BM – Starmer: Ideja e një force paqeruajtëse për Ukrainën do të kthehet nga koncept politik në plane ushtarake

LONDËR, 20 mars /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik, Keir Starmer tha se takimi i shefave të mbrojtjes do ta kthejë idenë e një force paqeruajtëse për Ukrainën nga një koncept politik në “plane ushtarake”.
Kryeministri tha pas bisedimeve mes SHBA-së dhe Rusisë se nëse marrëveshja realizohej, i ashtuquajturi koalicioni i të gatshëmve do të duhej të ishte gati të reagonte menjëherë.
“Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme, sot që ne po e kthejmë momentin politik që patëm në fundjavë, takimi i rreth 30 liderëve politikë, duke e kthyer atë sot nga nje koncept politik në plane ushtarake”, tha ai për “Sky News”.
“Kjo është ajo që po ndodh dhe sot, ato plane fokusohen në mbajtjen e qiejve të sigurt, të deteve dhe kufijve të sigurt në Ukrainë”, tha Starmer.
“Tani, ne po punojmë me ritëm, sepse nuk e dimë nëse do të ketë një marrëveshje – sigurisht shpresoj se do të ketë – por nëse ka një marrëveshje, është vërtet e rëndësishme që ne të jemi në gjendje të reagojmë menjëherë”, tha ai.
Shefat ushtarakë nga Britania e Madhe dhe aleatët e saj u takuan sot për të diskutuar mënyrat se si paqeruajtësit mund të operonin në Ukrainë për të penguar sulmet e mëtejshme ruse – nëse arrihej një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Kjo mund të nënkuptojë se forcat britanike që aktualisht ruajnë krahun lindor të NATO-s do të ridislokohen në Ukrainë, me aleatët e tjerë që mbushin boshllëkun. //a.i/