E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdesi për duart dhe këmbët në stinën e dimrit



Gjatë dimrit, për shkak të ndikimit të ftohtësisë dhe erës, por edhe për shkak të ngrohjes artificiale, lëkura e duarve thahet. Për këtë shkak është me rëndësi që gjatë kësaj stine të përdorim më shumë kremra të yndyrshëm për duart.
Me ardhjen e ditëve të ftohta, gjatë dimrit, duart tona janë më të ndjeshme, prandaj kanë nevojë edhe për një kujdes më të madh. Në lëkurën e ndjeshme të duarve më së pari shihen pasojat e të ftohtit dhe ajrit të thatë në ambientet tona jetësore. Të gjithë pajtohen me idenë se duart dhe thonjtë flasin shumë për një person dhe, meqë me shtrëngimin e duarve realizojmë kontaktin e parë dhe lëmë përshtypjen e parë, është me rëndësi që të mundohemi që gjithmonë të kemi duar të lëmuara dhe të buta. Duart me lëkurë të thatë dhe të plasur nuk janë aspak të hijshme dhe atraktive.
Mbrojta
Mbrojtja më e thjeshtë dhe më e rëndësishme e duarve gjatë dimrit është mbajtja e dorezave. Estetistët japin këshillat e dobishme për të evituar problemet. Këto këshilla janë si më poshtë: Kur i lani enët, gjithmonë duhet të vini doreza gome, pasi gjatë kësaj pune duart ekspozohen ndaj substancave të shumta kimike që e largojnë yndyrën jo vetëm të enëve, por edhe të duarve. Për këtë shkak duhet ta evitoni larjen e shpeshtë të duarve gjatë ditës. Disa herë në javë duhet t’i lyeni duart me krem natyror për duar, apo edhe më mirë, me vaj kokoje. Kremin ushqyes për duar mund ta përgatitni edhe ju në shtëpi. Përziejeni gjalpin pa kripë me pak mjaltë dhe me bimë si hithre. Për shembull, disa pika limon në duar pas larjes së tyre ndihmojnë në kthimin e lagështisë dhe stabilizimin e pehashit (pH) dhe e furnizojnë lëkurën me vitamina të nevojshme. Është mendim i gabuar se vetëm thonjtë e lyer me llak sigurojnë duar të bukura. Edhe thonjtë e rregulluar më së miri nuk vijnë në shprehje, nëse keni lëkurë të lënë pas dore, të ashpër dhe përplot lëndime të vogla. Për këtë shkak, sa herë që të shihni se keni lëkurë të thatë, apo të tendosur, mos hezitoni që të përdorni krem. Është mirë që, para se të bini në gjumë, t’i bëni lëkurës masazh me krem, pasi masazhi e përshpejton qarkullimin e gjakut. Një herë në javë, apo të paktën një herë në muaj, duhet ta bëni pelingun e duarve, i cili i largon qelizat e vdekura nga sipërfaqja e duarve. Pas bërjes së pelingut, duart e thithin më mirë kremin dhe preparatet tjera. Pelingun e duarve mund ta bëni edhe ju në shtëpi: përzieni gjysmë luge kripë dhe dy lugë vaj ulliri. Lyeni duart me këtë masë dhe, pasi i keni lënë të rrinë disa minuta, shpëlani mirë duart dhe vendosni krem hidratues për duar, apo vaj, sidomos rreth thonjve.
Këmbët
Këmbët gjithmonë mund të jenë të pushuara, të lehta dhe të bukura. Ekspertët këshillojnë se ndihma më e shpejtë dhe themelore është ngritja e këmbëve duke qëndruar shtrirë, rreth 30 centimetra mbi nivelin e zemrës. Qarkullimi i dobët i gjakut, pesha e tepërt, të ushqyerit e keq dhe shtatzënia, janë vetëm disa nga shkaktarët e ndjenjës së pakëndshme dhe lodhjes në këmbë. Të qëndruarit gjatë ulur apo edhe të qëndruarit gjatë në këmbë sjell deri të ënjtura, të cilat janë si rezultat i gravitacionit. Në mënyrë që e ënjtura të zvogëlohet, është e nevojshme që ngritja e këmbëve duke qëndruar shtrirë, rreth 30 centimetra mbi nivelin e zemrës të bëhet nga tri deri katër herë në ditë, në kohëzgjatje prej 10 deri 15 minutash. Periudhat e gjata të uljes i trajtoni me shëtitje të shkurtra çdo dy orë. Për përmirësim të qarkullimit të gjakut dhe kontrollimin e të ënjturave dhe lodhjes së këmbëve, është i rëndësishëm aktiviteti i përditshëm fizik dhe të ushqyerit e shëndetshëm me pakëz krip. Po ashtu, është e rëndësishme të mbani peshë normale trupore, sepse kilet e tepërta ngarkojnë venat dhe ngadalësojnë qarkullimeve e lëngjeve në trup.

Këshilla për duart

Kur të lani enët, gjithmonë duhet të vini doreza të gomës
Evitoni larjen e shpeshtë të duarve gjatë ditës. Disa herë në javë duhet t’i lyeni duart me krem natyror për duar
Sa herë që të shihni se keni lëkurë të thatë, apo të tendosur, mos hezitoni që të përdorni krem
Para se të bini në gjumë, i bëni lëkurës masazh me krem, pasi ndihmon në qarkullimin e gjakut
Bëni një herë në javë, apo të paktën një herë në muaj, pelingun e duarve, i cili i largon qelizat e vdekura nga sipërfaqja e tyre

Këshilla për këmbët

Vaji i bajameve
Përdorimi i përditshëm i vajit të bajames në këmbë pas larjes apo dushit, do ta bëjë lëkurën më të butë dhe më elastike dhe do të zvogëlojë ndjenjën e peshës në këmbë
Masazhi
Vajrat më të mirë janë ato të livandës, rozmarinës, lajthive etj. Në 200 ml ujë, hidhni 4-5 pika vaj dhe me këtë lëng, u bëni këmbëve masazh këmbëve nga poshtë-lart
Ndihma qarkullimit
Flini me këmbë të ngritura
Shmangni çorapet e ngushta
Mos u ulni këmbëkryq
Dushin përfundojeni me një shpëlarje të këmbëve me ujë të ftohtë

10 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›