BMB Prishtina sfidon kampionin e Turqisë
Kampioni i Kosovës në futsall, BMB Prishtina të shtunën në kryeqytet do ta zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj kampionit të Turqisë, Istanbul SK. Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetari i ekipit prishtinas, Visar Miftari. Kjo ndeshje do të zhvillohet me moton “UEFA, we are ready” (UEFA, ne jemi gati).
“Istanbul i është përgjigjur pozitivisht ftesës sonë me leje të Federatës së Futbollit të Turqisë. Andaj kemi vendos që nëpërmjet kësaj ndeshjeje t’ia kujtojmë UEFA-s se Kosova është e gatshme për t’u ndërkombëtarizuar”, tha Miftari.
Ai tha se klubi i tij nuk e ka pasur aq të vështirë ta organizojë këtë miqësore, për faktin se BMB Prishtina edhe në të kaluarën ka organizuar ndeshje të tilla ndërkombëtare.
“Pasi i zhvilluam pesë miqësore ndaj pesë kampionëve të shteteve të ndryshme, nuk ka qenë edhe aq vështirë për kryesinë e BMB Prishtinës ta organizojmë miqësoren e radhës ndaj kampionit të një shteti tjetër me futsall të zhvilluar, siç është Turqia, e cila është në mesin e 12 shteteve më të mira në Evropë dhe që do të merr pjesë në ‘Euro 2012’, që mbahet në Kroaci”, shtoi ai.
Sipas tij, kampioni turk ka vendosur të zbarkojë në Kosovë, pasi është bindur se BMB Prishtina është një klub shumë serioz që ka një tifozeri të zjarrtë.
Miftari pohoi se kjo ndeshje do t’i shërbejë edhe përfaqësueses së Kosovës në futsall, pasi për BMB Prishtinën luajnë shumë reprezentues kosovarë, sikurse që luajnë reprezentues turq në Istanbul SK.
Takimi mes kampionit kosovar dhe atij turk zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë prej orës 17:00.