E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, arrestohen për grabitje në stan dy të rinj



GJIROKASTER - Dy të rinj arrestohen për grabitje në një stan bagëtish. Burime të policisë pohuan dje se u vunë në pranga Florian Lile, 24 vjeç dhe Manxhar çaushi, 27 vjeç, të dy nga Libohova. Në orët e para të së shtunës ata kanë shkuar në stanin e një çobani, banor i fshatit Labova e Kryqit, me qëllim grabitjen. Pasi kanë mbërritur në stan, ata i kërkuan çobanit P.C. nga Libohova t’u jepte atyre para, disa dele dhe këmborë. Refuzimi kategorik i çobanit ka nervozuar Lilen dhe çaushin, të cilët e kanë qëlluar me grushte dhe më pas, në shenjë hakmarrjeje, në kushtet e errësirës së plotë, morën një armë gjahu dhe një këmborë bagëtie. Pas dhunimit ata e kanë lidhur bariun dhe janë larguar. Në këtë gjendje e ka gjetur çobanin ortaku i tij disa orë më vonë, duke lajmëruar edhe policinë. Pas një pune hetimore intensive dhe angazhimit maksimal të dhjetëra forcave policore të policisë së Gjirokastrës, pasditen e së shtunës u arrit të zbardhej ngjarja dhe të arrestoheshin dy autorëve. Atyre iu gjet edhe arma e gjahut, bashkë me këmborën. Njëri prej tyre, çaushi, kishte stanin e tij, ku dhe u gjetën objektet e grabitura. Ai kishte qenë dhe më parë i dënuar për vjedhje. Mbi dy të arrestuarit rëndon vepra penale e vjedhjes me dhunë e kryer në bashkëpunim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›