E Diel, 1 Nëntor 2026

BLERIM REKA "Beneluksi Ballkanik, 'jo' përplasjeve histori-gjeografi"

Në një kohë kur po i mëshohet gjithnjë e më shumë bashkëpunimit rajonal, Prof. Dr. Blerim Reka, ish-ambasador i Maqedonisë në Bashkimin Europian shpjegon në një intervistë ekskluzive për "Gazetën Shqiptare" se Ballkani ka dy zgjedhje: "Të vazhdojë historinë tragjike njëshekullore të filluar nga Luftërat Ballkanike, me ciklin e vazhdueshëm të luftërave për territore e kufij. Ose të harrojë kufijtë dhe t'i bëjë ata relativë nëpërmjet procesit të pajtimit dhe integrimit rajonal si parakusht për integrimin në BE". Kjo e fundit, sipas tij, është edhe esenca e Beneluksit Ballkanik.
Projekti i parashtruar dy vite para prezantimit të Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore ka bërë hapa simbolikë dhe ka si qëllim të arrijë mbështetës potencialë në rajon dhe më gjerë, që mund të bëjnë të mundur organizimin e një përpjekjeje më të koordinuar për të pasur një bashkëpunim më të ngushtë midis Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi në rrugën drejt integrimit në BE e NATO.

-Kemi dëgjuar të flitet së fundmi për "Beneluksin Ballkanik". Ju lutem, a mund të na tregoni diçka për historinë e këtij koncepti dhe kush janë mbështetësit kryesorë të tij?
Së pari, mendoj t'ju paraqes kontekstin historik kur lindi Beneluksi Ballkanik. Siç mund ta dini nga historia, me shpërthimin e të ashtuquajturës "Luftëra Ballkanike" 1912-1913, Ballkani hyri në ujërat e turbullta dhe destabilizuese, qetësimi i të cilave nuk u arrit as me afrimin e shekullit të 21. Si rezultat i këtyre Luftërave Ballkanike, u eksperimentua me shtetet kombëtare. Ato u shtrinë nëpërmjet anekseve territoriale në dëm të vendeve fqinje. Kështu prej një shekulli, Ballkani vazhdon të jetojë me politikat kombëtare, kurse kufijtë e rinj me ekspansione të dhunshme territoriale mbesin një burim destabilizimi. Që atëherë, marrëdhëniet ndërfqinjësore (kushti kyç politik i kërkuar nga BE-ja) u dobësuan aq shumë sa secili ishte kundër secilit në rajon. Në të kaluarën, kufijtë u kthyen në prioritete për vendet. Gjeografitë e reja u përpiluan e u ripërpiluan dhe shtetet e reja u krijuan. Por një gjeografi e tillë e limituar nuk ishte e aftë të përtypte një histori kaq të rëndë. Kështu, gjatë shekullit të kaluar në Ballkan, siç kam shkruar në librin tim të fundit mbi Gjeopolitikën e Zgjerimit të BE-së, (Bruksel, 2010), ekzistoi një përplasje e vazhdueshme midis gjeografisë dhe historisë. Kështu pyetjes suaj, do t'i përgjigjesha me pyetjen time: A duhet që luftërat për territore si ato të shekullit të 19-të e 20-të të vazhdojnë edhe në shekullin e 21-të? Apo në vend të ndërrimit të kufijve duhet të ketë përpjekje për t'i bërë ato relativë?
Një shekull luftëra për territore në Ballkan provoi se tendencat për të krijuar shtete kombëtare të pastra nuk patën sukses. Ato sollën veç tragjedi. Me qëllim mënjanimin e përsëritjeve të "historive të kufijve" në Ballkan edhe në shekullin e 21, unë propozova në 1998 modelin BAFTA (Balkans Area of Free Trade Agreements) - Zona Ballkanike e Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë. Me anë të të cilit bëra një përpjekje të ofroja një model ndryshe, ku kufijtë nuk ndryshojnë por ato bëhen relativë, të hapur dhe të lirë për qytetarët, produktet, monedhat dhe shërbimet e katër vendeve: Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe Mal i Zi. Kjo është pak a shumë Beneluksi Ballkanik, që u paraqit dy vite para prezantimit të Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore. Por për shkak të rrethanave të luftës në fund të viteve '80 dhe me ekzistencën e vetëm dy vendeve sovrane, kjo ide u la për t'u riaktivizuar në një fazë më të mëvonshme.

- Dhe kjo ide u riaktivizua së fundmi?
Pas pavarësisë së Malit të Zi (2006) dhe asaj të Republikës së Kosovës (2008), gjeopolitika e Ballkanit ndryshoi. Më në fund, në mars të 2012, një grup studiuesish nga rajoni krijuan në Tiranë (Action Group for Regional Economic and European Integration) - AGREEI (Grupin e Veprimit për Integrim Ekonomik dhe Europian) si një platformë për krijimin e Beneluksit Ballkanik. AGREEI u krijua me qëllimin e mbështetjes së integrimit ekonomik dhe europian të 4 vendeve të Ballkanit Jugor (SB4C). Një nga objektivat kryesorë strategjikë të AGREEI është të mbështesë krijimin e një tregu prej 8 milionë konsumatorësh me një lëvizje të lirë të mallrave, shërbimeve, kapitaleve, njerëzve dhe një bashkëpunimi ndërkufitar, që mund të jetë një zgjidhje afatshkurtër, që aktualisht mbështet proceset integruese europiane të rajonit dhe ndoshta edhe i përshpejton ato.
Ky propozim ka si qëllim të arrijë mbështetës potencialë në rajon dhe më gjerë, që mund të bëjnë të mundur organizimin e një përpjekjeje më të koordinuar për të pasur një bashkëpunim më të ngushtë midis 4 vendeve që përmenda më lart në rrugën drejt integrimit në BE e NATO. Në këtë mënyrë, këto vende do të forcojnë përpjekjet e tyre të përbashkëta drejt ekonomisë botërore.

-Sipas pikëpamjes suaj, sa i realizueshëm mund të jetë një projekt i tillë në kushtet e sotme?
Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi janë 4 vende të vogla dhe relativisht të reja, me një popullsi mbi 8 milionë banorë. Ato ndajnë histori dhe modele popullsie të njëjta kur krahasohen me Ballkanin Verior. Nga një perspektivë gjeografike, të 4 kryeqytetet e tyre janë të vendosura me një diametër rreth 200 km dhe kanë një distancë të njëjtë nga Roma, Athina, Stambolli, Vjena dhe Budapesti. Të katër vendet përbëjnë një rajon seriozisht të painvestuar dhe të lënë pas dore që nga kohërat otomane. Edhe pse të 4 vendet kanë pasur zhvillim të madh dhe të paprecedent në 5 vitet e fundit në të gjitha sektorët, ato ende ballafaqohen me një mungesë serioze të infrastrukturës në aspektin e rrugëve, energjisë dhe spitaleve. Ato vuajnë mungesë në kapital njerëzor e në arsim. Të 4 vendet kanë një histori lufte, mosbesimi dhe armiqësie në marrëdhëniet e jashtme dhe në të njëjtën kohë, ato ballafaqohen me problemet. Shpejt Kroacia do të bëhet pjesë e BE-së. Serbia dhe Bosnja kanë çështje të veçanta për të trajtuar. Ndërkohë, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi janë gati të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Një dekadë pas prezantimit të BAFTA, filozofia e krijimit të një Beneluksi Ballkanik apo mini-Shengen filloi të zbatohej gradualisht nëpërmjet iniciativave të ndryshme rajonale, (si për shembull: tregtia e lirë nën ombrellën e CEFTA që nga 2006, samite vjetore të katër presidentëve - e filluar me "procesin e Vlorës" në 200 dhe vazhdoi me takimet midis presidentëve në Prizren, Ohër dhe Podgoricë; lëvizja ndërkufitare e njerëzve vetëm me mjetin e identifikimit (ID) në (2011-2012 midis Shqipërisë-Malit të Zi, Maqedonisë-Shqipërisë dhe Malit të Zi -Maqedonisë). Sigurisht këto hapa konkretë janë ende simbolikë. Ky integrim nënrajonal ka nevojë të zhvillohet më tej dhe të mbështetet politikisht dhe të paraqitet në publik.

-Me sa di, ky projekt i është prezantuar tashmë Presidentes së Kosovës, Zj. Atifete Jahjaga. Në çfarë faze është ky projekt tani?
Po, delegacioni i AGREEI pati vjet një takim me Presidenten Jahjaga. Ai i paraqiti objektivat kryesore dhe vizionin tonë për këtë integrim nënrajonal të katër vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në parim, Zj. Jahjaga e mbështeti idenë e Beneluksit Ballkanik.

-Në çfarë mënyre do t'i ndihmojë Beneluksi Ballkanik këto vende për t'u bërë pjesë e BE-së në një mënyrë më të lehtë?
Beneluksi Ballkanik është një projekt rajonal i pajtimit dhe i integrimit, një model për arritjen e një paqeje dhe stabiliteti të qëndrueshëm në Ballkan - të integruara si një e tërë në BE. Nëse këto 4 vende do të ndajnë eksperiencën e tyre të integrimit në BE, nëse ato do të harmonizojnë legjislacionet e tyre në përputhje me ligjet e BE-së, nëse ato do të krijojnë standarde të njëjta në fusha të ndryshme, ato do të jenë tashmë gati të shkojnë së bashku drejt Brukselit. Nuk ka një vend në botë që të jetë ishull më vete, ashtu sikur nuk ka një vend të vetëm që të mbijetojë i vetëm. Shtetet funksionojnë së bashku dhe jo të izoluara. Në këtë aspekt, mendoj se ky integrim nënrajonal vetëm mund të ndihmojë këto katër vende për integrimin e tyre më të madh në BE. E imagjinoni, po të kishim vetëm një vend që hyn në BE dhe në kufirin ngjitur me të një vend jashtë BE-së!

- Pjesë e objektivave tuaja është edhe "Harmonizimi i marrëdhënieve ndëretnike". Sa sfiduese mund të jetë kjo, duke marrë parasysh konfliktet insistuese etnike në Kosovë e Maqedoni?
Siç e thashë edhe në fillim, Ballkani ka dy zgjedhje: të vazhdojë historinë tragjike njëshekullore të filluar nga Luftërat Ballkanike, me ciklin e vazhdueshëm të luftërave për territore e kufij. Ose të harrojë kufijtë dhe t'i bëjë ato relativë nëpërmjet procesit të pajtimit dhe integrimit rajonal si parakusht për integrimin në BE. Brukseli nuk do të pranojë vende anëtare të reja, që mbartin çështje të vjetra e të pazgjidhura kufijsh. Fryma e projektit të Beneluksit Ballkanik është nëpërmjet bashkëpunimit tregtar e ekonomik, qarkullimit të lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitaleve midis vendeve. Modeli ynë ofron të njëjtët kufij që e humbasin rëndësinë politike. Jam i kënaqur që të paktën pjesë të kësaj politike rajonale integruese midis katër vendeve tona janë pranuar në këto 5-6 vitet e fundit dhe tashmë ato zbatohen si hapa të parë drejt Beneluksit Ballkanik. Megjithatë, forma embrionike e mini-Shengenit Ballkanik filloi të realizohej me ratifikimin e marrëveshjes dypalëshe për kalimin e kufijve vetëm me kartën e identitetit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës. Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe Malit të Zi, (me prezantimin e të njëjtit ligj midis Kosovës dhe Malit të Zi.) Paralel me samitet tregtare e presidenciale dhe me një regjim të kufijve të hapura, hapat e para infrastrukturore u morën me ndërtimin e autostradës Tiranë-Prishtinë dhe me lajmërimet nga Prishtina se ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup do të fillojë në fillim të vitit tjetër.
Dhe ndërtimi i hekurudhës Shqipëri - Maqedoni (brenda Korridorit 8) është duke u diskutuar që nga viti i kaluar. Në 1998, i gjithë ky zhvillim dukej joreal. Por 15 vite ishin të mjaftueshëm për të bërë realitet një vizion pa kufij të Ballkanit. Padyshim këto janë vetëm hapat e para simbolike të kësaj filozofie rajonale të integrimit, por procesi po ecën përpara. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›