Abuzimet, në hetim tre ish-dekanë
ELBASAN/ ALDO KOZARIA
Tre ish-dekanë, sot pedagogë pranë universitetit “Aleksandër Xhuvani’ në Elbasan janë duke u hetuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv. Prokuroria e Elbasanit bëri të ditur lajmin, duke mos përjashtuar mundësinë që së shpejti të firmosë edhe urdhër-arrestin ndaj tyre me akuzat e mësipërme. Nga verifikimet e kryera rezulton se ata kanë shpërdoruar detyrën, duke shkelur kuotat e miratuara nga Ministria e Arsimit për numrin e studentëve që gëzojnë të drejtën për t’u arsimuar. Fenomeni ka ndodhur në sistemin Part-Time, i cili prej vitesh është hapur edhe në universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Sipas Prokurorit të Rrethit Elvin Gokaj, dosja është drejt përfundimit. Atë e ka bllokuar vetëm një dokument që pritet të mbërrijë nga Ministria e Arsimit. Kjo e fundit mësohet se ende nuk i ka kthyer përgjigje zyrtare kërkesës së organit të akuzës në lidhje me kuotat e sistemit të korrespondencës për periudhën 2006-2008. Gjatë kësaj periudhe dyshohet të jenë kryer abuzime masive nga ana e dekanëve që janë nën hetim, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditura nga prokuroria.
Sipas burimeve, nëse përgjigjja nga Ministria e Arsimit do të mbërrinte brenda një afati të shkurtër dhe materiali do të përputhet me dyshimin e tyre, atëherë Prokuroria e Elbasanit mund të lëshojë tre urdhra arresti për tre pedagogët aktualë në universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Të njëjtat burime të prokurorisë u shprehën se ata e kanë të dokumentuar akuzën për shpërdorim detyre, por janë duke hetuar në lidhje edhe me një akuzë tjetër, e cila ka të bëjë me dëmin financiar, që i kanë shkaktuar dekanët shtetit shqiptar. Sipas kryeprokurorit Gokaj, hetimet pranë universitetit nuk përfundojnë me kaq. Ai pohoi se prej kohësh në Prokurorinë e Elbasanit është duke u punuar për goditjen e korrupsionit në këtë universitet. Deri më tani pranë organit të akuzës janë paraqitur mjaft studentë që kanë kryer denoncime për mitmarrje, por për t’i dokumentuar ato duhen prova. Mësohet se studentët denoncues nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Elbasanit, e cila duket e vendosur për goditjen e korrupsionit, fenomen ky mjaft shqetësues për këtë universitet gjatë viteve të fundit. Prokurori Gogaj u shpreh se bashkëpunimi me rektoratin e universitetit ka qenë shumë i mirë dhe shumë shpejt pritet të ketë goditje të fuqishme përsa i përket pedagogëve që marrin ryshfet. “Janë një grup pedagogësh që janë duke u mbajtur nën vëzhgim dhe prokuroria në bashkëpunim me sektorin e krimit ekonomik në drejtorisë e policisë Elbasan, pasi të kenë grumbulluar prova të mjaftueshme pritet të ndërhyjnë për arrestimin e tyre”, u shpreh Gogaj. Ndërkohë, për dosjen në ngarkim të tre ish-dekanëve, që sot kryejnë detyrën e pedagogut dhe shefave të departamenteve, Prokuroria e Elbasanit ka një dosje voluminoze, e cila ka në përbërjen e saj 400 faqe.