Mashtroi me vizat, kapet "oficeri i Interpolit"
TIRANE - Një 22-vjeçar, i cili dyshohet se mashtronte qytetarët duke u prezantuar si oficer i Interpolit, u arrestua dy ditë më parë nga Oficerët e Antikrimit Ekonomik të kryeqytetit. Burime nga policia thanë se është arrestuar Marsel Dhroso, në afërsi të "21 Dhjetorit", madje edhe në momentin e arrestimit, duke paraqitur një dokument të falsifikuar, ai u është prezantuar efektivave të policisë si koleg i tyre, duke iu thënë se ishte oficer i Interpol-Tiranës. Marsel Dhroso ishte prej disa javësh në hetim, pasi ishte denoncuar nga disa qytetarë, në të paktën 5 raste, të cilët i kishte mashtruar duke iu premtuar se do i nxirrte viza për të ikur në Amerikë. Por pasi iu merrte nga 350 mijë lekë të vjetra secilit, ai zhdukej dhe nuk i takonte më. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, arrestimi i tij u krye pasi në afërsi të kryqëzimit të "21 Dhjetori" u kap me disa dokumente të llojeve të ndryshme, si pasaporta për jashtë shtetit, fletë të printuara nga faqja e Interpolit, vërtetime gjykate dhe prokurorie, fotokopje pasaportash dhe dëshmie për drejtim automjeti etj. Edhe pse u është prezantuar si oficer policie, kjo nuk ka penguar efektivat blu që të ushtrojnë një kontroll mbi "kolegun", i cili u duk qartë se përdori titullin polic për të fshehur mashtrimet e tij. Sipas policisë, nga hetimet e kryera rezultoi se i riu përveç 5 denoncimeve në polici, ka mashtruar edhe një person tjetër, duke i vjedhur me anë të mashtrimit një shumë parash prej 350 mijë lekësh, si dhe dy pasaporta, me qëllim se do t'i nxirrte viza për në Amerikë. e.d