BM – Starmer: Aleatët duhet të sigurohen për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të ndershme në Ukrainë

LONDËR, 18 gusht /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik Keir Starmer tha se aleatët duhet të sigurohen që të ketë paqe të drejtë dhe të ndershme në Ukrainë, ndërsa udhëtoi për në Uashington për të mbështetur Volodymyr Zelensky në bisedimet vendimtare me Donald Trump.
Starmer dhe udhëheqës të tjerë evropianë do të përpiqen të bindin presidentin amerikan që të shmangë mundësinë e një zgjidhjeje që shpërblen agresionin e Vladimir Putinit, por që siguron garanci sigurie amerikane për çdo forcë ushtarake paqeruajtëse nga e ashtuquajtura “koalicion i të gatshmëve”.
Takimi vjen pasi Trump sugjeroi që presidenti ukrainas do të duhej të pranonte se nuk kishte një “rikthim” të Krimesë, e cila u aneksua nga Rusia në vitin 2014, dhe se Ukraina nuk do të lejohej të bashkohej me aleancën e NATO-s.
“Të gjithë duan që lufta të përfundojë, jo më pak ukrainasit”, tha Starmer në një video të postuar në X.
“Por ne duhet ta bëjmë këtë siç duhet. Ne duhet të sigurohemi që të arrihet një paqe e qëndrueshme dhe që të jetë e drejtë”, shtoi ai.
“Kjo është arsyeja pse po udhëtoj në Uashington, së bashku me udhëheqësit e tjerë evropianë për ta diskutuar këtë ballë për ballë me presidentin Trump dhe presidentin Zelensky – sepse është në interesin e të gjithëve, është në interesin e Britanisë së Madhe që ta bëjmë këtë siç duhet”, tha Starmer.
Starmer do të shoqërohet nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryemistrja italiane, Giorgia Meloni dhe presidenti finlandez, Alexander Stubb.
Shefi i NATO-s Mark Rutte dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do të marrin pjesë gjithashtu.
Në një mesazh në platformën e tij “Truth Social”, Trump tha se presidenti Zelensky mund ta përfundonte luftën me Rusinë pothuajse menjëherë, nëse dëshironte, ose mund të vazhdonte të luftonte.
“Ukraina nuk duhet të hyjë në NATO – mbajtja e fqinjit të saj jashtë aleancës dhe pakti i saj i mbrojtjes së ndërsjellë ka qenë një nga qëllimet kryesore të Rusisë”, shtoi ai.
Por Starmer, së bashku me udhëheqësit e tjerë të NATO-s tha se Ukraina është në një rrugë të pakthyeshme drejt anëtarësimit në aleancën e sigurisë.
“Rusia nuk mund të ketë veto kundër rrugës së Ukrainës drejt BE-së ose NATO-s”, tha sot zëdhënësi zyrtar i kryeministrit Starmer. //a.i/