej të qëndronin