BRUKSEL – Sorensen konfirmohet përfaqësues i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi

Politikani nga Danimarka u zgjodh nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, për ta zëvendësuar Mirosllav Lajçakun në këtë post.
Pasi ka marrë pëlqimin nga ambasadorët dhe kryediplomatët, Sorensen do të nisë mandatin më 1 shkurt.
Emisarit aktual, Lajçak, i skadon mandati më 31 janar.
Para nisjes së takimit në Bruksel të kryediplomatëve, ku Sorensen u konfirmua, ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, tha se me zgjedhjen si emisar të diplomatit nga Danimarka, po dërgohet mesazhi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet lart në agjendën e bllokut evropian.
Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.
Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.
Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.
Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.
Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut./ (REL) a.jor.