E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaka: Dua të bëhem kapiteni i Milanit

Pas paraqitjes së shkëlqyer me Rexhinën, Kaka është konfirmuar si pika e fortë e Milanit. Mbajtësi i çmimit prestigjioz, "Topi i Artë", ka folur për të ardhmen e tij dhe për atë të skuadrës. Në fundjavë 26-vjeçari shënoi tri gola, që i mbajnë kuqezinjtë në garën për një vend në Ligën e Kampioneve. Për të kaluar Fiorentinën, skuadra e drejtuar nga Karlo Ançeloti duhet të fitojë derbin me Interin. Një sfidë, që duke vlerësuar në total paraqitjen e sezonit, jo edhe aq e thjeshtë. Gjithsesi, Kaka ka besim: "Fitorja në derbi ka një shije të veçantë, pranoi ai. Në vitet e para fitonim gjithmonë, ndërsa tashmë u bënë 2 ose 3 vjet që situata ka ndryshuar. Duke lënë mënjanë historinë, do përpiqemi ta fitojmë këtë vit. Është shumë e rëndësishme për ne dhe për sezonin e Milanit". Një lider i vërtetë, një kapiten i ardhshëm. Dëshirë, të cilën Kaka nuk mundohet ta fshehë: "Një ditë do më pëlqente të mbaja shiritin e kapitenit. Momentalisht po mësoj nga Maldini. Nëse një ditë do të bëhesha kapiten, do të ishte diçka shumë e bukur. Te Milani jemi shumë të bashkuar, ky është sekreti ynë". Prej pesë vitesh, fantazisti brazilian luan mesatarisht 60 ndeshje në sezon, duke përfshirë edhe aktivizimin me kombëtaren. Kjo ngarkesë e madhe fizike është edhe shkaktare për dëmtimet e tij më të fundit. "Po luajmë shumë ndeshje brenda një sezoni. Kjo është ajo që diskutojmë edhe ndërmjet nesh. Lojtarët lodhen dhe është e vështirë të gjesh edhe motivimin e duhur: luhet shumë e të paraqitesh gjithmonë në të njëjtat nivele dhe me të njëjtin motivim nuk është e lehtë. Kërkojmë që të na ndihmojnë për të zgjidhur këtë situatë. Dëmtimet janë pasqyrimi më i mirë i kalendarit të dendur". Në mënyrë të pashmangshme Kaka flet për të kaluarën në Ligën e Kampioneve, ku pasi triumfoi mori edhe "Topin e Artë" dhe për synimin që ka skuadra të luajë në këtë aktivitet edhe në sezonin e ardhshëm: "Marrja e ‘Topit të Artë‘ ishte mjaft e vështirë: e vetmja mënyrë që të fitosh një çmim individual është që më parë të kesh fituar me skuadrën. Nëse Milani nuk do të kishte fituar Champions-in, nuk do më jepej ai çmim. Ndryshe duhet të fitosh Botërorin apo Evropianin... Viti 2007 ishte special, por tashmë duhet të përsëritemi në 2008-ën". Me këtë fantazisti nënkupton se dëshiron të luajë sërish në aktivitetin më të rëndësishëm për klube. Por, nëse Milani nuk arrin të klasifikohet mes katër të parave, ai nuk e fsheh dëshirën për të shkuar në Olimpiadë: "Futbolli brazilian i ka fituar të gjitha, përveç medaljes së artë olimpike. Kjo është arsyeja përse të gjithë duam të marrim pjesë në Pekin 2008".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›