E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, Himara dhe Bollanot

Deri para pak kohësh, fjala ‘bollanot‘ shkruhej edhe me të vogël, sepse ajo përdorej më tepër si epitet për të gjithë ata që, gjasme, në emër të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve, thyenin ligjet shqiptare dhe fyenin kombin shqiptar. Kurse, tani pas trazirave të fundit në Himarë, kjo fjalë duhet shkruar me të madhe, se Bollanot thyejnë ligjet (e jo vetëm ligjet) shqiptare dhe fyejnë shqiptarët, si fis. Nuk përbën ndonjë çudi që familjarët e një pushtetari në Shqipëri të sillen si cuba, po ajo që të bën përshtypje është pamundësia për t‘i trajtuar njëlloj çështjet kur bëhet fjalë për pushtetarë që pretendojnë se janë përfaqësues të minoritetit të ‘vuajtur‘ grek.

Kjo ndodh vetëm, sepse këta njerëz gëzojnë mbështetje të verbër nga Athina zyrtare, me të cilën kemi marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore, sipas të gjithë presidentëve, kryeministrave, ministrave të Jashtëm, kryetarëve të grupeve parlamentare apo sekretarëve për marrëdhëniet me jashtë të PD-së e PS-së, OJQ-ve të pozitës e opozitës etj. Edhe nga pala greke jepet po i njëjti vlerësim, paçka se Presidenti grek, për një protestë paqësore të çamëve që kërkonin pronat e tyre të mohuara prej 60 vjetësh, e ‘la në rrenë‘ Presidentin e atëhershëm, Moisiu. Kurse zv/ministri i Jashtëm grek pritet nga autoritetet më të larta në Tiranë, ndërkohë që ‘fan-club‘-i i tij, që ishte sjellë me autobusë nga Greqia, sulmonte rajonin e policisë në Himarë dhe hidhte parulla antishqiptare.

‘Ushqimi‘ dhe financimi i animozitetit etnik në Shqipëri, nëpërmjet bollanove, nuk bëhet se i ‘plas‘ Athinës për minoritetin grek në Shqipëri, por për t‘u treguar shqiptarëve se askush nuk guxon të dalë kundër tekave të ‘të fortit‘ të Ballkanit. Politikë kjo që i ka dhënë frytet e saj, se sot në Shqipëri, te plot njerëz vazhdojnë të mbizotërojnë psikozat e ‘fshesës greke‘ apo ‘‘97-s, pavarësisht se ato nuk kanë më asnjë shans që të ndodhin. Kurse ministrat, më pak naivë, kanë bindjen se, po të dalin hapur në mbrojtje të interesave kombëtare që bien ndesh me tekat greke, atyre u ‘fluturon‘ posti brenda 24 orëve. Kjo pa dallim feje, krahine apo partie se edhe aspirant-ministrat e opozitës kanë bindjen se po u ‘gërricën me grekun‘, nuk vijnë dot në pushtet. Ndaj këto ditë, nuk kemi asnjë deklaratë të PS-së për të denoncuar sjelljen e Bollanove apo blerjen e mos-vetos greke për të hyrë në NATO, gjatë vizitës së Bakojanis në Tiranë.

Në këto kushte, qëndrimi dinjitoz i atyre pak deputetëve apo politikanëve, si Godo, Xhufi e Idrizi, për sa kohë Bollano kritikave u përgjigjet duke rritur dozën e provokimit, ka vetëm një vlerë morale: se mban gjallë shpresën tek ata që e kuptojnë akoma sensin e fjalës ‘patriotizëm‘. Por që të marrë dhe një vlerë konkrete duhet shoqëruar me nisma politike, që do sillnin largimin e Bollanos. Largimi ceremonial me shkarkime e ndjekje penale, plot sherre e debate, që do ishte më se normal në një shtet funksional, nuk sjell ndonjë fitim të madh. Se po u fut Bollano në burg, Athina sponsorizon një bollano tjetër dhe Himara mbetet në vend numëro. Madje, është disi i rrezikshëm se mund edhe të gjejnë një bollano më pak injorant, që provokimet t‘i bëjë brenda kuadrit ligjor. Prandaj, mënyra më e mirë për t‘i larguar është vota.

Le të analizojmë pak mënyrën si zgjidhet Bollano në Himarë. Përveç logjistikës së vënë në dispozicion nga Athina (autobusë të mbushur me njerëz që sillen për të votuar për të, politikanë e diplomatë grekë, që marrin pjesë në mitingjet e tij, pensionet e paguara nga shteti grek etj.), ai përfiton edhe nga ‘përçarja‘ PS-PD në Himarë, përçarje që mund të evitohet shumë lehtë se është plotësisht në dorë të dy partive, të cilave u duhet bërë një presion më i madh nga qytetarët dhe mediat që të bashkojnë forcat në atë zonë. Atyre u duhet bërë e qartë që polarizimi politik që kanë arritur t‘i bëjnë këtij populli në këto 17 vjet, nuk mund të arrijë deri aty, sa të na bëjë të harrojmë prioritetet kombëtare.

Ndokujt mund t‘i duket e ekzagjeruar të flasësh për prioritete kombëtare, kur flet për Himarën, po në realitet nuk është aspak kështu, po të kemi parasysh potencialin turistik të Himarës dhe zonave përreth saj. Aktualisht, Shqipëria thith rreth 1 miliard euro në vit nga turizmi dhe qytetarët e saj shpenzojnë rreth 930 milionë për pushime jashtë Shqipërisë. Po të kemi parasysh që një pjesë e mirë e të ardhurave janë fryt i turizmit patriotik, bilanci mbarëshqiptar i turizmit rezulton negativ, sepse pa dyshim që shqiptarët e Kosovës apo Maqedonisë shpenzojnë gjithashtu për pushime jashtë Shqipërisë. Për një vend me mbi 400 km bregdet kjo është më keq se absurde, ndaj zhvillimi i turizmit është një prioritet kombëtar.

Durrësi, e deri diku edhe Vlora, për shkak të dendësisë së madhe të ndërtimeve pa kriter janë ‘dënuar‘ të jenë destinacione për një turizëm masiv me kosto të ulët. Ndaj aty përmirësimi i infrastrukturës mund të rrisë cilësinë e pushimeve, por vështirë se do mund t‘i kthejë në destinacione elitare. Kurse bregdeti poshtë Vlorës është akoma i virgjër dhe, po të aplikohet një strategji bashkëkohore investimi, ai mund të kthehet në një destinacion turizmi elitar, që do tërhiqte jo vetëm shqiptarët e kamur (të cilët aktualisht preferojnë t‘i bëjnë pushimet jashtë), por edhe shumë turistë të huaj. Pikërisht kësaj i trembet Bollano, ndaj ai e lufton këtë me të gjitha mënyrat (bllokimi i ndërtimit të rrugës bregdetare apo dëmtimi i qëllimtë i saj, moszgjidhja e çështjes së pronave, deklaratat se nuk dëshiron që në atë zonë të zhvillohet turizmi i strukturuar, por do që të mbetet individual). Përveç një konkurrence direkte për plazhet e Greqisë, që sidoqoftë është shumë e vogël për të qenë shqetësuese për ta, Bollano, me zhvillimin e turizmit në atë zonë do të humbiste ‘armën‘ e tij kryesore, mungesën e dorës së shtetit në zonën e Himarës. Është mungesa e shtetit dhe investimeve në atë zonë, që i kanë hapur rrugën helenizimit të asaj zone. Shumica dërrmuese e banorëve atje janë shqiptarë etnikë, por një pjesë e tyre e mohojnë këtë nga frika se mos humbin privilegjet e akorduara nga Greqia.

Sigurisht që këto janë të vlefshme për të gjithë ata që, për arsye ekonomike kërkojnë të ndërrojnë kombësinë, por Himara ka specifikën, sepse ka një potencial zhvillimi nëpërmjet turizmit, shumë më të shpejt se zonat e tjera. Këtij zhvillimi, Bollano i trembet për shumë arsye.

E para, është thjesht ekonomike. Banorët e zonës do ta kuptonin shumë shpejt se ata me atë potencial që kanë, nuk kanë aspak nevojë për pensionet greke apo ndonjë ‘kockë‘ tjetër, që Athina u hedh për t‘i gënjyer. Tentativat e Bollanos për të penguar investimet do shiheshin prej banorëve të zonës si një dëm ndaj tyre dhe ata nuk do votonin kurrsesi për të. Ndaj zhvillimi i turizmit duhet të bëhet juridikisht, prioritet kombëtar, në mënyrë që të evitohen pengesat nga ana e bollanove në Himarë, Kakome apo gjetkë.

Arsyeja e dytë që Bollano të mos e dëshirojë zhvillim e zonës është etno-politike. Zhvillimi i zonës do sillte rritje edhe të popullsisë së zonës apo kthim të atyre që janë larguar për të punuar në Greqi. Aktualisht, ai siguron votat e emigrantëve që votojnë për të, falë mbështetjes nga shteti grek që organizon kthimin e emigrantëve ‘besnikë" për të votuar. Kurse pjesën e "padëshiruar" ai e eviton, falë largësisë së tyre. Kurse banorët e rinj të zonës i detyron të jetojnë në "klandestinitet". Të regjistrohesh si banor i zonës së Himarës sot, për një shqiptar etnik, është shumë më e vështirë se pasaportizimi në Tiranë në kohën e monizmit. Pra, ne sot kemi akoma "privilegjin" e hyrjes pa vizë në Himarë, por për leje-qëndrimi nuk bëhet fjalë.

Çfarë turpi! Të jetosh si klandestin dhe i përçmuar në vendin tënd, a thua se nuk mjaftojnë përçmimet për ata që kanë emigruar...

Është urgjente, pra, që shteti të marrë masa, që këtyre njerëzve t‘u garantohen të gjithë të drejtat që u jep legjislacioni shqiptar. Atyre u duhet bërë e qartë se po u dhunohen të drejtat themeltare, siç është lëvizja e lirë brenda vendit, dhe se nuk duhet të ngurrojnë t‘u drejtohen organeve të drejtësisë për t‘i kërkuar ato.

Kryefjala reale e politikës dhe baza e konsensusit politik duhet të ishte kthimi i dinjitetit te shqiptarët, nëpërmjet zbatimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik dhe jo pazaret e ndyra "më hiq qafe LSI-në në 2009-ën, të të heq qafe Topin në 2012-ën".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›