E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJERMANI – Wadephul skeptik ndaj dislokimit të trupave në Ukrainë

BERLIN, 18 gusht /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul ka shprehur skepticizëm në lidhje me idenë e dërgimit të ushtarëve gjermanë në Ukrainë – si pjesë e garancive perëndimore të sigurisë kundër sulmeve ruse.

“Një veprim i tillë ka shumë të ngjarë ta mbingarkojë Gjermaninë”, tha sot politikani konservator – duke e përshkruar këtë perspektivë si një çështje të largët.

Ai tha se Gjermania po përqendrohej në mbrojtjen e territorit të NATO-s, duke theksuar se ishte i vetmi vend evropian që kishte stacionuar një brigadë të gatshme për luftë në Lituani.

“Kjo nuk do të thotë që ne nuk mund ta mbështesim Ukrainën në mënyra të tjera ushtarakisht dhe teknikisht”, shtoi Wadephul.

Wadephul rikonfirmoi qëndrimin e Gjermanisë se vetëm Ukraina mund të vendoste nëse dhe në çfarë kushtesh mund të lëshonte territor.

“Ajo mund ta pranojë një hap të tillë vetëm nëse mund të jetë e sigurt se sulmet ruse me të cilat është përballur nuk do të ndodhin sërish- dhe kjo do të thotë garanci sigurie”, tha ai.

Wadephul theksoi gjithashtu se roli udhëheqës i Gjermanisë në konflikt ishte kryesisht politik.

“Kancelari Friedrich Merz ka arritur të bashkojë evropianët për luftën në Ukrainë – pavarësisht interesave të ndryshme kombëtare. Kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu”, theksoi Wadephul. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›