Siti: Na nevojiten yje si Ronaldinjo
Mançester Siti vazhdon të ndjekë Ronaldinjon, duke shpresuar se do të arrijnë të sigurojnë shërbimet e lojtarit brazilian. Mediat britanike kanë zbuluar se ndërmjet drejtorit sportiv të klubit, Tauesuk Xhek Srisumrid dhe Roberto de Asis, vëllait dhe njëkohësisht menaxherit të mesfushorit, është zhvilluar një bisedë. "Në merkaton e verës synojmë të përforcojmë skuadrën, duke afruar futbollistë cilësorë dhe që kanë peshë në arenën ndërkombëtare", ka pohuar Tauesuk për të përditshmen "Daily Telegraph". "Yje të këtij kalibri do të shërbenin për të mbushur stadiumin dhe për të përhapur markën e klubit në tregun botëror. Megjithatë, fillimisht nevojitet të fitojmë në fushën e lojës. Nuk do të kishte asnjë kuptim që lojtarët për të cilët synojmë të shpenzojmë nuk do të na siguronin rezultate". Më tej, ai konfirmoi takimin me De Asis: "Kemi zhvilluar një bisedë me Ronaldinjon. Tani duhet të shohim si do të rrjedhin ngjarjet".