Nis këtë javë në Kosovë fushata elektorale për zgjedhjet lokale
Subjektet politike në Kosovë po përgatiten për të filluar të enjten fushatën për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, ndonëse ka ditë që po zhvillojnë aktivitete parazgjedhore. Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë të ditur se ka pranuar të paktën 4 ankesa për shkelje të mundshme të rregullave të zgjedhjeve dhe se ato do t’i shqyrtojë këtë javë. Sipas analistit Halil Matoshi fillimi i parakohshëm i fushatës zgjedhore nuk është problemi kryesor paraelektoral. “Realisht fushata zgjedhore në Kosovë ka filluar këtu e një muaj dhe ky është një realitet. Këtu nuk është gjithë e keqja. Për mua problemi qëndron tek vizionet e partive politike që ka sot Kosova”,- tha ai. Në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve thonë se përgatitjet rreth organizimit të zgjedhjeve të para pas pavarësisë, po zhvillohen sipas dinamikës së parashikuar.
Serbi
Ljajiç: “Fshehja e Mlladiçit nuk është e kushtueshme”
Presidenti i Këshillit Kombëtar për Bashkëpunimin me Hagën, Rasim Ljajiç deklaron se një operacion i gjerë kërkimi është zhvilluar në Novi Sad. Sidoqoftë, Ljajiç nuk komenton për mënyrën si ish-komandanti i forcave serbe në Bosnjë po fshihet. Në një prononcim për të përditshmen “Blic”, Ljajiç thotë se besonte se kërkimet për Mlladiçin do të përfundonin në fund të vitit. “Unë besoj më shumë se kurrë dhe shpresoj që ky operacion të përfundojë në fund të vitit”. I pyetur nëse shpenzojnë shumë ata që e fshehin, ai shprehet se fundet nuk janë të mëdha.
Maqedoni
Partia e Ahmetit “filtrohet” në fund të vitit
Kongresi i dytë i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) është planifikuar të mbahet brenda afatit të përcaktuar, nga muaji nëntor deri në gjysmën e dytë të dhjetorit dhe nuk ka vendim për shtyrjen e këtij Kongresi, tha për “Lajm” Xhevat Ademi, anëtar i kryesisë së BDI-së. Për herë të parë Ademi përmend dhe dy datat më të mundshme për mbajtjen e këtij kongresi, sipas tij 20 dhe 21 dhjetori janë planifikuar të jenë dy ditët e rezervuara për kongresin e partisë shqiptare në qeveri. Xhevat Ademi dhe Abdylaqim Ademi janë dy kandidatët.
SHBA
Klinton flet për taktika të reja
Sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, thotë se rishikimi i tanishëm i politikës amerikane ndaj Afganistanit dhe të gjithë rajonit po qartëson më shumë rëndësinë e angazhimit në këtë zonë. Klinton tha se strategjia për mposhtjen e Al Kaidës dhe aleatëve të saj talebanë nuk kishte ndryshuar. Por, ajo tha se analiza e kujdesshme e situatës kishte çuar në një kuptim më të drejtë për taktikat më të efektshme. Sekretarja e shtetit tha se vendosja e marrëdhënieve të partneritetit me personat që janë paguar apo janë detyruar të luftojnë në krah të ekstremistëve, do të japë rezultate.
13 Tetor 2009