E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BOGOTA – Kolumbia tërhiqet nga fluturimet e dëbimit pas kërcënimit për tarifat nga Trump

BOGOTA, 27 janar /ATSH/ – SHBA nuk do të vazhdojë me tarifat ndaj Kolumbisë, pasi Bogota ra dakord të pranojë – pa kufizime – emigrantët e dëbuar, tha Shtëpia e Bardhë, sipas BBC.

Presidenti Trump kishte urdhëruar tarifa 25% për të gjitha mallrat kolumbiane pasi presidenti i vendit ndaloi dy fluturime ushtarake amerikane të dëbimit që të zbarkojnë në vend.

Presidenti kolumbian Gustavo Petro ishte përgjigjur fillimisht duke thënë se vendi i tij do të pranonte qytetarët e riatdhesuar në “avionët civilë, pa i trajtuar ata si kriminelë”.

Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë thotë se Kolumbia tani ka rënë dakord të pranojë emigrantët që mbërrijnë me avionët ushtarakë amerikanë “pa kufizim apo vonesë”.

Kolumbia tha se një dialog do të mbahet për të “garantuar dinjitetin e qytetarëve tanë”.

Shtëpia e Bardhë e ka përshëndetur marrëveshjen me Kolumbinë si një fitore për qasjen e linjës së ashpër të Trump, pasi dy liderët e vendit shkëmbyen dje kërcënime në mediat sociale.

Petro më herët kishte refuzuar hyrjen në fluturimet e dëbimit amerikan duke thënë se emigrantët duhet të kthehen “me dinjitet dhe respekt”.

Si përgjigje, Trump njoftoi “masa hakmarrëse urgjente dhe vendimtare” në një postim në faqen e tij të mediave sociale Truth Social, duke përfshirë tarifat dhe sanksionet e vizave.

”Bllokada juaj nuk më tremb, sepse Kolumbia, përveçse vendi i bukurisë, është edhe zemra e botës”, tha Petro.

Brenda pak orësh, të dy palët dukej se e kishin zgjidhur mosmarrëveshjen dhe Shtëpia e Bardhë tha se Kolumbia kishte rënë dakord për “të gjitha kërkesat e Presidentit Trump”.

”Tarifat e propozuara të Trump ishin përpiluar plotësisht dhe do të zbatoheshin nëse Kolumbia nuk e respekton këtë marrëveshje”, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Trump kishte njoftuar gjithashtu sanksione për viza dhe inspektime të zgjeruara ndaj kolumbianëve në kufi.

Ministri i Jashtëm i Kolumbisë, Luis Gilberto Murillo tha se vendi do të “vazhdojë të pranojë kolumbianët që kthehen si të dëbuar, duke u garantuar atyre kushte të mira”.

Të enjten e kaluar, Kongresi Amerikan miratoi aktin ”Laken Riley”, i cili do të zgjerojë shumë fuqinë e autoriteteve të imigracionit për të ndaluar emigrantët./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›