E Shtunë, 31 Tetor 2026

"BOSNIA LIGHT" DHE "AHTISAARI PLUS"

1.

Brenda ditës, më 15 qershor të këtij viti, do të duhej të ndodhnin dy gjëra: të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës e të dalë nga Kosova administrata e deritanishme e Kombeve të Bashkuara. Kjo hyrje-dalje politike mund të matet më së miri aty ku maten hyrje-daljet, në vendkalimin kufitar të veriut të Kosovës, në kufirin me Serbinë.

Në këtë vendkalim, të djegur nga turmat e serbëve kosovarë një javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do të matet zhvillimi i mëtejmë i administrimit në Kosovë, jo vetëm për disa muaj, por për disa vjet. Sot për sot, ky vendkalim mbikëqyret nga KFOR-i, gjë që ilustron në masë të madhe edhe Kosovën, sepse e vetmja forcë, e cila ka legjitimitetin në tërë territorin e Kosovës është mu kjo, KFOR-i. Por, ashtu siç nuk e ka në mandat të vetin të administrojë një vendkalim kufitar, një forcë ushtarake si KFOR-i nuk e ka në mandatin e vet të administrojë as Kosovën.

Më 15 qershor, në të hyrë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, resurset përkatëse të qeverisë së Kosovës (rendi do ta kërkonte), do të urdhërojnë që, në vendkalimet kufitare veriore të vendoset policia kufitare dhe Shërbimi Doganor i Kosovës, të ngrihet flamuri i vendit, të zbresë ai i Kombeve të Bashkuara dhe t‘u urohet mirëseardhje zyrtare njerëzve e mallrave që hyjnë në vend.

2.

Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë rrjedhin tri konkludime.

Një, se Kushtetuta nuk ka hyrë në fuqi për çfarëdo arsye që do të komunikohet;

Dy, se Kushtetuta ka hyrë në fuqi, por nuk po zbatohet, prapë për një arsye që do të komunikohet;

Tre, e bazuar në praktikën e deritanishme, se nuk janë dhënë shpjegime, por dikur do të jepen, nga dikush që di, e ai dikush që di nuk është kosovar.

Nëse kufirin nuk do ta kontrollojnë kosovarët, atëherë rrjedhimisht, do të duhej pritur që këtë ta bënin ndërkombëtarët. A do të jetë misioni evropian, ai që do ta bëjë këtë? Vështirë e besueshme. Të shpallur ‘non-grata‘ nga autoritetet e Beogradit që kontrollojnë ‘de facto‘ pjesën veriore të Kosovës, policët kufitarë dhe doganierët e EULEX-it do të mund të shkonin në veri vetëm nën përcjellje të fortë të KFOR-it. Një mision i tillë do të frikësonte Brukselin, bile hiç më larg se në fazën e planifikimit fillestar.

Nëse nuk e bën EULEX-i, atëherë do të duhej ta bënte UNMIK-u. Por UNMIK-u do të duhej të largohej, apo jo?

Këtë do të mund ta shohim më 15 qershor. Është fare lehtë e mundshme që më 15 qershor në kufirin verior të vendit të mos ketë personel kosovar dhe që atë ditë, në Kosovë të vazhdojë prania e UNMIK-ut.

3.

Deri më 15 qershor do të zhvillohen dy procese paralele. Në njërin, do të zhvillohen negociata mbi kufizimin e mëtejmë të sovranitetit të Kosovës. Kosova ka pranuar që çmimi për shpalljen e pavarësisë dhe njohjes së saj nga shtetet perëndimore të ishte një kufizim i të drejtave sovrane në formën e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, me forcë ndërhyrëse në punët e brendshme. Kjo është paketa e Ahtisaarit. Por, meqë ky proces i pavarësimit u pengua që të realizohej nëpërmjet bekimit të Këshillit të Sigurimit, po bëhen tentime serioze për delegjitimin e tij jashtë (në formën e kufizimit të pranisë ndërkombëtare) dhe brenda (nëpërmjet mospranimit nga ana e popullatës serbe). Gjatë këtyre ditëve janë duke u zhvilluar dhe do të zhvillohen më tutje, pa prani të kosovarëve, negociata me të cilat bëhet përpjekja të krijohet një regjim i veçantë i administrimit për territoret e banuara nga serbët. Kjo do të thotë se do të ekzistojë paketa e Ahtisaarit për territoret e banuara me shqiptarë, dhe "Ahtisaari plus" për territore të banuara me serbët, ato që njihen si Veriu dhe enklavat. Referenca "plus" duhet të nënkuptojë thelbësisht dy gjëra: mbetjen e UNMIK-ut si autoritet dhe koncesionet që ka nevojë t‘i ketë Serbia nga BE për ta legjitimuar praninë e misionit ICO/Eulex në territoret e banuara me serbët.

Në procesin tjetër, do të zhvillohen zgjedhjet serbe. Po të lihet fare anash potenciali destabilizues i mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, me përpjekje për legjitimim të pushtetit serb në territoret kosovare të banuara me serbët, në rastin më të mirë këto zgjedhje do të vazhdojnë me cytjen e status quo-së. Në zgjedhjet në Serbi nuk do të ndodhë një ndryshim dramatik pozitiv, i aso natyre që do të mund të krijonte një ndryshim radikal pozitiv në sjelljet e serbëve të Kosovës.

Dhe, në këto dy muaj deri më 15 qershor, politika ruse do të krijojë presion më të madh që çështja e statusit të Kosovës të mos quhet e përfunduar, por e negociueshme. Deriçka e "Ahtisaarit plus" do të shërbejë për të treguar se edhe më shumë gjëra mund të hapen e zgjidhen brenda një procesi të ri negociator.

4.

Kosova ka gjasa jo të këqija që në formë të shpejtuar të rrëshqasë në modelin "Bosnia light", për të përdorur analogjinë e pijeve ‘Cola‘. Kjo do të thotë që vendi të bëhet i ndërlikuar për qeverisje, deri në paralizë, për shkak të konfliktit "të ngrirë" të integruar në të, e që ingerencat e bashkësisë ndërkombëtare të rriten përpjesëtimisht me problemin e krijuar. Kjo, po ashtu do të thotë që për strukturat vendore qeverisëse, të krijohet një alibi e fortë që të mos merret me çështjet fondamentale të vendit, por me forcimin ekonomik e politik të partive në pushtet nëpërmjet menaxhimit të fondeve e ndërmarrjeve publike. Dhe, kjo e sjell lojën tashmë të parë me UNMIK-un, në të cilën bëhet fajësimi i ndërsjellë mes vendorëve e ndërkombëtarëve për çkado që të shkojë keq në vend.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›