Banda, bllokohet dëshmia e të penduarit
Armand Bajrami
Në një hark kohor prej shtatë orësh, Gjykata për Krimet e Rënda dështoi dy herë dje në administrimin e dëshmisë së Adriatik Colit, i penduar i "Bandës së Durrësit". Dy proceset gjyqësore në të cilat duhet të dëgjohej dëshmia e të penduarit u shtynë, duke mos u mundësuar togave të zeza të njiheshin me deklarimet e tij mbi krimet e bandës së Lulzim Berishës dhe Indrit Dokles. I penduari i drejtësisë, Adriatik (Dritan) Coli, pritej të dëshmonte dje në lidhje me krimet që i "faturohen" "Bandës së Durrësit" në dy procese: atë të të akuzuarve si anëtarë të grupit kriminal dhe në procesin kundër Bujar Gashit, i cili gjykohet i veçuar nga anëtarët e tjerë të organizatës. Shkak për shtyrjen e të dy seancave u bënë avokatët e të pandehurve me manovrat e largimit nga salla e gjyqit. Në seancën në ngarkim të personave të akuzuar si anëtarë të bandës mungonin disa prej avokatëve, ndërsa në gjykimin ndaj Bujar Gashit avokati u largua nga seanca pas pretendimeve për parregullsi në proces. Pasi nuk është mundësuar pyetja e tij, në asnjë nga dy proceset, i penduari Coli është ridërguar në masa të larta sigurie në vendqëndrimin e tij "sekret". I penduari Coli, shoqërohet në gjykatë nga forcat speciale për çdo seancë të "bandës së Durrësit", prej më se dy vjetësh. Shtyrjet e vazhdueshme të gjyqit kanë dështuar administrimin e dëshmisë së tij.
DESHTIMI I DYFISHTE
Mosprania e disa prej avokatëve mbrojtës pengoi dje zhvillimin e seancës në ngarkim të të akuzuarve si anëtarë të "Bandës së Durrësit". Burime pranë seancës thanë se tentativa e gjykatës, për të "zhbllokuar" situatën duke caktuar kryesisht një avokate, nuk rezultoi e suksesshme, pasi mes klientit të saj dhe atij të caktuar nga gjykata kishte konflikt interesi. Seanca, që prej disa muajsh zhvillohet me dyer të mbyllura për median, përfundoi vetëm pak minuta pasi kishte nisur duke u shtyrë për të hënën e javës së ardhshme. Vetëm pak orë më pas, një tjetër trupë gjykuese hapi seancën në ngarkim të Bujar Gashit, ish-anëtar i Bandës së Durrësit. Avokati i tij pretendoi se po shkelej Kodi i Procedurës Penale, pasi se të pyetjej i penduari Adriatik Coli, i cili është edhe i bashkëpandehur me Gashin, duhet të pyeteshin dëshmitarët tjerë të krimeve. Gjykata pranoi në vijim largimin e të arrestuarit Bujar Gashi nga seanca. Ai tha se ishte i sëmurë dhe se ishte paraqitur vetëm për korrektesë në gjykatë. Pak minuta pas largimit të tij nga seanca, avokati u shpreh se nuk mund ta mbronte klientin, kur ai nuk ishte i pranishëm në sallë, pasi nuk kishte marrë tagër prej tij. I gjendur në të tilla kushte, avokati u largua nga seanca çka e bëri të pashmangshme shtyrjen e seancës.