E Diel, 1 Nëntor 2026

Është frika e humbjes që (nuk) e ruan vreshtin

Ndodhi ajo që pritej: Berisha nuk u tërhoq as nga deklaratat e opozitës, por as nga ato të ambasadorit amerikan z. Arvizu për mosshkarkimin i Muhos, po edhe nga dy dorëheqjet që pasuan. Duke qënë qeveria përgjegjësja për zgjedhjet, a do ta justifikojë Berisha edhe këtë paralizë totale e të pashembullt me termin "mur i bllokimit"? A mjafton kjo? Dhe a ka lënë ai një rrugë kthimi në normalitet? Sigurisht që jo. Si zakonisht, sa herë atij i rrezikohet posti, ai do të luajë me "tokën e djegur", duke marrë pozën e të fortit dhe të paepurit. Populli thotë: "frika e ruan vreshtin", këtë bën edhe ai, por në situata të vështira, Berisha e ka provuar mëse njëherë se jo vetëm që nuk di të ruajë vreshtin e pushtetit, por i vë zjarrin, e djerrëzon.
Pyetja që lind edhe në këtë rast është e natyrshme: Si ka mundësi të mos ketë nxënë mend ky njeri nga dështimi i turpshëm e tragjik i 1997-ës? A thua të jetë bërë vërtet një burrë shteti përnjimend i pavarur, solid dhe sovran, dinjitar dhe autoritar, nga ata që nuk pyesin as për ndërkombëtarët? Erdhi urgjent edhe baronesha Ashton në Tiranë, u takua kokë më kokë me Nishanin, me kryeministrin dhe me kryeopozitarin, por hyri e doli si erdhi, duke na këshilluar për të disatën herë: Duhet kompromis, lipset marrëveshje, zgjedhje të lira e të ndershme; ju paralajmëruam për votimin e djeshëm në Kuvend; integrimi në BE varet nga ju, luftoni krimin dhe korrupsionin, etj, etj.... Dhe iku. Iku të nesërmen edhe kryeministri për të varrosur zonjën Theçer, a thua se këtu punët po shkojnë vaj... Kurse litari ka mbetur jashtë varrit. Këto telenovela politike, të stërpara në këto 23 vjet duket sikur nuk kanë më ndikim mbi opinionin publik, edhe kur vetë ambasadori amerikan përvesh llërët, edhe kur kërcënon, pa doreza diplomatike, se sjelljet e fundit të mazhorancës mund të dëmtojnë marrëdhëniet me SHBA-të!... Mos jemi bërë vërtet superfuqi dhe nuk e kemi kuptuar?
***
E pra, si ka mundësi një kryeneçësi sfiduese ndaj SHBA dhe BE-së!? Si ka mundësi të mos dëgjohet jo më zonja Klinton e baronesha Ashton e, para kësaj të fundit edhe zoti Fyle, e, së fundi, edhe ambasadorja gjermane, edhe vetë z.Arvizu, teksa ky doli para kamerave me një paralajmërim të pazakontë, në emër të Qeverisë amerikane, por që më pas mbeti me gisht në gojë në lozhën e Kuvendit, në seancën e fundit parlamentare?
Përgjigjen e kësaj dileme e dha vetë Berisha, në fund të seancës, kur falenderoi, i prekur e i mallëngjyer tre deputetët ish-socialistë të cilët e ndihmuan, me votën e tyre, që qeveria e tij të mos binte para zgjedhjeve. "Do t'u jemi përjetë mirënjohës", deklaroi kryeministri, i prekur. Dhe nuk mënoi të hulumtonte se PD-së i leverdiste, sipas tij, që zgjedhjet të bëheshin në maj, dmth të parakohshme, por kjo, medemek, nuk i leverdiste vendit.... Shkurt, zgjedhjet e parakohshme do të ishin në dëm të interesave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Asnjë fjalë për paralajmërimin e ndërkombëtarëve. "Bjerini ju legenit, këtu zot jam unë!..." Por kjo nuk tregon forcën e tij, as sovranitetin e tij prej një "burrë shteti", jo! Këtë sjellje e ka nga frika. Frika se mos e humbet pushtetin është më e madhe se frika nga populli i vet, nga zgjedhjet, madje edhe nga ndërkomëbtarët, amerikanë e evropianë të marrë së toku. Ky njeri, kur e zë paranoja e humbjes, bën çudira. Kemi për të parë në ditët që do të vijnë çudira të tjera, ku e ku më të mëdha e më të pabesueshme!
Prandaj Berisha nuk dha asnjë shpjegim përse zgjedhjet e parakohshme, po të bëheshin në maj, me një tjetër qeveri (teknike), pa atë në krye, (dmth pa treshen e specializuar Kosovrast/Ristan/Pone), do të kishin pas qenë të dobishme për partinë e tij dhe në të kundërt, të dëmshme për Shqipërinë. Ky është absurdi i parë i fjalërimit të tij patetik në mbyllje të seancës së Kuvendit. Por logjika ta do të jetë kryekrejt e kundërta. Sepse me një qeveri teknike dhe me një KQZ të paristanizuar, të papolitizuar (dmth të pakomanduar nga një parti), palët do të shkonin në zgjedhje më të qeta dhe humbësi i radhës do të kishte më pak argumente e shumë më pak shans për të mos e pranuar rezultatin. Ndërsa votimi i dhunshëm në Kuvend, nëpërmjet trafikimit të votave të tre ish-socialistëve, që e lanë, për të disatën herë në pushtet, dëshmon se Berisha është i sunduar nga një frikë paranojake, nga mundësia e humbjes së fuqisë, e karriges së kryeministrit, e imunitetit real, para zgjedhjeve... Edhe këmbëngulja dhe "guximi', në kundërshti të hapur me ndërkombëtarët, për të shkarkuar Muhon e KQZ-së, vjen prej panikut se ai mund të mos ketë kontroll paraprak mbi zgjedhjet e 23 qershorit, pas shfuqizimit automatik (si rrjedhojë) e treshes: Kosovrast + Ristan + Pone + dhe pas spastrimeve të militantëve të shkarkuar të LSI-së.
Prandaj ndryshimi i "rregullave të lojës" dhe i listës emërore të KQZ-së, pas "aleancës së ngjalave", mbajtja me çdo kusht e me çdo çmim e kontrollit mbi KQZ-në, nuk tregon kokorroçësi, as burrështetësi, madje as burrëri e dinjitet, si duan e thonë disa, por dëshmon për panikun që ka kapluar Berishën nga humbja e zgjedhjeve. Berisha ka frikë të bëhet njeri i zakonshëm, një pensionist që del në lagje e pi kafe me bashkëmoshatarët, n'daç edhe një gjysh i përkushtuar dhe kjo, me sa duket, është drama e tij, të cilën ka për ta vuajtur jo vetëm ai, por edhe të gjithë ne, qytetarët e zakontë, që do të jemi të detyruar të paguajmë një kosto jo dhe aq të vogël për "çmontimin" e tij dhe të aparatit të tij... Ndoshta më shtrenjtë kanë për ta paguar ata që e adhurojnë dhe që votojnë për të, ata që kanë filluar, për t'i dhënë kurajë, ta quajnë "Skënderbe të dytë", sepse ikja e gjithë këtyre delirantëve e lapërdharëve nga pushteti përherë është përcjellë me drama sociale, me konflikte e sherre, me trazira, humbje kohe dhe asetesh kombëtare. Ngaqë ndërkombëtarët e dijë këtë, ata kanë toleruar cenimin e standardit demokratik për hir të stabilitetit, pa e ditur se ç'përmasë mund të marrë paranoja e një oktapodi ballkanik të dehur me vetveten.
Dhe jo vetëm kaq. Të ngopur me fuqi, pasuri, pushtet e prona të luajtshme të paluajtshme, në Qipro a në Singapor, Berisha dhe aradha e tij e nëpunësve mercenarë nuk kanë për të lëshuar kollaj pushtetin, ndaj do të bëjnë të pamundurën e të pabërën, atë që dinë të bëjnë më mirë: manipulimin e zgjedhjeve. Pas asaj që ndodhi në Kuvend mund të hamendësohet se, për të disatën herë, falë një tellalleje me inteligjencë të kufizuar, si Topalli, u nxor jashtë loje jo vetëm opozita, si një nga dy palët, por edhe ndërkombëtarët, që do të thotë se, pas asaj seance të dhunshme, në Shqipëri nuk ka më arbitër. Shpresohet se, për hir të stabilitetit në rajon, edhe kësaj here, pas disa vërejtjeve të tipit të kreut të OSBE-së, Wollfard në Tiranë, as mish as peshk, bashkë me tufat e vëzhguesve, pas zgjedhjeve të 23 qershorit, do të bëhet sërish një sy qorr e një vesh shurdh kur të thuhet: zgjedhjet kishin ca të meta, por qenë më të mira se ato të mëparshmet. Një qasje e tillë kësaj here nuk do të vrasë vetëm standardin dhe shpresën për një demokraci funksionale në Shqipëri, por edhe besimin e qytetarëve tek organizmat ndërkombëtare, te shpresa e vetme për të pasur një arbitër të paanshëm amerikan dhe evropian. Kësisoj dëmi do të jetë edhe më i madh.
***
Një opozitë normale, pas atij "puçi" që ndodhi në Kuvend, duhej të dilte me një vendim të prerë: meqë nuk ka asnjë garanci dhe asnjë arbitër për zgjedhjet, ajo nuk do të marrë pjesë në zgjedhje të kësollojta, të paravendosura e të paragjykuara. Dhe jo të thosh, si deklaroi Rama, me një optimizëm të habitshëm se, edhe sikur Berisha t'i numërojë votat në shtëpinë e vet, ai përsëri ka për t'i humbur zgjedhjet! Kjo eufori nuk sjell asnjë dobi, përkundrazi! Kriza zgjedhore tanimë ka kaluar kufirin e dy partive kryesore. Pas shkarkimit të Muhos nga KQZ dhe spastrimeve nga administrata e lësëistëve, nisi ndryshimi i beftë i raporteve pozitë-opozitë në të gjitha këshillat bashkiakë të vendit. Dorëheqjet e dy anëtarëve të KQZ-së kanë krijuar një ekuilibër të ri në balancën e prishur me dhunën e kartonit të deputetëve. Dalja e sforcuar nga paraliza e zgjedhjeve mund të krijojë besim te qytetarët se edhe në demokracinë tonë, ndonëse me cene e mangësi, nuk do të kenë jetë të gjatë krerët e përjetshëm. As mund të jenë të pazëvendësueshëm. As të paprekshëm. As të pandëshkueshëm. 23 qershori do të jetë një lindje e vonuar dhe e vështirë, nëse ndryshon sistemi i qeverisjes dhe raporti mes të zgjedhurve dhe zgjedhësve. Por le të shpresojmë se edhe me dorëheqjet e dy anëtarëve të KQZ-së, do të nisë bumerangu i autokratëve partiakë, i diktatorëve, të cilët, ca e kuptojnë kur e pësojnë në gjallje (si Mubaraku), ca të tjerë pas vdekjes... Por që, gjithsesi, asnjëherë nuk i shmangen dot këtij fati tragjik e historik! 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›