Infermieret e Gjegjanit hedhin në gjyq eprorët për 500 orët shtesë
PUKE - Infermieret e komunës Gjegjan të Pukës janë detyruar t’i drejtohen drejtësisë, pasi nuk kanë munduar të gjejnë një zgjidhje me drejtuesit e tyre në lidhje me pagesën e orëve shtesë. Janë gjashtë infermiere, të cilave nuk u janë paguar 500 orë shtesë të shërbimit të tyre. Tentativa e stërzgjatur e tyre për të gjetur një zgjidhje ka rezultuar e kotë, ndaj ato kanë vendosur që t’i drejtohen gjykatës për t’i dhënë fund një herë e mirë kësaj padrejtësie. Ato janë detyruar të punojnë edhe jashtë orarit të punës në raste të veçanta në zonat e thella të Pukës, por puna e tyre nuk iu është shpërblyer nga shteti. Drejtuesit e Qendrës Shëndetësore në Gjegjan rrezikojnë të ndiqen penalisht, pasi ata nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë me drejtësinë në lidhje me këtë çështje. Ata janë paralajmëruar në Gjykatën e Pukës, ku për të tretën herë është shtyrë procesi gjyqësor i ngritur nga infermieret e qendrës shëndetësore të Gjegjanit. Avokati i kësaj çështjeje, Artur Murra bëri të ditur se drejtori i Qendrës Shëndetësore nuk ka pranuar të ofrojë asnjë informacion nga sa i është kërkuar zyrtarisht, ndaj ai në bazë të ligjit “Për Avokaturën” ka paralajmëruar ndjekjen penale të drejtorit dhe njëkohësisht edhe mjekut P. Ndoj. Mësohet se infermieret e kësaj komune të thellë janë organizuar dhe kanë hedhur në gjyq drejtorin dhe financierin e qendrës shëndetësore, pasi sipas tyre ata kanë abuzuar me pagën e tyre. Në seancën e fundit gjyqësore, punonjëset e mjekësisë kërkuan nga drejtësia zbardhjen e të vërtetës lidhur me pagat e tyre, konkretisht 500 orët shtesë. “Kemi të papaguara rreth 500 orë shërbimi, ndërkohë që askush nuk na shpjegon se përse ka ndodhur kjo dhe kur do të na shpërblehet puna jonë”, u shprehën infermieret. Sipas tyre, orët e papaguara janë akumuluar prej kohësh. Ato kishin pritur me shpresën se do të lëvrohej fondi për to, por ndonëse ka kaluar një kohë relativisht e gjatë, asgjë konkrete nuk u bë. Të detyruara edhe nga heshtja e eprorëve të tyre, gjashtë infermieret vendosën ta zgjidhin këtë çështje në rrugë ligjore. Zona ku ato shërbejnë është tepër e thellë. Puna në dimër paraqet mjaft vështirësi për bluzat e bardha, të cilat janë të detyruara të shkojnë në shtëpitë e pacientëve në raste urgjencash, jo vetëm ditën por edhe në orët e natës.