E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derbi i kampionëve

Dy klubet dominuese në Premierligë në dekadën e fundit, Manchester United e Chelsea, do t’i masin forcat në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Londinezët kërkojnë hakmarrje për finalen e 2008-ës, kur humbën me penallti, kurse ‘Djajtë e Kuq’ shkojnë në Stamford Bridge me besim të plotë. Në sfidën tjetër, Barcelona do të ketë punë me ekipin e papërshtatshëm Shakhtar Donetsk. Nga Express më 06 prill 2011 në ora 10:49

S’do mend se kryendeshja e çerekfinales së Ligës së Kampionëve do të jetë e tëra angleze. Dy klubet dominuese në Premierligë në vitet e fundit, Manchester United e Chelsea, do të përballen në mes vete të mërkurën mbrëma në stadiumin ‘Stamford Bridge’ të Londrës.

‘Blues’ do t’i hyjnë kësaj sfide me të vetmin qëllim: hakmarrjen pas humbjes demoralizuese në finalen e vitit 2008 pas ekzekutimit të penalltive. Ekipet do të ballafaqohen për herë të tretë këtë sezon. United e fitonte lojën e parë 3-1, e vlefshme për ‘Community Shield’ në stadiumin Wembley, mirëpo Chelsea fitoi në Premierligë 2-1 më 1 mars të këtij viti.

Ekipi i Carlo Ancelottit ka mbetur paksa prapa në kampionatin anglez, kështu që të gjitha forcat i ka përqendruar në kompeticionin më të rëndësishëm evropian. Trajneri italian thotë se pronari Roman Abramovich e meriton ta fitojë këtë kompeticion.

“Liga e Kampionëve është ëndërr për këtë klub, por nuk duhet të jetë obsesion. Jemi të motivuar për ndeshjen me Manchester United. Chelsea humbi në finale nga penalltitë, ndërsa vitin pasues u eliminua në gjysmëfinale vetëm në momentin e fundit. Unë u kam thënë futbollistëve të mi se i kemi vetëm 45- minuta lojë për ta fituar Ligën e Kampionëve. Besoj se mund ta bëjmë këtë”, tha ish trajneri i Juventusit e i Milanit.

‘Djajtë e Kuq’ nuk kanë fituar në ‘Stamford Bridge’ që nëntë vjet. Por, kjo nuk do të thotë se ata nuk do të shkojnë në anën perëndimore të Londrës për të kërkuar rezultat pozitiv, pas formës së mirë që po kalojnë.

“Mendoj se ata kanë statistika më të mira se në ndeshjet e fundit. Por, ne i mposhtëm në finalen e 2008-ës, pasi ishim ekip më i mirë. Gjithashtu ishim ekip më i mirë se Chelsea edhe disa javë më parë. Duhet të kemi paksa fat ndaj tyre. Shihet se Abramovich është i vendosur që ta fitojë këtë kompeticion. Kjo është arsyeja pse ai shpenzoi 50 milionë funte vetëm në janar”, deklaroi menaxheri i United, Sir Alex Ferguson, i cili kërkon golin e mysafirit, që do të thoshte shumë për ekipin e tij.

Sfida tjetër vë përballë gjigantin spanjoll, Barcelona dhe befasinë e këndshme ukrainase, Shakhtar Donetsk. Katalunasit e kishin mposhtur ekipin ukrainas në ndeshjen e Superkupës së Evropës në vitin 2009.

Ekipi i Pep Guardiolas duhet të ketë kujdes nga ekipi i Donetskut, i cili është i fortë në mbrojtje dhe ‘vrasës’ me kundërsulme. Këtë e di më së miri Roma, e cila pësoi eliminim të turpshëm në të tetën e finales nga ukrainasit.

Barça do të hyjë në këtë lojë me mungesat në mbrojtje, Carles Puyol e Eric Abidal, por trajneri Guardiola do të mundohet t’i mbulojë këto mungesa me lojtarët që ka në dispozicion.

Ndeshjet çerekfinale

E mërkurë
Chelsea-Manchester United20.45
Barcelona-Shakhtar Donetsk20.45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›