BMW X5 e Bekhamit, në kufirin shqiptar. Ja historia e plotë

Makina 180 mijë dollarëshe e David Bekham u vodh në Madrid
Policia maqedonase e bllokoi para se të kalonte doganën
Vidhet në Madrid dhe kapet në kufirin shqiptar makina e David Bekham. Edhe pse adhuruesit e tij nuk janë të paktë në vendin tonë, gjithcka e ka lidhur yllin e futbollit britanik, David Bekham, me Shqipërinë janë lajmet e këqija. Në fillim një histori e stisur për gjoja një pengmarrje, që një grup shqiptarësh do t'i bënin familjes së tij dhe së fundmi makina e tij "BMW X5" luksoze e vjedhur në Madrid kohë më parë është kapur nga policia maqedonase në kufirin me Shqipërinë dhe dyshohet se do të trafikohej në vendin tonë. Së fundmi, autoritetet maqedonase i kanë kërkuar Bekhamit, të braktisur nga Anglia dhe të lënë në stol nga Reali, që të kërkojë makinën ose ata shumë shpejt do ta nxjerrin në ankand. Bllokimi Makina, sic kanë thënë autoritet e policisë së vendit fqinj për agjencinë e lajmeve "Reuters", është bllokuar në kufirin mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, kur policia goditi një rrjet trafikantësh. Dyshohet se makina e vjedhur në Spanjë do të kalonte kufirin dhe do të hynte në vendin tonë, ku edhe do të shitej. Policia fillimisht nuk e ka ditur që kishte të bënte me makinën luksoze të një VIP-i dhe vetëm pas një sërë verifikimesh, është arritur në përfundimin se ajo i përkiste Bekhamit. Makina ishte trafikuar nga Madridi, por ende nuk dihet se si iu është fshehur ajo doganierëve në një sërë vendesh. Policia maqedonase që kishte informacion rreth rrjetit e ka zbuluar atë, vetëm kur makina do të kalonte për në Shqipëri, pasi që më parë ajo kishte të dhëna në lidhje me grupin e trafikantëve. Vjedhja Sipas të dhënave të policisë së vendit fqinj, Bekham e ka humbur makinën në kryeqytetin e Spanjës, në Madrid, ndërsa ishte duke ngrënë një drekë me dy djemtë e tij. Nga të dhënat e policisë spanjolle mësohet se makina e pajisur me aparate të sigurisë së lartë dhe me një vlerë prej 180 mijë dollarësh, ishte vjedhur nga një bandë mjaft e sofistikuar. Madje, nga të dhënat mësohet se për të hapur dhe ndezur makinën, të cilën Bekham e kishte mjaft qejf, është përdorur një lap-top (kompjuter që mbahet në cantë), me të cilin janë thyer kodet e makinës. Makina i ishte besuar njërit prej punonjësve të sigurisë së familjes Bekham dhe ishte e parkuar para shtëpisë së tij në Madrid. BMW-ja ishte një nga prodhimet më luksoze, ajo ishte e blinduar dhe krejtësisht gri. Gazeta tabloid "The Sun" shkruante se futbollisti kishte reaguar tmerrësisht keq kur kishte mësuar humbjen, ndërsa në foto shfaqej Bekham i dëshpëruar pas një rasti të humbur dhe bashkangjitur makina e tij po ashtu e humbur. Sidoqoftë, policia madrilene deklaronte se hajdutët nuk duket se e kishin ditur që makina i përkiste pikërisht yllit të futbollit. Ankandi "Nëse nuk vjen ta marrë, do ta shesim" Policia e Maqedonisë nuk ka ndërmend të presë për një kohë të gjatë që Bekham të kërkojë makinën e tij. Ajo ka njoftuar se nëse ai nuk kërkon ta rimarrë brenda një kohe të shkurtër, atëherë makina do të nxirret në ankand dhe do t'i shitet ofruesit më të mirë. Sigurisht, fakti që është makina e vjedhur e David Bekham, do të tërheqë mjaft blerës të apasionuar, që duhet të kenë parasysh faktin se ankandi fillon pak më lart se vlera reale e makinës, pikërisht sepse atë e ka ngarë një nga njerëzit më të famshëm në botë. Nga ana tjetër, edhe pse ishte mërzitur shumë, Bekhami nuk ka mbetur shumë keq. "Audi", sponsore e Realit të Madridit, i ka dhuruar atij një fuoristradë të tipit të fundit të kësaj marke. Shidra 180 mijë dollarë kushtonte makina BMW që iu vodh David Bekham, makina u kap në kufirin mes Maqedonisë dhe Shqipërisë Precendentët Me të njëjtin fat, Barezi dhe Baxhio Franko Barezi, Roberto Baxhio dhe mjaft futbollistë të tjerë kanë pasur fatin e keq të humbin makinat e tyre. Barezi, mbrojtësi i famshëm i Milanit dhe i Kombëtares Italiane e humbi makinën e tij ndërsa ishte duke ngrënë darkë në një restorant disa vite më parë. Hajduti që edhe kësaj radhe ishte shqiptar, kërkoi ndjesë kur mësoi se makina që kishte vjedhur duke i thyer xhamat ishte e idhullit të futbollit.