BMW X5 përplaset me pemën, pesë të plagosur te "Myslym Shyri"
Tiranë - Përplasja e makinës me një pemë, vetëm disa metra larg qendrës së kryeqytetit, për pak sa nuk i ka kushtuar jetën 4 pasagjerëve dhe shoferit të mjetit. Ngjarja ndodhi në rrugën "Myslym Shyri", pranë kryqëzimit me tregun "Çam", në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Drejtuesi i automjetit tip "BMW" me targë TR 9500 P, një 30-vjeçar me nënshtetësi turke, për t'iu shmangur një betoni është përplasur me pemën dekorative në anë të rrugës, duke u plagosur vetë, si dhe duke dëmtuar personat që ndodheshin në makinë. Aksidenti ka ndodhur në kohën kur automjeti po lëvizte në drejtim të qendrës së Tiranës, duke dalë nga rruga "Myslym Shyri". Sipas burimeve nga policia mësohet se nga përplasja janë plagosur, drejtuesi i mjetit, 30-vjeçari Enis Yayla, dy vajza E.M., 25 vjeç dhe O.M., 21 vjeç, si dhe dy shtetas grekë, Janis Karathanasis, 27 vjeç e Dhionis Marinos, 37 vjeç. Fillimisht të dëmtuarit janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku mësohet se pas ndihmës mjekësore është arrestuar drejtuesi i makinës, Enis Yayla, me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas njoftimit të policisë së Tiranës, mësohet se në kohën kur ka ndodhur aksidenti, drejtuesi i mjetit dyshohet se kishte konsumuar pije alkolike. Duke u nisur nga ky fakt, 30-vjeçarit me nënshtetësi turke, i është shtuar edhe një akuzë tjetër, veç asaj të shkeljes së rregullave të qarkullimit, duke e pandehur edhe për "drejtim të mjetit në gjendje të dehur apo pa dëshmi aftësie". Sipas burimeve nga Spitali Ushtarak, mësohet se drejtuesi i mjetit ka pësuar vetëm disa gërvishtje dhe dëmtime jo serioze dhe pa rrezik për jetën. Sapo është mjekuar ai është prangosur nga oficerët e Hetimit të Aksidenteve. Ndërsa mësohet se personat e tjerë kanë qëndruar për t'u mjekuar në spital, nën kujdesin e mjekëve pasi kanë dëmtime më të rënda. Sipas tyre, njëra nga vajzat paraqitet me probleme më të rënda shëndetësore, madje ka dhe disa fraktura, ndërsa tjetra është jashtë rrezikut për jetën dhe gjendja e saj është përmirësuar. Me dëmtime jo serioze mësohet se kanë qenë edhe dy shtetasit grekë, Janis Karathanasis dhe Dhionis Marinos, të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore kanë lënë spitalin dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre. Sipas deklarimeve që të plagosurit kanë dhënë për ekspertët e hetimit të aksidenteve, mësohet se drejtuesi i mjetit Enis Yayla, nuk ka qenë duke ecur tej normave të lejuara. Makina nuk po lëvizte me shpejtësi në kohën e aksidentit. Sipas të plagosurve, ai ka qenë me një shpejtësi normale, por duke tentuar t'i shmangej një betoni në rrugë, është përplasur me një pemë dekorative në anë të aksit. e.d