Didier Drogba, dhurata e titullit për Mançinin
Publikimet e mediave angleze rreth kontakteve të Interit me Çelsin kishin diçka të vërtetë. Duket se Masimo Morati synon të afrojë Didier Drobganë si "dhuratë" për skuadrën, që po shkon drejt fitimit të titullit të tretë radhazi kampion në Serinë A. Afrimi i sulmuesit nga Bregu i Fildishtë ishte lidhur ngushtë me emërimin e Hoze Murinjos në krye të stolit. Megjithatë, Morati ka përgënjeshtruar për të disatën herë zërat rreth teknikut luzitan, ndërsa marrëveshja për Drogbanë duket se ka shanse të mira të realizohet. Afrimi i sulmuesit përllogaritet për afro 35 milionë euro dhe ajo varet nga triumfi në kampionat (kur mungojnë edhe 4 javë, titulli duket praktikisht i fituar). Kushti i Moratit është i qartë, nëse Mançini arrin ta shpallë Interin kampion, atëherë do të marrë dy dhurata: konfirmimin në krye të stolit dhe lojtarin e Çelsit, që në shumë raste ka konfirmuar dëshirën për t‘u larguar nga klubi londinez.