E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJERMANI – “Merck” merr miratimin për medikamentin kundër kancerit

FRANKFURT, 18 gusht /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian i ka dhënë gjigantit farmaceutik gjerman “Merck” miratimin për të përdorur medikamentin “Ogsiveo” kundër kancerit, njoftoi sot firma me seli në Darmstadt.

Medikamenti është miratuar si terapi për trajtimin e tumoreve të rralla të indeve të buta tek të rriturit. “Ogsiveo” është terapia e parë dhe e vetme e miratuar në BE për trajtimin e të ashtuquajturve tumore desmoide.

“Ogsiveo” është prodhuar nga kompania biofarmaceutike amerikane “Springworks ”, të cilën “Merck” e bleu në korrik për rreth 3 miliardë euro blerja më e madhe në biznesin farmaceutik të “Merck” në pothuajse 20 vjet.

Tumoret desmoide janë tumore të rralla, lokalisht agresive që rriten në indin lidhës të trupit.

Sipas shifrave, rreth 1 300 deri në 2 300 raste të reja diagnostikohen në BE çdo vit. Tumoret mund të çojnë në dhimbje të forta, lëvizshmëri të kufizuar dhe lodhje të rëndë e të vazhdueshme dhe janë të vështira për t’u trajtuar.

“Ogsiveo” është tashmë në treg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Merck”  e bleu” Springworks Therapeutics” me shpresën se kompania do të merrte edhe autorizimin për marketing në në vendet e BE-së.

Drejtoresha ekzekutive e “Merck”, Belen Garijo, shpreson që “Ogsiveo” të bëhet një medikament  i suksesshëm dhe të gjenerojë shitje vjetore prej të paktën 1 miliard dollarësh për grupin, tha ajo. /Ad.Ab/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›