E Shtunë, 31 Tetor 2026

BOTËRORI 2010. Shqiptarët, duhet të paguajnë dy herë

Terr informativ në Televizionin Publik Shqiptar. Askush nuk përgjigjet

Petrika GROSI

A do ta shfaqë Radio Televizioni Publik Shqiptar ngjarjen më të rëndësishme botërore që zhvillohet një herë në katër vjet siç është Kupa e Botës, “Afrika e Jugut 2010”? Kjo përbënte thelbin e shqetësimit të një numri të madh sportdashësish, të cilët i janë drejtuar redaksisë së gazetës “Albania”. U përpoqëm t’i japim publikut përgjigjen e duhur. Por, duket më e vështirë nga ç’mund të imagjinohet, gjetja e përgjigjes së kësaj pyetjeje, sidomos, nga ata persona që ligjërisht janë të detyruar ta japin këtë informacion për mediat dhe publikun. E themi këtë, pasi është e pamundur që të marrësh një përgjigje nga drejtori i Radio Televizionit Publik, RTVSH-së, Petrit Beci, qoftë nëpërmjet një SMS-je, me telefon, për të mos folur për takim të drejtpërdrejtë, pasi drejtori i përgjithshëm është i “mbytur” nga punët e tij të shumta dhe nuk ka kohë për takime me median. Ndërsa drejtori ishte i padisponueshëm për të gjetur kohën për të hedhur dritë mbi problemin e lartpërmendur, u drejtuam në drejtorinë e programacionit sportiv në RTVSH, ku takuam dy gazetarët e mirënjohur sportivë, Kosta Grillon dhe Dëfrim Met’hasanin. Të pyetur mbi transmetimin e ndeshejeve të Botërorit 2010 nga RTVSH-ja, me gjithë dëshirën e mirë për të na ndihmuar, komentatorët gritën supet. “Nuk jemi mbledhur asnjëherë për të diskutuar mbi këtë çështje”, - tha Grillo, ndërkohë që edhe Met’hasani e pohoi këtë në heshtje. Kosta shtoi më tej se “si një eveniment i përmasave më të mëdha, Botërori pa dyshim që duhet të shfaqet nga TVSH-ja...”. Por, kur e pyesim, se si do të shfaqet kampionati dhe në ç’format, atëherë sërish Grillo ngre supet. Duke i pyetur të dy gazetarët për faktin, se si ka mundësi që një transmetues dixhital e ka nisur prej kohësh reklamimin e programacionit për Kampionatin Botëror të Futbollit, ndërkohë që televizioni publik nuk jep asnjë informacion, asnjë nga të dy nuk di të kthejë përgjigje. Po ku mund të marrim një përgjigje mbi të gjitha këto, në kohën që as drejtoria e programacionit sportiv nuk e ka të qartë. Gjithçka ka mbetur e mbyllur hermetikisht në zyrën e drejtorit Beci. Në fakt, ai është personi që i ka shitur edhe të drejtat e transmetimit të këtij kampionati platformës dixhitale, që prej disa javësh reklamon në kanalet e saj të pasurit e të drejtës ekskluzive të Kampionatit Botëror, duke u bërë thirrje qytetarëve të blejnë shërbimin që ato ofrojnë, për të cilën sportdashësve do t’iu duhet të paguajnë edhe një herë, që të shohin ndeshjet e Botërorit, ndonëse transmetimi i tyre duhej të bëhet nga televizioni publik që mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Nuk e kuptojmë pse kjo neglizhencë sa i takon programacionit të Botërorit dhe nuk duam të bëjmë aludime, por sa i takon ligjit, sërish do të ishte një tjetër pyetje me interes, të cilën në pamundësi të takimit, po ia drejtojmë nëpërmjet këtij shkrimi z. Beci. Si është shitur e drejta e shfaqjes satelitore të Botërorit dhe çfarë marrëveshje keni bërë me blerësin? Së dyti, cilat janë kriteret e përzgjedhjes së kompanisë që ju licencuat për të shfaqur në satelitor Botërorin dhe a është zhvilluar ndonjë tender për këtë shitje, duke qenë se jeni televizion publik dhe po shisni një produkt për të cilin mund të përgjigjeshin më shumë se një kompani e interesuar në tregun shqiptar? Së treti, mos po e neglizhoni enkas, transmetimin e Botërorit, për të favorizuar kompaninë së cilës i keni shitur të drejtat e transmetimit? Dhe, së fundi, a do t’i shohin shqiptarët të gjitha ndeshjet në ekranin e TVSH-së, në kohë reale dhe me cilësi të mirë, apo atyre iu duhet të paguajnë dy herë për të parë Kampionatin Botëror?

Rrustemi, zyrtarisht kuqeblu

Blerim Rrustemi firmosi zyrtarisht më Vllazninë, një kontratë që do ta lidhë mbrojtësin 26-vjeçar me kuqeblutë deri në fund të sezonit, por me të drejtën për ta rinovuar marrëveshjen edhe për një sezon edicion tjetër, nëse ish-lojtari i Kombëtares shqiptare do të kënaqë me paraqitjet e tij drejtuesit e klubit shkodran. Kosovari, i cili së fundi ka luajtur me Alkin në Qipro, po stërvitet prej disa ditësh në “Loro Boriçi”, dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Shkumbinit. Ishte trajneri i dytë sezonal i Vllaznisë, Roland Luçi, ai që i kërkoi presidentit Valter Fushaj, të rikthente Rrustemin, jo të pëlqyer nga ish-tekniku i 9-herë kampionëve të Shqipërisë, Hasan Lika. 26-vjeçari Rrustemi është blerja e 12-të e Vllaznisë gjatë merkatos verore.
Interesant është një fakt, Rrustemi është lojtari i vetëm shqiptar që ka mundur të luajë me një skuadër braziliane Portuguesa (2001-2002), por dhe në Uruguai me Defensor Sporting (2002-2004). Në karrierën interesante të ish-lojtarit të Borusia Muenchegladab II është edhe klubi kanadez Toronto Supra (2000-2001). Vllaznia zyrtarizoi edhe nënshkrimin e kontratës me kompaninë sllovene të shërbimeve online, “Primo”, që nga ana e saj do të investojë te kuqeblutë, në këmbim të vendosjes së logos së saj në fanellën e klubit më të vjetër në Shqipëri. Vllaznia nuk ka bërë një fillimsezoni të mirë, duke u renditur në vend të fudnit, me vetëm 4 pikë pas gjashtë javësh të luajtura nga sezoni 2009-2010. Ndeshja e ardhshme e Vllaznisë është ajo kundër Shkumbinit, e që përkon me premierën e trajnerit Roland Luçi përpara tifozëve shkodranë, të etur për pikë.

Dinamo-Tirana, vetëm në “Tring”

Derbi i vetëm i kryeqytetit, Dinamo-Tirana, do të zhvillohet të dielën, më 18 tetor, nën dritën e projektorëve: ora 19:00. Përfundimisht është rënë dakord si me klubin e Tiranës, ashtu dhe me stadiumin “Qemal Stafa”. Ky takim do të transmetohet direkt dhe eskluzivisht nga paketa dixhitale “Tring”, që ka blerë edhe të drejtat telezive të ndeshjeve të dy ekipeve të kryeqytetit.

Kupa, turi i parë më 21 tetor

Turi i parë i Kupës së Shqipërisë do të zhvillohet ditën e mërkurë, më 21 tetor. Pas dy tyreve paraeliminatore, ku morën pjesë vetëm skuadra të Kategorisë së dytë, në turin e parë do të marrin pjesë 32 skuadra, 12 nga Kategoria Superiore, 16 nga Kategoria e Parë dhe 4 nga Kategoria e Dytë (fitueset e çifteve në eliminatore). Çiftet do të ndahen sipas një skeme të paracaktuar, të renditura në çdo kategori, sipas numrave tek dhe çift në renditjen e sezonit të kaluar.

13 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›